Kjo është një histori e vërtetë e cila na ka mbërritur në redaksinë tonë dhe që ne dëshirojmë ta ndajmë me ju, mësues e prindër, për t’u frymëzuar të gjithë nga një shembull njerëzor së pari dhe pastaj profesional si ai i mësueses Lejla Duli. Nga prindërit e klasës së I-B, shkolla “Ismail Qemali”, Shkodër.
E djeshmja mbylli muajin kushtuar mësuesve…
Më në fund e gjeta kohën pas kaq ditësh të këtij muaji të bukur, (pas punësh të shumta të së përditshmes)….në këtë mbrëmje të vonë, si shpesh më ndodh, të bëj bilancet e mija, pluset dhe minuset që mora nga vetja dhe nga jeta! Njerëzit e rinj që njoha, shpërblimet e mundit që fitova te nxënësit dhe te fëmijët, sakrificat për të qenë një grua-nënë-mësuese sa më e mirë, shembujt që më dha jeta… dhe pikërisht këtu dua të ndalem.
Ështe ora kur fëmijët e mi tani kanë kohë që kanë fjetur, disa nga punët e shtëpisë i kam mbaruar, rrobat për fëmijët për ditën tjetër në shkollë janë gati, ditari im është kryer…etj, etj., dhe në këtë çast kuptova se ende nuk kisha ndar pse jo publikisht, një kujtim shumë të bukur që më la mua dhe 33-prindërve të tjerë, mësuesja e klasës së I-B në shkollën “Ismail Qemali”, Shkodër, Lejla Duli, ose mësuese Lali siç njihet në qytet prej shumë vitesh!
Fillimisht, nuk e pata zgjedhur mësuese Lalin për vajzën time në klasën e parë edhe pse ma kishin cituar si emër dinjitoz! Kisha takuar njerëz që më shumë më drejtonin te një mësuese tjetër! Dy ditë para fillimit të shkollës e takova mësuesen që doja për vajzën time dhe nuk e pata ndjesinë që kërkoja unë për vajzën time, Aisis! Nuk e di pse! Por shpesh ndjesitë e mija nuk më gënjejnë edhe pse zhgënjime kam pasur sigurisht! Nuk kishte vende për nxënës tek ajo mësuese. E lash në dorën e fatit këtë herë!
Në disa raste kur kam kërkuar një njeri të veçantë pranë fëmijëve të mi, jam zhgënjyer! Këtë herë vendosa të mos ngul këmbë më! Sisi im është një fëmijë i mbyllur dhe nuk jep shumë nga vetja nëse nuk ndjen siguri, por mësueset e parashkollorit më kishin thënë se ishte shumë e zonja. Ashtu më dukej edhe mua në fakt, ama i duhej kohë të përshtatej dhe të pëlqente e t’i bindej mësueses…kësaj i druhesha! Doja të gjeja një mësuese sa më njerëzore, me durim dhe që transmetonte siguri te fëmija, që ai të shprehej mirë e lirshëm!
Ditën e parë të shkollës, pasi u ndanë fëmijët nëpër klasa mora vesh se emri i mësueses së vajzës ishte Lejla Duli! E pashë nga larg tek i mblodhi fëmijët me një durim dhe përkushtim dinjitoz siç i takon një mësueseje e cila pret 6-7 vjeçarë që janë realisht të mbushur me shumë emocione të klasës së parë! Ne WhatApp na kishte hapur grupin e prindërve-nënave- ku na njoftonte dy ditë përpara që të vinim dhe të prezantonim veten dhe fëmijët!
U futa në klasë bashkë me dy-tri nëna dhe po ndiqja me vëmendje çdo fjalë dhe veprim të saj karshi fëmijëve dhe karshi nesh! M’u duk se isha vetë edhe një herë në klasë të parë… ndërkohë që emocione të tilla të një prindi që dërgon fëmijën në klasë të parë i kisha provuar edhe më parë, me Amlën, vajzën time të madhe! Isha e emocionuar pafund! Përjetova një gëzim shumë të madh teksa shikoja dashurinë dhe kujdesin ndaj secilit fëmijë, mënyrën se si po përpiqej t’a bënte çdo gjë më të lehtë dhe çdo fëmijë ta miqësonte me njëri-tjetrin! Sigurisht me syrin e prindit, por edhe të mësueses që jam përmblodha rreth zemrës emocione dhe respekt të madh për mësuesen. “Ah,- psherëtiva me vete, e gjeta më duket atë që kërkoja!”.
