Këshilli i Prindërve i Kosovës ka reaguar ashpër ndaj ministres së Arsimit, Arbëri Nagavci për shpalljen e zgjedhjeve për Këshillin e Prindërve në gjithë Kosovën. Sipas tyre, ajo po tenton që të zgjedh me diktat.
Në reagimin e Këshillit të Prindërve thuhet se Nagavci ka urdhëruar që zgjedhjet të mbahen një vit pasi është zgjedhur kryesia e re, e që mandati i tyre është katërvjeçar.
Këshilli i Prindërve dyshon që Nagavci ka rishpallur zgjedhjet për shkak të pakënaqësive që ka ndaj qëndrimeve të këtij këshilli.
“Por përse znj. Nagavci i rishpalli zgjedhjet, – kuptueshëm shtrohet pyetja? Arsyeja kryesore është pakënaqësia e znj. Nagavci me qëndrimet e KP Kosovë ndaj, sidomos, kundërshtimit të mbajtjes së mësimit të shtunave. Dhe, që të hakmerret ndaj dështimit të zëvendësimit të orëve të shtunave, që po ashtu ishte një urdhërim i pabazë, antiligjor e i padrejtë, Ministrja Nagavci ka shpikur ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për Këshillin e Prindërve. Sipas urdhërit të saj, meqë ka ndryshuar Udhëzimi duhet të ribëhen zgjedhjet. Por gjithkush, që merr vesh nga legjislacioni, e di që asnjë rregull nuk ka efekt prapaveprues. Pra ai justifikim është absurd. Për më shumë, Ministrja ka urdhëruar zgjedhje në muajin qershor, diçka që asnjëherë nuk ka ndodhur e nuk duhet të ndodhë.” – thuhet në reagimin e tyre.
Ata thonë se zgjedhjet janë shpallur pa bazë ligjore.
“Këto vetëm zgjedhje nuk mund të quhen. Ky është një tentim i pastër për diktat nga Ministrja Nagavci, me një Udhëzim të shkruar siç do e me kë do vetë. Andaj, këto zgjedhje të paligjshme, të paarsyeshme, të padrejta e në kushte diktati në këshillin e prindërve duhen refuzuar plotësisht: në çdo shkollë, në çdo komunë dhe ato në nivel të Kosovës.” – thuhet ndër të tjera.
Reagimi i plotë:
Zgjedhjet e Ministrisë së Arsimit për këshillin e prindërve
Të nderuar prindër,
në maj të këtij viti Ministria e Arsimit, pra znj. Arbërie Nagavci, ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të këshillave të prindërve në gjithë Kosovën. Prej nivelit të klasave, shkollave, komunave e nivel vendi Ministrja na i shpalli njëanshëm zgjedhjet, pa u bazuar në asnjë praktikë e asnjë bazë ligjore. Për kujtim zgjedhje të ngjashme kishte iniciuar Ministria e Arsimit, pra znj. Nagavci, edhe rreth një vit e pak më parë. Fiks më 13 maj 2022 është zgjedhur kryesia dhe kryetari i KP Kosovës. Mandati i asaj kryesie dhe atij kryetari është katërvjeçar.
Por përse znj. Nagavci i rishpalli zgjedhjet, – kuptueshëm shtrohet pyetja? Arsyeja kryesore është pakënaqësia e znj. Nagavci me qëndrimet e KP Kosovë ndaj, sidomos, kundërshtimit të mbajtjes së mësimit të shtunave. Dhe, që të hakmerret ndaj dështimit të zëvendësimit të orëve të shtunave, që po ashtu ishte një urdhërim i pabazë, antiligjor e i padrejtë, Ministrja Nagavci ka shpikur ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për Këshillin e Prindërve.
Sipas urdhërit të saj, meqë ka ndryshuar Udhëzimi duhet të ribëhen zgjedhjet. Por gjithkush, që merr vesh nga legjislacioni, e di që asnjë rregull nuk ka efekt prapaveprues. Pra ai justifikim është absurd. Për më shumë, Ministrja ka urdhëruar zgjedhje në muajin qershor, diçka që asnjëherë nuk ka ndodhur e nuk duhet të ndodhë.
Ajo çka po ndodhë është që Ministria e Arsimit po insiston të kryhet sa më shpejt ky formalitet në shkollat e vendit. Përveç në një shkollë në kryeqytet, ku prej tri javësh i dërgon inspektorët e arsimit për të këqyrur çdo detaj të zgjedhjeve në atë shkollë. Arsyeja është që t’i pamundësohet Kryetarit të KP Kosovë, të rizgjidhet. Në këtë mënyrë znj. Nagavci po harxhon kohë të çmuar të mandatit të saj për të vendosur me diktat se kush duhet të përfaqësojë prindërit e fëmijët e Kosovës, në një strukturë vullnetare. Gjersa inspektorët nuk përmbushin asnjë pritshmëri për cilësinë në arsim, ata zellshëm po merren me këtë çështje.
Të nderuar prindër,
kur ka ardhur çështja e këshillit të prindërve deri në këtë pikë që Ministria e Arsimit urdhëron zgjedhje pa asnjë kriter e bazë ligjore në një strukturë vullnetare (që edhe ashtu mezi mbahet), kur Ministria e Arsimit me çdo kusht tenton pamundësimin e vullnetit të prindërve se kush duhet t’i përfaqësojë ata, si dhe kur Ministrja e Arsimit gjen kohë të merret me çështje krejt tretësore, ndërsa asnjë problem të rëndësishmë në arsim nuk ka arritur ta zgjidhë, krejt çfarë na ngelet ne prindërve është t’i bojkotojmë këto zgjedhje.
Këto vetëm zgjedhje nuk mund të quhen. Ky është një tentim i pastër për diktat nga Ministrja Nagavci, me një Udhëzim të shkruar siç do e me kë do vetë. Andaj, këto zgjedhje të paligjshme, të paarsyeshme, të padrejta e në kushte diktati në këshillin e prindërve duhen refuzuar plotësisht: në çdo shkollë, në çdo komunë dhe ato në nivel të Kosovës.
Por, të nderuar prindër, angazhimin ynë i drejtë, i pastër dhe vetëm në të mirë të mbrojtjes së fëmijëve tanë do të vazhdojë. Edhe më fuqishëm bile.
Vullneti i prindërve nuk do të mund të ndërrohet me diktat!