Nga Suzana Demi: Kur sistemi arsimor dhe ai policor pasqyrojnë njëri-tjetrin

- Advertisement -

Në shkrimet e mia të mëparshme gjithnjë kam theksuar se rritja dhe formimi i një fëmije nuk është përgjegjësi vetëm e familjes, por një proces që ndikohet nga shumë faktorë si; shkolla, rrethi social, kushtet ekonomike, politika publike dhe mbi të gjitha, vlerat që ne si shoqëri i përçojmë brezave të rinj.

- paragrafi 1 -

Sot, teksa po reflektoja mbi rezultatet e testit të arritshmërisë, mendja më shkoi më thellë se vetëm te notat dhe statistikat.

- Advertisement -

Ky test, që duhej të ishte një vlerësim objektiv i dijes dhe përgatitjes së nxënësve, po perceptohet gjithnjë e më shumë si një barrë emocionale për fëmijët, një ngarkesë që nuk mat më as potencialin, as karakterin, e as dijen tyre.

Në këtë pikë, nuk mund të mos lidhem me kurrikulën e re arsimore, që në letër synon të zhvillojë kompetenca jetësore, e një ndër to është edhe ajo që të përgatisë nxënësin si qytetarë të përgjegjshëm të këtij vendi.

Por pyetja është:

- Advertisement -

A po arrijmë me të vërtetë të formojmë qytetarë të ndërgjegjshëm, të edukuar e të përgjegjshëm për shoqërinë ku jetojnë?

Apo po shohim rezultatet e një sistemi që për fat të keq, nuk po e përmbush këtë mision?!

Ngjarjet e fundit, si rasti i dhimbshëm ku një i ri humbi jetën për shkak të një ndërhyrjeje të pakujdesshme të disa policëve, na rikujton sa larg jemi nga profesionalizmi që presim në shërbim të qytetarit. Dhe kjo s’është rastësi. Nëse një sistem arsimor është i dobët, si mund të presim që nga ai të dalin profesionistë të fortë, qofshin ata mjekë, mësues apo edhe policë?!

Sistemi arsimor është themeli i çdo shoqërie. Është aty ku formohet karakteri, ndërtohet mendimi logjik dhe kultivohet ndjenja e përgjegjësisë.

Sistemi policor, nga ana tjetër, është vazhdimi i kësaj rritjeje. Ai përfaqëson një nga degët më delikate të shërbimit publik, mbrojtjen e qytetarit.

Kur një fëmijë rritet pa orientim të duhur në shkollë, pa vlera të qëndrueshme në familje, pa mbështetje shoqërore, dhe një ditë vishet me uniformë, rreziku real është që ajo uniformë të keqpërdoret.

Pas luftës, emri “polic” në Kosovë nuk ishte i lehtë për t’u pranuar. Është dashur kohë dhe shumë mund që fëmijët tanë ta shohin policin si mik dhe si mbrojtës. Por sot, disa prej atyre fëmijëve, të rritur në një sistem të brishtë dhe të papërgatitur mirë, janë bërë policë që nuk përfaqësojnë më atë që kemi shpresuar.

Profesionalizmi nuk ndërtohet në 12 javë trajnime. As ndjenja e përgjegjësisë nuk mësohet në një kurs gjashtëmujor. Ato ndërtohen që nga mosha e hershme, nga edukimi cilësor, nga përkrahja dhe nga një kulturë e vërtetë respekti ndaj jetës dhe të drejtave të njeriut.
Nëse sistemi arsimor është themeli, sistemi policor është kati i sipërm që ruan sigurinë e gjithë ndërtesës. Nëse themeli është i brishtë, edhe kati i sipërm do të dridhet.
Prandaj, në vend që të kërkojmë fajtorë të veçantë për çdo tragjedi, ndoshta është koha të shikojmë pasqyrën si tërësi dhe aty do të shohim një shoqëri që ka nevojë për reformë të thellë:
– në edukim, që të mos dështojmë te nxënësi,
– dhe në siguri, që të mos dështojmë te qytetari.

Një qytetar i mirë përgatitet në shkollë. Një polic i mirë, gjithashtu. Dhe kur të dyja dështojnë, paguajmë të gjithë. /AlbanianEducation.net/.