Pasi çdo gjë e ditës së parë përfundoi, në një cep të shkallëve të shkollës, në katin e parë, prisja mësuesen të dilte!
E ndrojtur më shumë se vetë vajza ime 6-vjeçare e gjysmë, iu afrova dhe e ftova për një kafe!
“Mësuese Lejla, do të doja shumë të njiheshim pak bashkë, dua t’ju tregoj se si është vajza ime…ajo është e ndrojtur, është e vogël…është…por është e zgjuar mendoj…është fëmija im, normale kështu mendoj, duket e sertë, por është fëmijë i ëmbël, nuk afrohet kollaj, a mund të pimë një kafe ….”- i thashë më në fund!
Ajo qeshi dhe pranoi me shumë fisnikëri!
Ndërsa pinim kafe dhe flisnim për vajzën, atë që na lidhi bashkë që prej asaj dite, ndanim tek-tuk edhe biseda për arsimin në tërësi, mënyrën se si punonim të dyja me nxënësit…se sa shumë i donim…etj-etj…shpesh sytë e saj ishin plot lot kujtimesh për punën e saj…breza e breza nxënësish të dalë nga duart e saj! Sa herë sytë lotonin, ajo buzëqeshte dhe më thoshte “Mos ma vër re, jam e ndjeshme, fëmijët për mua janë vetë jeta ime, nuk i ndaj me vajzën time”! për të qenë e sinqertë unë këtë doja, ose siç edhe shumë prindër të tjerë duan të kenë këtë fat!
Një shpirt fisnik që di t’i dojë nxënësit si fëmijët e saj! E pyeta se cili mendonte se ishte çelësi i punës së saj dhe ajo me tha “I dua të gjithë njëlloj, nuk bëj kurrë dallime, punoj me të gjithë, për të gjithë”!
Ah, sa u gëzua shpirti im! Ajo orë bisede ishte një ndër më të bukurat që kisha bërë ndonjëherë me një mësuese!
Tani prisja të shikoja të venë në zbatim çdo fjalë të sajën!
Ditët kaluan dhe ne e njohëm më shumë njëra-tjetrën në një lidhje të ngushtë mësues-prind, për mbarëvajtjen e vajzës në shkollë! Sa herë Sisi mësonte një shkronjë, unë mësoja dicka nga mësuesja…çdo ditë më jepte nga një shembull të ri jete dhe punë nga eksperienca e saj shumëvjeçare, meqenëse kjo është edhe klasa e fundit për të, sepse, në përfundim të klasës së 5-të, edhe mësuesja del në pension!
Më 19 janar Sisi im mbushi plot 7 vjeçe.
Mësuesja i kishte dhuruar një libër të sajin me problema dhe ushtrime matematikore, duke qenë se ajo kishte punuar edhe pedagoge në universitet, si dhe një fotografi tonën familjare, të cilën e kishte marrë nga facebook-u im personal dhe e kishte zmadhuar! Të njëjtën gjë kishte bërë edhe me shoqen e bankës se Sisit, e cila kishte ditëlindjen pak ditë pas Sisit tim! Një gazetare, madje mike imja më kërkonte ta ftonte në studio si promovim vlerash, ngaqë unë e pata postuar dhuratën e saj, por ajo nuk pranoi të shkonte, megjithëse ju luta shumë të shkonte!
*******
Ishte fundi i shkurtit të këtij viti, kur në celular më vjen një mesazh!
“Përshëndetje nëna, jam prindi x. E krijova këtë grup prindërish për të diskutuar rreth festës së 7 Marsit, nëse keni dëshirë të bashkohemi dhe në vlerë monetare t’i bëjmë një dhuratë-kujtim mësueses së fëmijëve tanë!”
Për 33 sekonda erdhën 33 mesazhe: “po, dakord jam”!
U vendos që unë si kryetare e këshillit të prindërve të klasës të mblidhja një shumë simbolike nga secili prind, pa i rënë në sy mësueses! Edhe pse shumë e ngarkuar me punë, mora përsipër ta bëja, sepse mësuesen e doja shumë dhe do sakrifikoja edhe unë punët e mia për të, siç ajo punonte dhe sakrifikonte për vajzën time çdo ditë! Vendosëm të blinim një unazë floriri dhe një tufë modeste lulesh si shenjë e festës së mësuesit!
Erdhi 7 Marsi!
Të lumtura, unë dhe mami i një fëmijë tjetër, shkuam në klasë për t’i dhënë dhuratën në emër të gjithë klasës dhe e gjejmë duke qerasur fëmijët me shumë gjëra! Nuk e ndali qerasjen e saj… shikoja tek ajo përkushtim sikur ishte festa e parë që festonte…! Dikur, duke buzëqeshur, siç e ka natyrën e saj na kërkon falje dhe na falënderon për lulet! Unë ndërkohë ia kisha vendos edhe një kuti të vogël mbi tavolinë, ku kisha shtuar dy gjëra të vogla bashkë me unazën dhe një kartolinë! Fëmijët hanin tërë qetësi ushqimet e ëmbla të mësueses së dashur!
“Mësuese, dua ujë..” – u dëgjua një vogëlush!
Menjëherë mësuesja mori një tufë gotash njëpërdorimshme dhe po u mbushte ujin e blerë për ta!
– Eh…, – tha duke qeshur, – e dija unë se do kishit etje nga sheqeri, nuk ju bleva lëngje artificiale, sepse as nipit tim nuk ia jap, nuk janë të shëndetshme, por ju solla ujë.”
– Më falni, – na u drejtua mua dhe nënës tjetër, dhe vazhdoi t’u shpërndante fëmijëve ujin bankë për bankë!
Të dyja u përshëndetëm dhe u larguam, sepse fëmijët donin vëmendjen e mësueses së tyre dhe nuk donim të bezdisnim mësuesen, as ata vetë! Pasdite më vjen një mesazh nga mësuesja!
“Çfarë kishit bërë ashtu? Unaza kishte kushtuar X lekë! E gjeta çmimin e saj… do flasim!”
Mes nënash, gjatë kohës që komunikonim për surprizën e mësueses, ishte krijuar një klimë aq e bukur sa ndihesha me shumë fat që isha mes tyre! Në mëngjes, kur çova vajzën në shkollë, një nënë më merr në tel dhe më kërkon të takohemi!
Më thotë: “Jam shumë keq! Mësuesja i kishte vendos djalit një zarf të vogël në çantë dhe x lekë. Kështu kishte bërë me secilin! E kur i kërkova arsyen, ajo me sy në lot kishte thënë se kishte mbajtur vetëm para për lulet!
Nuk pranoi në asnjë mënyrë t’i merrte pas!
U habita! Shtanga! Mendova…
– E prisja, – i thashë!
– Si e prisje!? – tha ajo!
– Mësuesja është shumë e thjeshtë, e dashur, modeste në kuptimin më të mirë të fjalës modeste, dhe idealiste, jo materialiste! Ju kam shkruar se do sikletoset shumë, ia njoh natyrën tashmë!
Ia mora zarfin dhe u nisa për te mësuesja! Ishte në oborr ende me fëmijët! Nuk pranoi të diskutonte më gjatë… më tha se më vlerësonte shumë për nënën që jam, por vendimin tashmë e kishte marrë! I kërkova ta bënte për mua! Për atë raport e bukur që ndienim si dy nëna për vajzë time! Por jo! Ishte e kotë!
“Lulet i mbajta, faleminderit shumë nga ju për respektin, unazën do ta kem një kujtim të bukur nga ju gjithë jetën, por atë kam vendosur ta paguaj unë! Në këto kohë të vështira që po kalojmë, nuk është normale të shpenzoheni për mua aq shumë! Jemi me fat që gjatë kësaj Pandemie jemi ende gjallë! Gjërat e tjera pak rëndësi kanë! Sa kolegë s’e priten këtë 7 Mars. sepse i mori Covidi! Të kemi shëndetin, mos u mërzitni me mua! Vetëm kur mendoj se keni nxjerrë lekët nga xhepi me mendimin për mua më duket e tmerrshme, “lekë për mësuesen”? Për mua!? Të harxhoni për mua!? Jo! Në asnjë mënyrë! Lulet i pranova! Janë simbol i festës, dhuratat jo! Ama e mbajta, nuk jua ktheva! Por preferoj ta blej vetë! E vlerësoj që më vlerësoni, por shpërblimi im është mirënjohja! Mos ma merrni për keq! Punoj në emër të Zotit, kam frikë Zotin, nuk u bëj padrejtësi fëmijëve, se është gjynah, bëj detyrën time, kaq! Fëmijët janë jeta ime!” – më tha e përlotur sërish!
