Shumë herë i paragjykojmë nxënësit tanë se, nuk mësojnë, nuk përqendrohen, nuk janë të motivuar. Por e vërteta është më e ndërlikuar. Këta fëmijë janë në proces formimi dhe formësimi, secili në nivelin e vet të zhvillimit. Ata nuk janë njësoj dhe nuk mësojnë njësoj por të gjithë kanë potencial për të nxënë.
Fatkeqësisht, ajo që mungon është mbështetja sistematike nga jashtë, nga faktorët që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre si: familja, komuniteti, media, dhe shoqëria në përgjithësi.
Nxënësi vjen në shkollë pa strukturë edukative nga shtëpia, pa modele të qëndrueshme nga rrethi, dhe pa ndihmë për të kuptuar qëllimin e të mësuarit.
Nuk është faj i tij. Është dështim kolektiv.
Ata mësojnë — por jo gjithmonë atë që ne duam.
Sot jemi dëshmitarë të një fenomeni të qartë se, nxënësi mëson vazhdimisht nga konteksti kohor në të cilin jeton. Nga zhvillimi teknologjik, nga media, nga rrjetet sociale dhe nga dështimet e dobësitë e të rriturve rreth tyre.
Ne shpesh mendojmë se ata nuk mësojnë, vetëm sepse nuk e përvetësojnë “programin” tonë, planifikimet tona, në kushtet tona.
Por realisht, ata mësojnë – vetëm se mësojnë gjëra që i shërbejnë realitetit të tyre jetësor,
e jo domosdoshmërisht asaj që kërkon testi apo plani mësimor.
Këtë mund të quajmë ndryshe si, “bartje kohore e edukimit” – nga e cila mund të kuptojmë se, fëmijët thithin, ndiejnë dhe përvetësojnë ndikimin e kohës dhe kontekstit në të cilin rriten. Edhe kur duken të painteresuar, ata janë duke mësuar – vetëm se ndoshta jo atë që presim ne.
Çfarë zgjidhje kemi në këtë realitet?
Zgjidhja nuk është të fajësojmë nxënësit, prindërit apo mësuesit. Zgjidhja është të ndërtojmë një qasje të re në arsim, të përbashkët dhe të arsyeshme.
Këtu janë disa hapa konkretë që mund të ndërmerren, si:
*Mësim me mjete të thjeshta dhe përmbajtje të jetës reale – Lidhja e çdo lënde me përditshmërinë e nxënësit, p.sh: ekonomia në treg, shkrimi për problemet e përditshme , biologjia për shëndetin e vet nxënësit etj.
*Zhvillimi i kompetencave dhe jo vetëm i përmbajtjeve – Të mësojmë fëmijët si të mendojnë, të zgjidhin probleme dhe të bashkëpunojnë.
*Pjesëmarrja e familjes dhe komunitetit – Prindërit duhet të bëhen pjesë e edukimit, të informohen, të bashkëpunojnë, të pyesin të veprojnë duke i ndihmuar fëmijët.
*Përkrahje për mësuesin – Mësuesi nuk mund
të jetë mrekullibërës. Ai ka nevojë për mbështetje morale, materiale dhe institucionale.
Në Kosovë, arsimi është bërë një barrë e madhe mbi supet e një figure të vetme: mësuesit.
Nga ai pritet gjithçka — të mësojë, të edukojë, të motivojë, të zëvendësojë mungesën e përkujdesjes familjare, të plotësojë boshllëqet e shoqërisë dhe në fund, të nxjerrë qytetarë të formuar.
Kjo barrë është e padrejtë dhe e pamundur për t’u përmbushur, sidomos në kushte të vështira infrastrukturore, me mungesë përkrahjeje institucionale dhe me një sistem që shpesh ofron më shumë teori sesa zbatim praktik.
Duhet ta kuptojmë që arsimi nuk është një proces që ndodh vetëm brenda klasës. Ai ndodh kudo – në familje, në rrugë, në rrjete sociale, në marrëdhënie njerëzore.
Prandaj nuk mjafton të kemi pritshmëritë vetëm ndaj shkollës dhe mësuesit.
Nëse duam fëmijë të edukuar, të formuar dhe të aftë për jetën, duhet të ndërtojmë një klimë të përbashkët edukimi, ku mësuesi, prindi dhe shoqëria bashkëpunojnë. Në të kundërtën, do të vazhdojmë të kërkojmë rezultatet që nuk vijnë – dhe të fajësojmë ata që s’kanë faj.
Në një kohë ku gjithçka ndryshon me shpejtësi, arsimi duhet të jetë më shumë se një detyrë — duhet të jetë një bashkëpërgjegjësi.
Shkrimi është shkruar për AlbanianEducation.net