Mësuese Edlira Haxhia Kadiu, prej 33 vitesh në shkollën speciale të Durrësit, përkushtohet me dashuri dhe durim te fëmijët me aftësi të veçanta.
Historia e saj tregon se puna me këta fëmijë kërkon përkushtim të palodhur, bashkëpunim dhe gëzim nga arritjet e vogla, por të çmuara.
Në një qytet që ndryshon çdo ditë, ajo mbetet e pandryshuar në misionin e saj. Prej 33 vitesh, mësuese Edlira Haxhia Kadiu e nis mëngjesin në shkollën speciale të Durrësit, aty ku fëmijët me aftësi të veçanta gjejnë jo vetëm mësuesen, por edhe njeriun që i dëgjon, i përqafon dhe i udhëheq me durim.
“Punën me fëmijët gjithmonë e kam dashur. Si fillim, kam punuar vetëm 2 vite në kopsht. Fati më solli te këta fëmijë. Bota është një mrekulli me këta fëmijë. Kam mësuar shumë, që puna me këta fëmijë është dashuri dhe një përkushtim pa kushte. Ka raste të rralla që arrijnë të integrohen në jetë, por shumica e këtyre fëmijëve e duan përkujdesin gjatë gjithë jetës së tyre, dhe ne mundohemi që, të paktën anën personale të tyre, ta bëjmë të aftë për veten e tyre.”- Edlira Haxhia, mësuese në shkollën speciale në Durrës.
Për Edlirën, vështirësitë kanë qenë të shumta, por dëshira dhe vullneti e shtynë përpara në qëllimin e saj.
“Vitet e para kanë qenë shumë të vështira. Në çdo moment pyesja si duhej të sillesha, por me kalimin e viteve mëson, kupton si të sillesh me një fëmijë. Por bashkëpunimi shkollë–fëmijë–prind na ndihmon shumë që të ecim dhe të kalojmë pengesat që na dalin përpara. E kemi thënë dhe gjithmonë e thonë edhe psikologët, që puna është shumë e gjatë, shumë e madhe, por arritjet janë të vogla. Arritja mund të vijë pas një viti, por në momentin që ti e kap dhe shikon që të kthehet puna, ti ndjen një lumturi të paparë. Prindërve do t’u them: punoni shumë, sinqeriteti me mësueset është shumë i rëndësishëm.”– Edlira Haxhia, mësuese në shkollën speciale në Durrës.
Ndër kujtimet e saj, veçon historinë e Florit, një vajze me aftësi ndryshe, që sot është shembull suksesi dhe motivimi.
“Flori ka qenë një fëmijë me aftësi ndryshe, në të folur dhe të dëgjuar. Gjithë puna jonë që kemi bërë për 9 vjet, sot kur e takojmë na bën krenarë. Ajo të kupton, flet me fjalët e veçanta, është bërë nënë, nget makinën… kjo është arritje shumë e madhe.”– Edlira Haxhia, mësuese në shkollën speciale në Durrës.
Pas tre dekadash përvojë, ajo mbetet e bindur se ky profesion nuk matet me rezultate të shpejta, por me durim dhe dashuri të pandalshme. Ajo është një shembull i gjallë se si dashuria për njeriun mund të kthehet në profesion dhe se si përkushtimi i një jete të tërë lë gjurmë të pashlyeshme te ata që kanë më shumë nevojë. /EuronewsAlbania