Në nisje të vitit akademik 2025/’26 drejtuesit e Universitetit të Prishtinës vizituan disa nga njësitë akademike për t’u dëshiruar mirëseardhje dhe suksese studentëve të rinj që filluan rrugën e dijes në UP.
Në amfiteatrin e Fakultetit të Arkitekturës, rektori, prof. Arben Hajrullahu, u tha studentëve që ambiciet t’i mbajnë lart që nga dita e parë, sepse vetëm kështu arrihet larg.
I shoqëruar nga prorektorët Rozafa Basha, Albana Berisha-Qehaja, Naim Jerliu e Avni Hajdari, dekania e Fakultetit të Arkitekturës, Violeta Nushi dhe profesorët tjerë, rektori Hajrullahu u tha arkitektëve të ardhshëm se punën dhe ndërtimet tuaja do t’i shohin gjeneratat që vijnë.
Rektori i përgëzoi studentët e pranuar për zgjedhjen e universitetit më të mirë e më atraktiv në Kosovë dhe përtej saj, duke u sugjeruar që të jenë krenarë për punën dhe rezultatet e treguara që ua mundësuan të jenë pjesë e Universitetit të Prishtinës.
I pari i UP-së, më pas, foli edhe para studentëve të rinj të Fakultetit të Mjekësisë. I këshilloi ata që të punojnë fort, por edhe ta shijojnë edhe më fort moshën studentore, periudhën më të bukur të jetës. Studentëve që do të bëhen mjekë, rektori Hajrullahu u uroi të shkojnë disa hapa përpara gjeneratave të kaluara, duke i porositur që në punën e tyre ta ruajnë gjithsesi njerëzoren.
Studentëve të rinj të Fakultetit të Mjekësisë iu drejtua edhe profesori i diplomuar në këtë fakultet dhe kirurgu i njohur në përmasa ndërkombëtare, prof, Rifat Latifi, i cili i uroi dhe inkurajoi ata për rrugën që kanë vendosur të ndjekin, duke ua kujtuar se ligjërata e parë në gjuhën shqipe në Fakultetin e Mjekësisë është zhvilluar më 4 dhjetor 1969.
Pritje solemne studentëve të rinj iu organizua edhe në Fakultetin e Ekonomisë. Aty mirëseardhje këtyre studentëve u dëshiroi prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, Majlinda Gjelaj. Gjithashtu, një ceremoni e bukur artistike për ditën e fillimit të vitit akademik u zhvillua në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit. Pritje e organizuar dhe orientim iu bë sot edhe studentëve të rinj në njësitë tjera akademike të UP-së.
Studentët që u pranuan në 14 fakultetet e Universitetit të Prishtinës, do të kenë fatin e mirë të studiojnë në universitetin më të madh, më të vjetër e më të suksesshëm të Kosovës dhe të renditurin më së larti nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe të të gjitha viseve ku jetojnë shqiptarët në Ballkanin Perëndimor dhe në botë.