Mësimdhënësit e arsimit parauniversitar për ta ushtruar profesionin duhet të kenë licencë, leje të lëshuar në bazë të procedurave të Ministrisë së Arsimit. E një ankesë anonime e datës 17.11.2025 e drejtuar në Inspektorat të Arsimit u bë sebep që 16 mësimdhënësve t’u tërhiqen licencat në Rahovec.
Sipas një procesverbali të Inspektoratit të Arsimit, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, dhjetë ditë nga ankesa, më 27.11.2025, kishte filluar inspektimi në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Skënder Kastrati” në fshatin Radostë.
Inspektorati tregon se në ankesë kishte pretendime për shkelje ligjore në procesin e Vlerësimit të Performancës së Mësimdhënësve (VPM) dhe rilicencimin e vetë drejtorit të shkollës.
Këta mësimdhënës duhet t’i nënshtrohen një procesi tjetër të vlerësimit të performancës së tyre, ka treguar Drejtoria e Arsimit në Rahovec më 17.01.2026, një ditë pas njoftimit të Ministrisë për tërheqjen e licencave.
Në bazë të Udhëzimit Administrativ Nr. 14/2023, Vlerësimi i Performancës së Mësimdhënësve është gjykimi i cilësisë së mësimdhënies. Ai realizohet përmes pesë formularëve dhe mundëson përtrirjen e licencës së karrierës në mësimdhënie, e cila ka kohëzgjatje 7 vjet.
Ky është lloji i licencës që u është revokuuar 10 mësimdhënëseve, 5 mësimdhënësve dhe drejtorit të Shkollës “Skënder Kastrati”, që e kanë të lëshuar gjatë muajit qershor, 2025.
Bazuar në nenin 12 të Ligjit Nr. 06/L-046, inspektori i Arsimit rekomandon përtrirjen e licencës, pasi e mbikëqyrë procesin e licencimit të mësimdhënësit, drejtorit dhe zëvendësdrejtorit në të gjitha fazat e tij.
Në rastin e Rahovecit, Sektori i Inspektoratit të Arsimit nga Gjakova më 09.12.2025, ka realizuar vizitën e dytë në shkollë dhe ka shqyrtuar dosjet personale profesionale të drejtorit të shkollës dhe 15 mësimdhënësve të: Fizikës, Gjuhës angleze, Teknologjisë, Historisë, Biologjisë, Gjeografisë, Artit Muzikor, mësimit klasor dhe parafillor.
Fillimisht, Inspektorati thotë se nga dokumentacioni që ka analizuar rezulton se kishin qenë edhe dy mësimdhënës tjerë në proces të Vlerësimit të Performancës për përtrirjen e licencës së karrierës gjatë vitit shkollor 2024/2025, por nuk kishin marrë licencë.
Në dosjen e drejtorit të shkollës, i cili ka përvojën e punës si mësimdhënës i gjuhës shqipe me kontratë të përhershme, Inspektorati ka gjetur se i ka skaduar licenca më 26.12.2017, ndërsa ka licencën e përtrirë të karrierës, si dhe certifikatën për zhvillim profesional me mbi 100 orë.
Sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 15/2023 të Ministrisë së Arsimit, kusht për përtrirjen e licencës së karrierës është përfundimi i të paktën 100 orëve zhvillim profesional nga mësimdhënësi.
Dosja e drejtorit nuk i posedon formularët për realizim të VPM të brendshëm (F1, F2, F3, F4 dhe F5). Procesi i VPM-së së drejtorit është në kundërshtim të plotë me Udhëzimin Administrativ nr. 15/2023 si dhe Udhëzuesin për VPM.” – thuhet në procesverbal të inspektimit, të datës 18.12.2025.
“Të padallueshëm” në vlerësim të performancës
Proceverbali i Inspektoratit tregon se drejtori i shkollës i kishte vlerësuar njëjtë me pikë 11 mësimdhënës, në Formularin F-1, ku secili i ka 36 pikë nga 40 në total.
Ndërsa, tre prej mësimdhënësve i ka vlerësuar me një pikë më shumë, pra 37 pikë. E një mësimdhënës është i pavlerësuar në këtë Formular, pasi Inspektorati thotë se nuk e ka të shkruar rezultatin e pikëve. Formulari F-1 ka 40% të procesit të vlerësimit.
“Formulari për vlerësim (F-1) nuk ka emër dhe mbiemër të mësimdhënësit të vlerësuar. Ai është identik i shënuar dhe vlerësuar për të gjithë mësimdhënësit. Formulari i është përmbajtur formatit të dhënë nga udhëzuesi për VPM por nuk ka dëshmi në lidhje me vlerësimin. Janë identifikuar fushat për zhvillim profesional të mësimdhënësve. Në pjesën e dytë nuk janë shënuar pikët për secilin standard veç e veç, por vetëm numri i pikëve totale. Në këto formularë mungon numri personal i drejtorit dhe data.” – shkruan në procesverbal të Inspektoratit.
Të 15 mësimdhënësit pikë të njëjta i kanë dhënë vetit në formularin për vetëvlerësim, Formularin F-2. Secili i ka dhënë hak vetit me 23.667 pikë nga 25 në total apo përkthyer në 25% të procesit të vlerësimit.
“Formulari (F-2) i është përmbajtur formatit të dhënë nga udhëzuesi për VPM. Mësimdhënësit në mënyrë narrative e kanë përshkruar të gjithë punën dhe angazhimin e tyre. Në këtë formular mungon data. Të gjithë formularët kanë tekst të ngjajshëm dhe vlerësim të njëjtë.” – ka konstatuar Inspektorati.
Tutje, është analizuar vlerësimi nga kolegët gjatë orës mësimore, sipas Formularit F-3. Në dosjen e secilit mësimdhënës Inspektorati ka gjetur se nuk ka evidencë nga cili koleg është vëzhguar, por megjithatë secili ka arritur totalin e pikëve, 25 apo 25% sa llogaritet në tërë procesin.
“Formulari për vlerësim nga kolegët (F-3) është i plotësuar por nuk ka dëshmi të materialeve mësimore dhe metodologjive të përdorura për vëzhgimin e ecurisë së orës. Në këtë formular mungon: emri, mbiemri dhe nënshkrimi i kolegut vëzhgues në disa raste edhe data e vëzhgimit. Pos formularit të mësimdhënësit X. X. të gjithë formularët e mësimdhënësve tjerë kanë tekst identik.” – kanë thënë nga Inspektorati.
Kurse, në Formularin F-4 mësimdhënësit vlerësohen nga nxënësit. Në rastin e mësimdhënësve të Rahovecit, Inspektorati bën të ditur se janë vlerësuar me pikët maksimale, nga 9 apo 10 pikë, aq sa është totali. Vlerësimi është realizuar nga deri 14 nxënës që ka vlerën e 10% të procesit të vlerësimit.
Në mesin e tyre ka vlerësim edhe nga 2, 3 nxënës, e po ashtu në një rast edhe nuk janë evidentuar sa fëmijë janë intervistuar dhe e kanë vlerësuar mësimdhënësin.
“Formulari (F-4) është i plotësuar por shënimet për përgjigjet e nxënësve janë identike si të nxënësve të niveleve 0, 1 dhe 2. Nuk ka datë dhe dëshmi të administrimit të testeve në klasë e as nënshkrim të mësimdhënësit që i ka administruar.” – konstaton Inspektorati i Arsimit.
Dhe në fund, Formulari F-5 është kyç, pasi kompleton vlerësimet dhe llogaritë rezultatet nga formularët F1 deri në F4. Ndërkaq, kalueshmëria për ta përtrirë licencën e karrierës është arritja e minimum 80% të pikëve nga formularët, siç shpjegohet në Udhëzuesin për VPM.
“Formulari (F-5) është plotësuar njëjtë për të gjithë mësimdhënësit. Formularët e mësimdhënësve X. X. dhe X. X. janë të nënshkruar nga drejtori i shkollës dhe mësimdhënësi, formularët e mësimdhënësve tjerë kanë vetëm nënshkrimin e drejtorit, por nuk janë nënshkruar nga mësimdhënësi, ndërsa formulari i X. X. nuk është nënshkruar nga asnjëra palë. Në të gjithë formularët mungon data.” – ka verfikuar Inspektorati.
Kështu, Inspektorati konstaton se dy mësimdhënëse e dy mësimdhënës nuk janë të kualifikuar sipas Udhëzimeve Administrative Nr.06/2015 dhe Nr. 05/2021 të Ministrisë së Arsimit, që kanë të bëjnë me normativin mbi kuadrin profesional të arsimit të përgjithshëm.
Rekomandimet karshi gjetjeve
Inspektorati i Arsimit ka konstatuar se Shkolla “Skënder Kastrati” nuk e ka vendimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit për themelimin e Ekipit Komunal për Monitorim dhe Vlerësim të Performancës së Mësimdhënësve.
“Shkolla nuk ka nxjerrë Vendimin për themelimin e Ekipit për Vlerësimin e Performancës së Mësimdhënësve rrjedhimisht nuk e ka dokumentuar që i njëjti është ndarë me DKA-në.” – shton Inspektorati në procesverbal të inspektimit.
Edhe pse, Inspektorati ka gjetur se ka një procesverbal pa numër protokolli të mbledhjes së këshillit të arsimtarëve të shënuar në një fletore më 21.02.2025, në të cilën Ekipi për Vlerësimin dhe Monitorimin e Performancës së Mësimdhënësve është zgjedhur.
Por, Ekipi është përbërë prej 16 anëtarëve, që në mesin e tyre janë edhe 4 mësimdhënëse e dy mësimdhënës që i janë nënshtruar procesit të rilicencimit, e që Inspektorati vlerëson se është në kundërshtim me Udhëzuesin për Vlerësim të Performancës i vitit 2024 i Ministrisë së Arsimit.
“Shkolla nuk ka hartuar Planin Vjetor për realizimin e Vlerësimit të Performancës së Mësimdhënësve të brendshëm përfshirë edhe listën e mësimdhënënësve me të dhënat e licencës së skaduar, dinamikën mujore dhe planin javor për katër aspektet e VPM-së.”– ka konstatuar Inspektorati.
Me këtë rast, Inspektorati ka rekomanduar që DKA- Rahovec, menjëherë të nxjerrë vendimin për themelimin e Ekipit Komunal për Planifikim, Mbikëqyrje dhe Mbështetje të shkollave në realizimin e vlerësimit të brendshëm të performancës së mësimdhënësve.
“Në vendim duhet të specifikohet qartë përbërja e ekipit sipas strukturës së përcaktuar në udhëzim (një zyrtar i DKA-së, një drejtor shkolle, një pedagog/psikolog dhe dy mësimdhënës), si dhe të reflektohet saktësisht funksioni i ekipit në përputhje me qëllimin e dispozitave përkatëse.”- ka rekomanduar Inspektorati.
Ashtu siç ka rekomanduar Inspektorati dhe siç e kërkon udhëzimi i Ministrisë së Arsimit, DKA Rahovec tha më 17.01.2025 se do ta formojnë ekipin, i cili do ta monitorojë performancën e mësimdhënësve në të gjitha shkollat e tyre.
“Do të kërkojmë nga ky komision që t’i informojë saktë drejtorët e shkollave dhe mësimdhënësit për hapat dhe procedurat e licencimit dhe rilicencimit të mësimdhënësve në mënyrë që të mos paraqiten raste të ngjashme.”– thuhet tutje në njoftim të DKA-së.
Inspektorati ka rekomanduar që DKA Rahovec është e obliguar me rastin e lëshimit të kontratave të përhershme për mësimdhënës ta bëjë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ndërsa, i ka dhënë afat dy muaj, që të ndërmarrë masat e nevojshme procedurale konform legjislacionit ndaj drejtorit të shkollës për lëshimet e bëra lidhur me procesin e Vlerësimit të Performancës së Mësimdhënësve (VPM) dhe siç thotë Inspektorati- pajisjes së tij me licencën e ripërtrirjes së karrierës në kundërshitim me Udhëzuesin për VPM.
Në dosjet e mësimdhënësve inspektorët kanë gjetur diplomat, licencën e tyre të skaduar dhe atë të përtrirë, certifikata për zhvillim profesional me mbi 100 orë.
Por, kanë munguar planet: globale, dy mujore, javore e ditore, për vlerësim të nxënësve dhe ditarët personal.
“Nuk ka dëshmi të bashkëngjitura për punën dhe arritjet personale dhe profesionale, as fotografi, materiale apo ilustrime të realizuara gjatë orëve mësimore të vëzhguara; Planet Individuale për Përmirësim dhe Zhvillim profesional të mësimdhënësve të përfshirë në procesin e vlerësimit që duhet të përpilohen nga ana e mësimdhënësve në bashkëpunim me drejtorin e shkollës nuk janë në dosjet personale profesionale.”- kanë thënë nga Inspektorati.
Kështu, Shkollës i ka rekomanduar që të zbatohen në tërësi udhëzimet administrative nr. 14/2023, nr. 15/2023 dhe Udhëzuesi për VPM, për të gjitha procedurat që lidhen me realizimin e vlerësimit të brendshëm. /KALLXO.com