Mora me turp lekët, i futa në çantë dhe e përqafova shumë fort, tashmë sikur të ishte nëna ime! M’u kujtuan 7 Marset e mi! Asnjë dhuratë nuk kam marrë në 12 vite punë! E pra, fëmijët më donin dhe i doja aq shumë, sa shumë prej jush e dini mirë se sa, ngase unë i ndaj me ju ndjesitë e mia! Jo se nuk më donin! Por porosia ime çdo 6 Mars ishte: mos më blini asgjë, se jua kthej mbrapsht! 7 Marsi im jeni ju! Mirënjohja juaj është dhurata ime! As që shkoja në punë në 7 Mars, kërkoja leje! Ata e dinin si isha unë dhe më kuptonin mirë se çfarë mesazhi doja t’u mësoja për jetën! Ata më njihnin më mirë se shumë të rritur!
Dhe i thashë mësueses se e kuptoja, se as unë nuk doja dhurata, sepse mendoja që prindërit ndoshta nuk i kishin lekët për t’ua dhënë fëmijëve, nuk doja kurrë që ata të ngushtoheshin as 100 lekë për mua, por në këtë rast ishim ne prindërit, jo fëmijët që e vendosëm! Pra, në këtë rast, edhe unë do ta pranoja! Se e bëmë me shumë dashuri! Më në fund, kisha takuar “vetveten’ për fëmijën tim! Shpeshherë im shoq më thoshte se zhgënjimet e mia për disa mësues te fëmijët e mi (jo të gjithë) vinin nga fakti se unë kërkoja vetveten tek ai mësues… e them pa modesti fare, se ndihesha krenare, për këtë mendoja se unë i dua aq shumë nxënësit e mi sa askush tjetër në botë, sepse akoma nuk kisha takuar një mësuese të tillë të punonte e mendonte siç doja unë me fëmijën tim në shkollë!
Ndoshta mësuesja “m’i theu hundët e krenarisë sime”, duke më treguar se s’jam e vetmja që përpiqem me shpirt për nxënësit e mi! E m’u duk se më tha: “jemi edhe ne tjerët, plot fisnikëri në profesionin tonë, nuk je veç ti, që mendon se i do dhe punon me shpirt për fëmijët, e puno fort, se je herët për krekosje, Senadë, mësuese Senadë, puno fort… ke kohë, je vetëm 36-vjeçare! Prit se ke kohë të vish në prag pension dhe të bësh vepra të mira ende…”.
Kërkoja një ideale që nuk e shihja askund për tre fëmijët e mi! Sot e kam! Kam mësuese Lalin! Një shembull në arsim! Një shembull për Shkodrën! Për Shqipërinë! Një mësuese që zbuti zemrën e Sisit tim, që e bëri ta donte me javën e parë, që e mëson çdo ditë me dashuri dhe durim të jashtëzakonshëm! E nuk mendoja ta gjejë te një mësuese në prag të pensionit! Më falni për këtë, por kështu mendoja! Meqë vitet në arsim të lodhin, puna është e vështirë… isha gabuar! Brezi i kësaj mësueseje mendoja se nuk ekzistonte më!
Ndërsa unë, mora një mësim të mirë edhe një herë nga jeta! Të gjithë prindërit mësuam se sa me fat ishim që kishim një mësuese të tillë për fëmijët tanë dhe se njerëz të bukur në shpirt ekzistojnë dhe ata janë rreth nesh! Mjafton t’i shohim dhe t’i vlerësojmë!
Faleminderit që ekziston, mësuese Lejla Duli!
Të uroj shëndet dhe lumturi me familjen tënde të mrekullueshme dhe suksese në punën e vështirë të mësimit dhe edukimit të brezave!
Të duam shumë!
Mami Nada dhe Aisis Demushi!
Familjarisht respekt,
Në emër edhe të 33 prindërve, ose 66 nënave dhe baballarëve e 33 fëmijëve të klasës së I-B, shkolla “Ismail Qemali” – Shkodër! /portalishkollor/