Është koha e fundit që të gjithë — nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit, e deri te drejtuesit e shkollave, mësimdhënësit dhe punëtorët teknikë — ta kuptojmë se cilësia në arsim nuk është vetëm detyrë, por domosdoshmëri kombëtare.
Në çdo raport ndërkombëtar, në çdo test si PISA apo matje tjera globale, Kosova vazhdon të renditet në fund të tabelave. Kjo tregon jo mungesë talenti te nxënësit, por mungesë serioziteti e bashkërendimi në sistemin tonë arsimor.
Shpesh fajësojmë vetëm mësimdhënësit, por realiteti është se arsimi është përgjegjësi e përbashkët. Qeveria duhet të sigurojë politika të qëndrueshme, buxhet të mjaftueshëm dhe kushte pune dinjitoze. Drejtoritë komunale duhet të jenë më profesionale e më të paanshme në përzgjedhjet dhe emërimet, duke vlerësuar meritën e jo lidhjet partiake.
Mësuesit, nga ana e tyre, duhet të jenë të përkushtuar në mësimdhënie moderne, me fokus në zhvillimin e mendimit kritik, kreativitetit dhe vlerave njerëzore. Ndërsa prindërit duhet të jenë pjesë aktive e procesit arsimor, duke ndihmuar fëmijët e jo duke
ua bartur gjithë përgjegjësinë shkollës.
Shkolla cilësore nuk ndërtohet vetëm me ndërtesa të reja apo tabela elektronike, por me dashuri për dijen, me përgjegjësi dhe me profesionalizëm. Çdo vonesë në përmirësimin e sistemit arsimor është humbje për një brez të tërë fëmijësh që meritojnë më shumë.
Nëse duam që Kosova të mos përmendet më si vendi me rezultatet më të ulëta në testet ndërkombëtare, atëherë duhet të fillojmë tani. Duhet të ndryshojmë qasjen — nga justifikimet te puna, nga indiferenca te përgjegjësia. Le ta japim maksimumin secili në vendin e vet, që në testet e ardhshme të mos jemi më në fund të listës, por të paktën në mesin e vendeve me arsim dinjitoz dhe të vlerësuar.
Sepse arsim cilësor do të thotë e ardhme më e mirë për çdo fëmijë, për çdo familje dhe për vetë shtetin tonë.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara