Një familje e tërë që merret me karate, babai dhe 4 fëmijët, më e vogla prej tyre 5-vjeç ishin të ftuar në studion e “Jeto me Orën” në RTV Ora.
Të apasionuar pas karatesë, ata janë pjesë e “Sport Club Elbasan”. Këtë disiplinë marciale e kanë trashëguar dhe në breza. Familja Backa numëron rreth 358 medalje, kryesisht medalje ari në sportin e karatesë. Anëtarja më e vogël është vetëm 5 vjeç dhe ka marrë brezin e bardhë. Të pyetur nga moderatorja Ana Kallaku nëse edhe mami merret me këtë sport , Mirand Backa u përgjigj :”Po.”
Backa: “Gjithë këto medalje janë marrë për arsyen e vetme sepse të gjithë ne si familje kemi punuar në të dyja disiplinat. Karateja ka dy disiplina. Në përgjithësi sportistët zgjedhin një disiplinë që të shkëlqejnë, ne i kemi zgjedhur të dyja. Kjo është arsyeja që kemi kaq medalje.”
Si ka nisur rrugëtimi
Backa: “Nuk e kemi ditur më parë që ka pasur Federatë apo organizime, thjesht shikonim filmat aksion. Për mua nuk ka qenë programi që unë të jem ky që jam sot, nuk ka qenë ky objektivi. Nisi kot. Kjo më vonë rrugës ndryshoi. Fëmijët pastaj kanë qenë të gjithë me plan që t’i hyjnë këtij sporti. Fëmijët e kanë filluar karatenë në moshën 2-vjeçare.”
Abdullah Backa, djali i madh i familjes tregon se ka fituar 180 medalje.
“Karatenë e kam nisur në moshën 2-vjeçare. Nga mosha 2-4 vjeçare më merrte babi në palestër dhe qëndroja me ekipin, nuk bëja stërvitje të mirëfilltë. Unë jam rritur me këtë frymë.”
Isra, 10 vjeç rrëfen se ka 20 medalje dhe ka brezin kaf.
Xhejda, 14 vjeç ka 75 medalje dhe gjithashtu ka brezin kaf.