Udha e saj drejt vegut është e përditshme. Nife Lataj vegun që e ka përdorur qysh prej moshës 14-vjeçare, e ka vendosur shumë pranë dyerve të oborrit. Duart dhe këmbët i mban vazhdimisht në lëvizje, e vëmendjen tek endja e penjve.
Ky është vendi ku dëshiron ta kalojë gjithë ditën 75-vjeçarja nga fshati Carrabreg i Deçanit. Ajo tregon se si puna me veg ua ka mundësuar shkollimin familjarëve të saj para dhe pas martese.
Lataj, e cila është krenare për punën që ka bërë tërë jetën, këtë zanat thotë se dëshiron ta trashëgojë, pasi që i sjell edhe shumë pozitivitet.
Derisa kalon përtej oborrit, poshtë shtëpisë i mban hapur dyert e dyqanit, ku qep veshje tradicionale. Pranë zhurmës së makinës së qepjes kalon pjesën tjetër të ditës.
Dyqani i Nife Lataj nga fshati Carrabreg i Deçanit vazhdon të mbetet adresë e atyre që duan ta ruajnë një pjesë të traditës përmes veshjeve.