Nil Kelmendi, 9-vjeçari nga Prishtina, ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare të matematikës, duke fituar Medaljen e Argjendtë në Singapore and Asian Schools Math Olympiad (SASMO) 2026, një nga olimpiadat më prestigjioze të matematikës për nxënës në botë, shkruan AlbanainEducation.net.
Në edicionin e këtij viti të SASMO-s morën pjesë mbi 60,000 nxënës nga vende të ndryshme. Olimpiada njihet për problemet sfiduese të matematikës dhe logjikës, ndërsa vetëm fituesit e medaljeve fitojnë të drejtën për t’u kualifikuar në Singapore International Math Olympiad Challenge (SIMOC), finalen ndërkombëtare që mbledh nxënësit më të suksesshëm nga e gjithë bota.
Me medaljen e fituar, Nil Kelmendi siguroi edhe kualifikimin për SIMOC 2026, i cili do të zhvillohet në Singapor nga 17 deri më 21 korrik. Në këtë garë marrin pjesë fitues të medaljeve nga shumë shtete, përfshirë Japoninë, Kanadanë, Australinë, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera me traditë në garat ndërkombëtare të matematikës.
Megjithëse është kualifikuar për finalen botërore, Nil Kelmendi nuk do të marrë pjesë fizikisht në Singapor. Megjithatë, Medalja e Argjendtë e fituar në SASMO 2026 tashmë ka mbërritur në duart e tij, duke shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në rrugëtimin e tij akademik.
Pavarësisht moshës së re, Nil Kelmendi ka ndërtuar tashmë një rekord mbresëlënës në olimpiadat ndërkombëtare të matematikës dhe shkencës, duke përfaqësuar Kosovën me rezultate të nivelit të lartë.
Ndër arritjet e tij më të rëndësishme janë:
Medalje e Artë – “Best of the Best” (Vendi i Parë) në kategorinë e Matematikës në Finalen Botërore të NEO Science Olympiad, e mbajtur në Orlando, Florida, SHBA.
Medalje e Artë – “Best of the Best” (Vendi i Tretë) në kategorinë Natural Science në të njëjtën finale botërore të NEO Science Olympiad.
Medalje e Artë në Finalen e Madhe të International German Math Olympiad, në Gjermani.
Dy Medalje të Arta Digjitale në kategoritë Matematikë dhe Shkencë në International STEM Olympiad.
Medalje e Argjendtë në SASMO 2026, duke u renditur në mesin e 8% të pjesëmarrësve më të mirë nga mbi 60,000 nxënës.
Me këto rezultate, Nil Kelmendi po ndërton një profil të spikatur në garat ndërkombëtare të matematikës dhe shkencës. Arritjet e tij dëshmojnë përkushtim, talent dhe punë të vazhdueshme, ndërsa njëkohësisht përfaqësojnë me dinjitet Kosovën në skenën ndërkombëtare të olimpiadave akademike.
