Nga Suzana Demi: Sa të vlefshme janë notat e nxënësve nga klasa 1–5?

- Advertisement -

Sa të vlefshme janë notat e nxënësve nga klasa 1–5, kur dihet që ky vlerësim i nxënësve nuk ju vlen si dëftesë notimi askund më lartë?

- paragrafi 1 -

Unë mendoj se kjo pyetje duhet t’i drejtohet para së gjithash MASHT-it, sepse problemi qëndron te mënyra si është ndërtuar sistemi arsimor, e jo te mësuesi që mundohet të mbijetojë brenda tij.

- Advertisement -

Përderisa një pjesë e vogël e shkollave kanë filluar të përdorin platforma digjitale për notimin e nxënësve, shumica ende mbështeten në mënyra tradicionale të regjistrimit.

Edhe kur përdoren platformat, në fund të gjysmëvjetorit dhe vitit shkollor, vlerësimet duhet të regjistrohen manualisht në ditar, në librin amë dhe në librezat e nxënësve.

Për më tepër, shumë mësues përpiqen të informojnë prindërit rregullisht përmes regjistrave shtesë apo fletëve të punuara vetë, vetëm për të ruajtur komunikimin dhe transparencën.

- Advertisement -

Sistemi kërkon raportim të përhershëm, por nuk ofron standarde të qarta, digjitalizim të plotë apo lehtësira konkrete për ta bërë këtë punë më efikase.

MASHT-i, përkundër çdo paralajmërimi e përvoje ndërkombëtare, në vitin 2000 përcaktoi moshën 6-vjeçare si moshë fillestare për klasën e parë – në të njëjtën periudhë kur vendet më të zhvilluara të botës po e shtynin këtë moshë në 7 vjeç.

Kjo ndodhi në një kohë të pasigurt për Kosovën, me kurrikulë ende të paqëndrueshme dhe mungesë totale të infrastrukturës pedagogjike.

Edhe sot, pas më shumë se 20 vjetësh, kjo politikë nuk është rishikuar kurrë seriozisht.

Mësuesi mbetet i vetëm në këtë hallkë, përballë planprogrameve të ngarkuara, fëmijëve që shpesh nuk janë emocionalisht e kognitivisht të gatshëm për të përballuar pritshmëritë akademike si dhe përballë prindërve që kërkojnë më shumë nota sesa dije.

Unë mendoj se shumë prindër, shpesh pa qëllim të keq, i orientojnë fëmijët drejt një të mësuari të përqendruar te nota – jo te përmbajtja apo kuptimi.

Kjo frymë, e shtyrë nga poshtë, nuk udhëhiqet nga lart – dhe kështu, edhe mësuesi më i përgatitur bie pre e presionit.

Vlen të përmendet se Kurrikula e Kosovës ka idenë e mirë për – vlerësimin përshkrues në klasën e parë dhe të dytë.

Por edhe kjo shpesh keqpërdoret nga mësues, pa trajnim të mjaftueshëm, të cilët përdorin mjete dalluese vizuale (p.sh. figura me fytyra të qeshura apo të dëshpëruara që dallojnë nxënësit gjatë vlerësimit), të cilat në vend se të inkurajojnë nxënësit, përkundrazi krijojnë një ndjenjë turpi dhe ndarjeje emocionale në mesin e tyre.

Unë mendoj se është urgjente që politika arsimore të rishikohet. Nuk mund të ndërtojmë të ardhmen mbi një model që simulon sukses përmes notës, por nuk garanton përmbajtje, nuk njeh psikologjinë e moshës dhe nuk mbron figurën e mësuesit.

Nëse duam të kemi fëmijë që mësojnë për dije e jo për dëftesë, atëherë duhet të ndërtojmë një sistem që i mbështet mësuesit, i udhëzon prindërit dhe e respekton realitetin e zhvillimit të fëmijës – që nga mosha, e deri te mënyra e vlerësimit.

© Shkrim për AlbanianEducation.net