Ka filluar punimet Seminari i XVII Mbarëkombëtar me Mësuesit e Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë, shkruan AlbanianEducation.net.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë kanë organizuar Seminarin e XVII Mbarëkombëtar me Mësuesit e Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë, me temën “Metodologji të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë e në mërgatë”.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me rastin e hapjes së punimeve ka thënë se, ndihet i nderuar që gjendet para pjesëmarrësve për të uruar mbarëvajtjen e Seminarit të VXII të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, ndërsa shtoi se populli i Kosovës është falënderus për ndihmën që ka dhënë Diaspora për atdheun, në veçanti për çlirimin e tij.
Kryeministri Kurti gjithashtu vlerësoi kontributin e studentëve shqiptarë të cilët kanë arritur që gjuhën shqipe ta shtojnë si lëndë mësimore në Universitetin e Harvardit.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci me këtë rast tha se, pjesëmarrja në këtë ceremoni është emocion i veçantë, duke ditur misionin fisnik të mësuesve për ruajtjen dhe përhapjen e arsimit shqip në botë, dhe përçimin e vlerave të çmuara të gjuhës sonë amtare.
Nagavci theksoi se, për 17 vite me radhë, mësuesit e gjuhës shqipe në botë, kanë shkëmbyer përvojat e sfidat, arritjet e pengesat në këtë Seminar, ndërsa Qeveria ka qenë përherë krah tyre për të dëgjuar rreth punës që ata bëjnë, për të parë se si mund të forcohen lidhjet dhe si mund të bëhet më shumë për të promovuar e kultivuar gjuhën dhe kulturën tonë shqiptare në diasporë.
Nagavci po ashtu bëri të ditur se, Ministria e Arsimit e Kosovës ka intensifikuar dukshëm mbështetjen për komunitetet shqiptare në botë në shumë forma, duke përfshirë mes të tjerash: hartimin e kurrikulave dhe teksteve të përbashkëta, organizimin e aktiviteteve siç është ky Seminar, rritjen e mbështetjes për Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqipe që organizohet çdo verë nga Universiteti i Prishtinës, mbështetjen e ekskursioneve nga nxënësit e Diasporës sonë në trevat shqiptare dhe fuqizimin e diasporës akademike me anë të platformave KRIS dhe KREN.
Ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla, tha se ky përkushtim i juaji është dëshmi e qartë e lidhjes suaj të pashuar me Kosovën. Ajo theksoi se, së bashku me Qeverinë e Shqipërisë dhe qeveritë e shteteve të tjera ku ka shqiptarë, përmes seminareve të tilla marrim impute të vlefshme për të kuptuar nevojat konkrete dhe sfidat me të cilat përballen mësuesit tanë në Diasporë.
Kryetari i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, Blerim Lleshi ka thënë se është gjithmonë kënaqësi vizita në Kosovë, e cila ruajtjen e gjuhës dhe kulturës e ka mbrojtur gjithmonë me çmimin më të lartë.
Në fund të ceremonisë, ministrja Nagavci ka ndarë mirënjohje për kontribuesit institucional në mbështetjen e mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë, Ymer Avdiu dhe Nuhi Gashi.
Të pranishëm në hapjen e Seminarit ishin edhe zv/ministrja e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Nina Guga, zv/ministri i Arsimit në Kosovë, Taulant Kelmendi, kryesueset e grupit punues të përbashkët organizativ të Seminarit Kosovë-Shqipëri, Shqipe Gashi dhe Anila Ferizaj dhe anëtarë të grupit, si dhe mësues të shumtë të gjuhës shqipe nga anembanë bota.