Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se ka nisur shpërndarja falas e teksteve të gjuhës dhe kulturës shqipe për fëmijët e diasporës në 15 shtete.
Sipas Ramës, tekstet do të mbështesin mësimin e gjuhës shqipe për nxënësit shqiptarë në vende si Greqia, Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja, si edhe në shtete të tjera ku zhvillohet mësimi plotësues në gjuhën shqipe.
Ai bëri të ditur se, krahas teksteve për nivelet I dhe II, këtë vit do të shpërndahet edhe niveli III, duke plotësuar paketën mësimore për nxënësit.
Postimi i tij:
🇦🇱📚🌏Ka nisur shpërndarja e teksteve falas në 15 shtete për të mbështetur mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe të fëmijëve shqiptarë nga Greqia e Italia, deri në SHBA e Kanada, ku këtë vit përveç niveleve I dhe II, shpërndahet edhe niveli III i teksteve, duke ofruar një paketë të plotë për nxënësit, ndërsa finalizimi i punës për Agjencinë e re Kombëtare e Gjuhës Shqipe do të sigurojë një instrument institucional për standartizimin e mësimit, si edhe uljen me dinjitet të gjuhës shqipe në tryezën e gjuhëve të Bashkimit Europian🦅❤️🇦🇱📖🇪🇺