Një delegacion nga tri universitete skandinave vjen në UP për rritje bashkëpunimi

- Advertisement -

Profesorë nga universitetet Linnaeus, Oulu dhe NTNU të Suedisë, Finlandës e Norvegjisë erdhën në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës për të shikuar mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit.

- paragrafi 1 -

Profesorët Jari Laru nga Universiteti Oulu, Deepti Mishra, Ali Shariq Imran e Akshara Pande nga Universiteti NTNU dhe Fisnik Dalipi nga Universiteti Linnaeus, të shoqëruar nga prodekania e Fakultetit të Edukimit, profesoresha Kyvete Shatri dhe profesoresha e këtij fakulteti, Krenare Pireva-Nuçi, njëkohësisht koordinatorja e projektit TKAEDITE, u pritën nga prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha.

- Advertisement -

Prorektorja Basha tha se Universiteti i Prishtinës është i interesuar të bashkëpunojë me universitetet skandinave në fushën e transformimit digjital dhe në vazhdimësi synon ta rrisë pjesëmarrjen në projekte ndërkombëtare.

Në takim u fol edhe për nënshkrimet e mundshme të memorandumeve të mirëkuptimit për fushat me interes të përbashkët dhe për partneritet në lidhje me mjetet e inteligjencës artificiale, aftësimin për përdorimin e tyre dhe krijimin e një kornize ligjore që rregullon këtë përdorim.

Gjithashtu u përmendën edhe programet e përbashkëta të studimeve me diplomë të dyfishtë, shkëmbimi i studentëve e profesorëve me programin Erasmus dhe bashkëpunimi në kuadër të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës.

- Advertisement -

Fakulteti i Edukimit tashmë bashkëpunon me këto universitete. Përveç me këtë fakultet, Universiteti Linnaeus i Suedisë ka projekte të përbashkëta edhe me Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore.
Profesorët e nderuar po qëndrojnë në Kosovë si pjesë e projektit „Transformimi i Sistemit Arsimor në Kosovë dhe Shqipëri duke Përdorur Teknologji Digjitale në Edukimin e Mësuesve” (TKAEDITE), që synon të mbështesë nxënësit dhe mësimdhënësit në Kosovë dhe Shqipëri në procesin e transformimit digjital në të gjithë sistemin arsimor.

Ky projekt bashkëfinancohet nga BE-ja dhe programi Erasmus+ dhe koordinohet nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës.