Ishte lajm i mirë kur u miratua Udhëzimi i ri i MASHTI për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve. Me këtë Udhëzim barteshin një sërë kompetencash të vlerësimit nga Inspektorati në shkollë dhe kështu demokratizohej dhe profesionalizohej procesi. Besohej se kështu mund të rritej efikasiteti i procesit, të përmirësohej performanca dhe të përshpejtohej procesi i licencimit.
Mirëpo, vetëm në këto dy javët e fundit në adresën time kam marrë së paku gjashtë ankesa nga mësimdhënës individualë ose nga grupe mësimdhënësish për lëshime, shkelje e besa edhe keqpërdorime të procesit – për dëmtim të mësimdhënësve të padëshirueshëm ose të papreferuar të drejtorëve individualë!
Dëmtimet e raportuara te unë janë anonime nga frika nga drejtorët – ndonjëherë të lidhur me ndonjë zyrtar komunal! Padrejtësitë e raportuara kryesisht konsistojnë në shtyrjen ose moskryerjen e vlerësimit, përkundër insistimeve, ose zvarritjes së vlerësimit, ose mosdhënies së informatave kthyese, ose kurdisjes së ndonjë aspekti të vlerësimit, ose edhe fshehjes së dosjes (rastet që di unë deri në 10 muaj). Rastet i kam me mesazhe, me telefon ose me biseda!
Për të mos e zgjatur, propozoj që:
MASH, përmes Inspektoratit Arsimor dhe Institutit Pedagogjik, të bëjë një vlerësim të dy viteve të para të zbatimit dhe të plotësojë – amandamentojë Udhëzimin, duke përmirësuar mekanizmat mbrojtës, ankesat, informatat kthyese, afatet e secilit hap dhe përgjegjësinë – llogaridhënien e secilit për veprimet e veta.
Po ashtu, duhet bërë një program për informimin dhe aftësimin e drejtorëve për kryerjen e kësaj detyre të rëndësishme.
Unë jam mbase përkrahësi më i madh i drejtorëve të shkollave në Kosovë; po ashtu e di se shumë drejtorë e kryejnë detyrën e tyre me ndërgjegje, mirëpo mjaftojnë edhe vetëm pesë përqind e drejtorëve që të devalvohet procesi, duke shkuar lëndët në inspektorat të arsimit ose të punës, në prokurori e në gjykata.
Një gjë e tillë e dëmton pastaj: (a) sigurimin e cilësisë, (b) performancën e mësimdhënësve, (c) licencimin e mësimdhënësve dhe (d) marrëdhëniet në shkollë. Këtë shkolla shqipe nuk ia ka borxh askujt, edhe më pak drejtorëve!
Në fund, nuk duhet fajësuar individët e pozitat, sepse për ta kujdesen gjykatat, por duhet rregulluar kornizën ligjore për të parandaluar e shmangur situata të tilla – e besa edhe konflikte – me pasoja të rënda për shkollën. Domethënë, në vend të rritjes së efikasitetit të vlerësimit, mund të përfundojmë në raporte të çrregulluara e në proces të dëmtuar të licencimit!