Një profesor dhe një asistent në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës janë denoncuar për ngacmim, por rasti i tyre u shua nga Këshilli i Etikës, me arsyetimin se denoncuesi nuk ka treguar gatishmëri të vazhdojë më tej.
Këshilli ka kontaktuar denoncuesin pesë muaj pas paraqitjes së rastit. Ndërsa ka shuar procedurën pa i intervistuar mësimdhënësit në Fakultetin e Edukimit, në kundërshtim me rregulloren e cila parasheh që palët të intervistohen. Në vendimin e tyre mungojnë dëshmitë që kanë çuar deri te shuarja e procedurës.
Sipas juristëve, vendimi është i mangët, e sipas studentëve, kjo mënyrë e trajtimit tregon për mungesë të mbështetjes institucionale ndaj personave që denoncojnë profesorët për ngacmim
Këshilli i Etikës e pushoi procedurën për rastin e një denoncimi për ngacmim ndaj një profesori dhe një asistenti në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, pa e përfillur legjislacionin.
Në nëntor të vitit 2022 në mënyrë anonime u dërgua një denoncim ndaj mësimdhënësve (emra të njohur për redaksinë) në Zyrën për mbrojtjen dhe parandalimin nga ngacmimet në Rektoratin e UP-së.
Ani se rregullorja për masat dhe procedurat disiplinore ndaj stafit akademik parasheh që palët të intervistohen brenda pesë ditëve pas paraqitjes së shkeljes, Këshilli i Etikës filloi ta trajtojë atë pesë muaj pas.
“Intervistimi të bëhet sa më shpejt që është e mundur pas paraqitjes së shkeljes së dyshuar, por jo më vonë se pesë ditë pune, duke siguruar se shkelësi i dyshuar është njoftuar dy ditë pune më herët”, shkruan në Nenin e 7 të rregullores.
Përpos që nuk u respektuan afatet, procedura u shua nga Këshilli, pa u intervistuar profesori dhe asistenti, me arsyetimin se denoncuesi nuk ka treguar gatishmëri të vazhdojë më tej.
“Këshilli i Etikës ka zhvilluar sipas praktikës, procedurën e komunikimit të shkresave me palën denoncuese. Pala denoncuese përkundrejt shkresës së dërguar më datën 24 mars 2023, për identifikim nuk ka shprehur gatishmëri që ta përfillë mundësinë e ruajtjes së konfidencialitetit dhe vazhdimin e procedurës dhe këtë e ka konfirmuar me përgjigjen e dërguar më datën 24 mars 2023”, shkruan në vendimin e Këshillit të marrë në maj të vitit të shkuar.
Në vendimin e Këshillit mungojnë dëshmitë që kanë çuar deri te shuarja e procedurës. Në Këshill, i cili kryesohet nga profesori Iset Morina, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS tash e një javë për të sqaruar vendimin. Në këtë instancë, tash e një vit asnjëherë nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS për rastet që kanë të bëjnë me denoncimin e profesorëve për ngacmim. E në Rektorat, i cili udhëheq Senatin ku Këshilli i dërgon vendimet për miratim, refuzuan të marrin përgjegjësi për veprimet e Këshilli të Etikës.
“Nuk mund të komentojmë punën e Këshillit të Etikës, pasi çdo komentim i yni mund të quhet ndërhyrje në Këshill”, ka thënë Faton Berisha, prorektor për personel akademik, integritet dhe botime në UP.
E, sipas juristit Anton Nrecaj, përpilimi i vendimit në aspektin ligjor është i mangët.
“E kemi një vendim i cili ka një arsyetim shumë të mangët, arsyetim i cili nuk do të duhej në asnjë rrethanë që Këshilli i Etikës i UP-së të nxjerrë arsyetim me katër rreshta, kjo është e para e papranueshme dhe lë për të dëshiruar në seriozitetin e trajtimit të kësaj ankese”, ka thënë Nrecaj. “Gjithmonë kur pushon procedura duhesh ta argumentosh pse ka pushuar procedura, t’i vendosësh dëshmitë në vendim pasi ai vendim do të dërgohet në Senat dhe anëtarët para se ta miratojnë duhet t’i analizojnë dëshmitë”, ka shtuar ai.
Në grupin studentor “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist” kanë thënë se raportimi i rasteve në mënyrë anonime tregon për mungesë të sigurisë institucionale ndaj studentëve që denoncojnë profesorët për ngacmim.
“Mendoj që rasteve anonime duhet t’u japim rëndësi edhe më të madhe pasi që një student nuk është ndier e sigurt për me raportu rastin e saj me emër e mbiemër, por ka vendosur me raportu në ndonjë e-mail anonime ose ndonjë formë anonime kjo tregon që ajo nuk është ndier e sigurt”, ka thënë studentja Anita Mjeku.
Sipas saj, zvarritja e procedurave i dekurajon studentët t’i raportojnë rastet e tilla.
“Sa ma shumë që të zvarritet rasti studentët kanë me u ndi më të pasigurta me shkua edhe me raportuar çka ka ndodhë, pasi ne duhet me llogaritë që në atë kohë ato munden me qenë vazhdimisht të kërcënuara prej personit që është i akuzuar dhe mund të bëjnë një hap mbrapa që të tërhiqen dhe mos të merren me më rastin”, ka thënë ajo.
Sipas të dhënave të Zyrës për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet, në vitin e shkuar, Këshilli ka trajtuar katër raste për ngacmim. Përveç rastit të mësimdhënësve në Fakultetin e Edukimit, denoncimet e tjera ishin drejtuar ndaj ish-profesorit në Fakultetin e Filologjisë, Bekim Bejta.
Për zvarritje të procedurave për rastet që studentet kanë raportuar profesorët për ngacmim, KOHA ka raportuar edhe më herët. Rregullorja parasheh që Këshilli duhet të marrë vendim më së largu 30 ditë pas paraqitjes së shkeljes.
“Vendimi i Këshillit të Etikës i prezantohet rektorit dhe më pas në Senat, përkatësisht në Këshill Drejtues më së largu tridhjetë ditë kalendarike pas paraqitjes së shkeljes”, shkruan në Rregullore.
Zvarritja e marrjes së masave dhe tërheqja nga posti e shpëtuan ish-profesorin Bejta nga ndëshkimi. /KOHA