Në rastin e sotëm të dhunës në shkollë viktima janë si mësuesi, por edhe nxënësit! Janë viktima të një sistemi të përçudnuar arsimor! Një sistemi të përçudnuar e të përdhunuar nga politizimi i arsimit prej një çerek shekulli! E politizimin e kanë bërë për këto 25 vjet mbi të gjithë kryetarët e komunave për llogari të partive, grupeve e klaneve politike – me qëllimin e vetëm të fitimit të votave në zgjedhje e favoreve politike!
Këta janë viktima të një veprimtarie sistematike antiarsimore nga bajraktarë e militantë të të gjitha partive! Ashtu siç kanë qenë viktima edhe prindërit e nxënësit e Kamenicës para disa vitesh! Ashtu siç janë viktima të gjithë nxënësit e mësuesit që konfliktohen sot pa e ditur as vet se si u ndodhën në një konflikt.
Janë viktima sepse në vend se të krijohen kushte të mira pune janë punësuar votuesit potencialë, militantët ose sebepët e ndryshëm! Në këtë mënyrë buxheti shtetëror ka paguar punësimin e militantëve dhe votat e pamerituara në zgjedhjet e pasluftës! Sot mbi 90% e buxhetit të arsimit parauniversitar shkon për paga – domethënë për përfitime politike!
Janë viktima, sepse në vend se të punësohen psikologë, pedagogë, punëtorë socialë, këshilltarë karriere që do të merreshin më mirë me mirëqenien e nxënësve, janë punësuar më shumë mësimdhënës. Sepse politikanët partiakë e kryetarët e komunave mendojnë se shkolla është vetëm për mësim, jo për edukim, mirëqenie, përkujdesje, zhvillim e përkrahje emocionale.
Janë viktima sepse në vend se të sigurohet orkestra e muzikës, kabineti i pikturës, kabineti mobil i shkencës, klubet e gjelbra e këndet kreative, janë punësuar njerëz me të vetmin kriter – të lojalitetit politik.
Janë viktima sepse në vend të materialeve mësimore e kompjuterëve për fëmijë, janë ndërtuar shkolla pa plan në çdo kodër e mëhallë për kapriçot e bajraktarëve partiakë!
Prandaj, mos e akuzoni mësimdhënësin se nuk ka faj! Mos i fajësoni as nxënësit – se nuk dinë! Kur t’i dënonI këta, mbase do të bëni drejtësi për këtë rast, por problemet nuk do të ndalen!
Problemet ndalen kur trajtohen shkaqet e vërteta të problemit:
a) depolitizimi i arsimit – punësimet në arsim i bën komuniteti dhe shkolla e jo politikanët!
b) forcohen shërbimet profesionale në shkollë – psikologu, pedagogu, shërbimi social, këshilltari në karrierë, koordinatorët e klubeve;
c) prani e dukshme e policisë rreth shkollës dhe e sigurimit në shkollë;
d) furnizohen shkollat me të gjitha pajisjet e materialet mësimore që të bëhet platforma më e zhvilluar teknologjike në komunë;
e) shkollat bashkëpunojnë me policinë, shërbimet sociale, prindërit, organizatat joqeveritare për mbrojtjen e përkrahjen e fëmijëve – por edhe për trajtimin e rasteve të veçanta;
f) shkolla, shërbimet sociale, policia, gjyqësia, organizatat joqeveritare i ndihmojnë dhe trajtojnë me prioritet dhunën në familje, delikuencën, familjet e çrregulluara, huliganët, bullizmin e të tjera që pengojnë shkollimin e duhur të fëmijëve;
g) mundësohet pensionimi i hershëm për mësimdhënësit mbi moshën 60-vjeçare, pensionimi invalidor i mësimdhënësve me sëmundje kronike, ritrainimi i mësuesve të tepërt për të punuar me fëmijë të moshës 3–6 vjeç etj.
Në fund, shteti duhet të ndërpresë menjëherë këtë cikël të së keqes. Kjo nuk arrihet me improvizime, me amaterizëm, me joseriozitet. Puna për zhvillimin e fëmijëve tanë është misioni më i shenjtë i shtetit të Kosovës. Nuk guxojmë të humbim asnjë minutë më shumë.
Përndryshe, nesër të gjithë do të jemi viktima!
*Autori është ekspert i arsimit