Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Grazit në Austri, ku një sulm me armë zjarri në një shkollë të mesme ka lënë të paktën 11 persona të vdekur, përfshirë autorin e krimit. Mes viktimave, fatkeqësisht, është edhe një vajzë nga Kosova.
Sulmuesi, një 21-vjeçar austriak dhe ish-nxënës i kësaj shkolle, hapi zjarr në dy klasa të ndryshme, duke shkaktuar panik e viktima të shumta. Pas aktit të përgjakshëm, ai u mbyll në një prej tualeteve të shkollës, ku më pas u gjet i pajetë nga autoritetet.
Ndërkohë, nëna e njërit prej nxënësve që arriti të shpëtojë ka treguar momentet dramatike që përjetoi kur mori një telefonatë nga djali i saj gjatë të shtënave.
“Më telefonoi nga shkolla dhe më tha që po qëllonin. Mendonte se do të vdiste. Ishte shumë i trembur dhe nuk dinte çfarë të bënte. Dy orë më vonë, pas një pritjeje të gjatë dhe të tmerrshme, më njoftuan se ishte gjallë dhe i sigurt,” tha ajo me zë të dridhur.
Ngjarja ndodhi në njërën nga shkollat më të njohura në Graz dhe ka tronditur gjithë opinionin publik austriak. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të kuptuar motivet që çuan të riun drejt këtij akti të rëndë.