Kohëve të fundit, në hapësirat tona virtuale kam vërejtur një tension të panevojshëm mes prindërve dhe mësimdhënësve. Çdo lajm për arsimin po shndërrohet në një arenë diskutimesh të ashpra, ku secila palë po ndjehet e lënduar, e nënvlerësuar dhe e përjashtuar nga vendimmarrja.
Në këtë vorbull emocionesh, po humbet ajo që është më e rëndësishmja, mirëqenia dhe zhvillimi i fëmijës.
Gjithë kjo gjuhë e rëndë e ky mllef, sikur mësuesi të jetë armik e jo prind i dytë siç konsiderohej dikur. Me njëfarë forme sikur fëmijën po e dorëzojnë në burg e jo në klasë.
Dhe krejt kjo, nga komunikimi i dobët i prindërve me mësimdhënësit.
Prindërit në vend që të trokasin te dera e mësuesit për çdo paqartësi apo keqkuptim, ata shkojnë drejt e te drejtoria, te DKA-ja, madje edhe te mediat, për ta bërë sa më dramatike çdo situatë.
Ndërsa mediat, me atë mungesën e tyre të përhershme të profesionalizmit, e marrin njërën anë sipas interesit e jo sipas të vërtetës.
Por kjo situatë, nuk lind prej hiçi. Kjo vjen nga prindërimi i lodhur, që rrit fëmijë pa përgjegjësi, fëmijë që besojnë se gjithçka u takon, pa pasur kufijë. Dhe pastaj, kur në shkollë u vendosen rregullat, shpërthen menjëherë revolta.
Në këtë rast edhe mësimdhënësit kanë faj. Mësuesit e Kosovës prej vitesh kanë humbur autoritetin e dinjitetin. Dhuna ndaj tyre është bërë kaq e zakonshme, sa disa prej tyre as nuk reagojnë më. Nuk bashkohen, nuk e mbështesin njëri-tjetrin, nuk bëjnë përpjekje për ta ngritur zërin në sistemin ligjor. Dhe kështu secili vdes në heshtje brenda klasës së vet.
Të dy palët, merren me nota, me fjalë, me paragjykime… e askush nuk merret me gjërat elementare që duhen për një shkollë të shëndetshme.
Fjala vie, nëpër klasat tona ende pastrohet me “qeben” e famshme që përdridhet nëpër WC, lahet në një kovë uji të pistë dhe pastaj përkëdhel dyshemetë ku ecin fëmijët tanë.
Një aromë helmuese kimikatesh mbulon korridoret çdo ditë dhe ne prapë flasim për mësim tërëditor sikur jemi në Finlandë a Suedi.
Në shtator shkolla jep një shpuzë të vetme për tërë vitin (po them në shumicën e shkollave publike). Pra, kushtet higjienike e siguria, te askush nuk bëhen prioritet.
Sepse prindi ka punë më të mëdha, të merret me notën e fëmijës, jo me shëndetin e tij. Pastaj edhe mësuesi ka punë më të mëdha, të mbrojë veten nga sulmet, jo të kërkojë kushte më të mira.
Dhe kush e vuan këtë? Kuptohet, fëmijët.
Çdo ditë e më shumë po e shohim se shumica prej nxënësve, vijnë në shkollë vetëm për të kaluar orët, jo për të mësuar. Në shumicën e shkollave publike, ata shkatërrojnë gjithçka që gjejnë para vetes, sepse askush nuk u ka mësuar si ruhet ajo që është e përbashkët.
Inventari i ri nuk e mbush as vitin.
Nëpër klasë hudhen mbeturina nga nxënësit sikur klasa të jetë një kosh plehrash.
Krejt kjo si dëshmi e një pakujdesie që ka zënë rrënjë thellë. Dhe kështu mësuesi mbledh mbeturinat si të ishte roje, pastaj, thërret pastruesen me atë “mjetin legjendar” të mbushur me bakterie për ta rregulluar situatën. Dhe kjo quhet shkollë publike. Këtu flasim për të ardhmen, për ambicie, për reforma.
Po hyjmë në vitin 2026, por duket sikur shkollat tona kanë mbetur diku në një shekull tjetër. Dhe prapë mendojmë se jemi gati për mësimin tërëditor!!??