Rreth 345 mijë nxënës dhe 31 mijë mësues do t’iu drejtohen shkollave me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor në Shqipëri.
Në një postim në Facebook, ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu ka thënë se viti i ri shkollor do të fillojë me risi dhe investime të rëndësishme, transmeton KosovaPress.
“Fillim i mbarë, me tekste falas për 236 mijë nxënës, 30 shkolla të reja dhe të rehabilituara 340 laboratorë SMART, kurrikulën e re në klasat e katërta, laboratorë të rinj të shkencave, palestra e terrene të reja sportive. Mësuesit, psikologët, punonjësit socialë, oficerët e sigurisë dhe i gjithë stafi i shkollave tona janë gati të mirëpresin nxënësit në ditën e parë të shkollës”, ka thënë ajo.
Ministria e Arsimit dhe Sportit me një udhëzim të veçantë ka përcaktuar rregullat dhe masat për ndalimin e përdorimit të telefonit celular dhe pajisjeve të ndërlidhura me të në institucionet arsimore parauniversitare.
Ministrja Manastirliu, sqaroi se vendimi nuk synon të përjashtojë teknologjinë, por ta orientojë drejt përdorimit të duhur.
“Zbatimi i këtij rregulli është angazhim dhe detyrë e përbashkët, mësues, prindër dhe nxënës, që ora e mësimit të jetë orë mësimi, dhe për këtë na duhen librat, na duhet ta përdorim në mënyrë të përgjegjshme teknologjinë, sipas protokolleve të shkollës, duke i shërbyer arsimimit dhe edukimit të nxënësve, dhe mbi të gjitha na duhet shumë përkujdes, respekt dhe bashkëpunim me njëri-tjetrin. Përgatitje të mbarë për fillim vitin shkollor të gjithë nxënësve dhe prindërve!”
Ajo bëri të ditur se rregulli i ri është i qartë dhe i zbatueshëm për të gjithë dhe se përcakton qartë përgjegjësitë e mësuesve dhe prindërve.
“Telefonat nuk duhet të merren në shkollë. Në rast të nevojës të argumentuar nga prindi, në drejtorinë e shkollës, që fëmijën ta pajisë me telefon, atëherë telefoni fiket, nxënësi e dorëzon sipas rregullit të shkollës në sirtarin apo kutinë e përcaktuar në klasë, nga momenti i nisjes së mësimit deri në përfundim të orarit mësimor. Mësuesi kujdestar dhe drejtoria janë përgjegjës për zbatimin e këtij rregulli. Për raste urgjente, komunikimi me prindin bëhet vetëm me leje ose përmes mësuesit apo drejtorit të shkollës”, ka porositur Manastirliu.
Kujtojmë, edhe vendet evropiane kanë aplikuar këto masa dhe kanë përforcuar këtë vit këtë rregull pasi që studimet e OECD-së dhe OBSH-së tregojnë se përdorimi i shpeshtë i telefonave ul përqendrimin e aktivizimin mes nxënësve në klasë, dhe në disa raste mund të rrisë edhe rrezikun e bullizmit.