Sot në Kosovë ka nisur viti i ri shkollor.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, në urimin e saj, ka thënë se sot nis një udhëtim i dijës, i mbushur me sfida dhe mundësi të reja për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit.
Në një postim në Facebook ka shkruar se ky është momenti kur fëmijët kthehen me buzëqeshje në bankat shkollore, të etur për të mësuar, për t’u rritur dhe për të realizuar ëndrrat e tyre.
“Arsimi është çelësi për një të ardhme më të ndritur dhe të qëndrueshme për vendin tonë. Andaj, të gjithë së bashku duhet të krijojmë një ambient mbështetës dhe frymëzues, ku çdo nxënës të ndihet i vlerësuar dhe i motivuar për të arritur më të mirën. Uroj që ta nisni këtë vit shkollor me energji pozitive, përkushtim dhe shpresë, duke besuar fort në fuqinë e dijes suaj”, ka shkruar ajo.
Ka thënë se me bashkëpunimin e shkollave dhe prindërve, si dhe me angazhimin e palodhur të mësimdhënësve dhe stafit tjetër në shkolla, sukseset nuk do të mungojnë.