Nga Shemsi Osmani: Propozim për ndryshime në kurrikulën e arsimit parauniversitar të Kosovës

- Advertisement5 -

Ç’është kurrikula / plani dhe programi mësimor? Programi mësimor është planifikim i strukturuar dhe i qëllimshëm për të arritur rezultate të dëshiruara mësimore, me anë të programit mësimor idetë, konceptet dhe teoritë përkthehen në mësimdhënie dhe nxënie.

- paragrafi 1 -

Po ashtu, është ndërveprim i planifikuar i nxënësve me përmbajtjen mësimore, materialet, resurset dhe proceset për vlerësimin e arritjes së objektivave arsimore.

- Advertisement - M1

Ndërsa plani mësimor nënkupton numrin e orëve për lëndët dhe klasët e caktuara, të parapara të realizohen brenda ditëve, javëve dhe muajve të kalendarit shkollor. Programi mësimor dhe metodat janë komponente thellësisht të ndërlidhura ndërmjet tyre, të cilat nuk do të funksiononin nëse njëra nga to nuk është realizuar. (Osmani Shemsi Rëndësia e Kurrikulës në Arsimin Parauniversitar Epoka e Re 09 Maj 2014).

Vetë karakteri gjithpërfshirës i arsimit parauniversitar dhe gjerësia shumëdimensionale e programit mësimor ka shtyrë shumë studiues dhe institucione të hulumtojnë metoda për zbatimin e tij në mënyrë sa më të suksesshme në procesin edukativ–arsimor. Është arritur në një përfundim të përbashkët se sfida të mëdha dhe të përhershme janë dy gjatë hartimit të programit mësimor: nga njëra anë mundohemi të përfshijmë sa më shumë njohuri në kuadër të programeve mësimore, por njëkohësisht nuk duam t’i ngarkojmë nxënësit me mësimdhënie sasiore dhe të papërshtatshme për moshën e tyre. (Osmani Shemsi Ideologjia në sistemin edukativ-arsimor 13 janar 2026 Epiqendra).  

Kush e harton kurrikulën / planin dhe programin mësimor?

- Advertisement - m2

Kurrikula – përmbajtja e programit shkollor nuk duhet të hartohet nga zyrat dhe vetëm nga “profesionistë të ditur”, burokratë dhe grupe metodiste/teknokrate, të përqendruara më shumë në metodat dhe teknikat e zbatimit të mësimdhënies se në vetë përmbajtjen – thelbin e programit shkollor, që duhet të jetë synimi kryesor, ndërsa të drejtën e vendosjes për përmbajtjen e programit shkollor udhëheqja politike ia rezervon vetes, duke i dhënë orientime të caktuara nga “lart”.

Disa nga arsyet pse duhet të ndryshohet kurrikula / plani dhe programi mësimor:

  1. Kurrikula / plani dhe programi mësimor nuk është harmonizuar mirë me praktikat e mësimdhënies dhe vlerësimit.
  2. Ngarkesa e nxënësve me një gamë të gjerë njohurish të shpërndara dhe të përsëritura.
  3. Programet e tanishme mësimore përmbajnë numër të lartë shprehjesh dhe procedurash, që shpërqendrojnë nxënësin dhe mësimdhënësin nga procesi i drejtpërdrejt mësimor.
  4. Procesi i vlerësimit është i ngarkuar me letra dhe evidenca të panevojshme.
  5. Mësimdhënësi është i ngarkuar me dokumentim të tepërt, i detyruar të evidentojë të gjitha aktivitetet në klasë, duke përfshirë edhe përgatitjen metodike të tij.

Kurrikula duhet të ndihmojë, jo të krijojë paqartësi dhe kufizime për metodat mësimore.

Kurrikula ndonjëherë konsiderohet se kufizon autonominë e mësimdhënësit. Në të vërtetë, një kurrikulë e hartuar mirë ka për qëllim të kundërtën. Ajo heq hamendësimet, redukton plotësimin e letrave, kursen kohën e planifikimit dhe e ndihmon mësimdhënësin në procesin e mësimdhënies dhe nxënies.

Prandaj propozohet: transformim cilësor i përmbajtjes së programit mësimor të arsimit parauniversitar nga ngarkesa informative te kuptimi shkencor.

  1. Programi mësimor nuk duhet të ofrojë vetëm grumbull të të dhënave, por ndërtim konceptual dhe përmbajtësor. Përmbajtjet mësimore duhet të ndërtohen mbi:
  1. Parime shkencore bazë (themeli i njohurive)
  2. Konceptet kryesore (shtyllat e lëndës)
  3. Lidhje ndërdisiplinore (gërshetimi horizontal dhe vertikal)
  4. Zhvillimin e mendimit kritik (analiza dhe kërkimi)
  5. Aplikimin praktik dhe eksperimental (zbatimi në jetë)
  6. Kurrikulë të harmonizuar mirë me praktikat e mësimdhënies dhe vlerësimit.

Kështu do të shmanget shpërndarja e dijes dhe do të formohet kuptim i qëndrueshëm mbi kriteret dhe të arriturat bashkëkohore shkencore. Shkollat tona sot i ngarkojnë nxënësit me numër të lartë informatash, ndërsa nxënësit nuk arrijnë t’i kuptojnë ato qartë dhe lehtë. Programi mësimor duhet të përqendrohet më shumë në konceptet kryesore, në koherencë ndërmjet fushave dhe lëndëve, që nxënësit më lehtë të mund të nxënë njohuritë e kërkuara, praktike dhe funksionale për vetë jetën e tyre dhe integrimin në shoqëri.

  1. Heqja e letrave dhe standardeve të panevojshme

Programet e tanishme mësimore përmbajnë numër të lartë terminologjik dhe procedural, i cili zhvendos përqendrimin nga procesi i drejtpërdrejt mësimor në plotësimin e dokumenteve.
Propozohet:

  1. Prioritet të kemi çështjet thelbësore.
  2. Të thjeshtojmë kompetencat duke u fokusuar në shtyllat e tyre kryesore.
  3. Formulime të matshme dhe thjeshtim i rezultateve të të nxënit.
  4. Zvogëlim i numrit të “letrave”, më shumë kohë për mësim, largim i përsëritjeve të panevojshme.

Kthimi i mësimdhënësit nga “nëpunës planifikimesh” në detyrën e tij primare i jep atij më shumë kohë në punën e tij në klasë.

  1. Të kuptuarit e dallimit ndërmjet përmbajtjes programore dhe metodologjisë mësimore

Programi mësimor duhet të përcaktojë qartë:

  1. Përmbajtjen për lëndë dhe klasë të caktuara – çfarë duhet të mësohet.
  2. Përzgjedhja e metodave mësimore duhet lënë në kompetencën e mësimdhënësit.
  3. Qëllime të qarta – mësimdhënësit kanë më shumë hapësirë për mësim.

Metodologjia dhe teknikat mësimore nuk duhet të shabllonizohen me formularë të caktuar në bazë të cilëve përcaktohet mbajtja e orës mësimore, por ato duhet të jenë udhëzime lehtësuese, duke i lënë mundësinë mësimdhënësit të marrë në konsideratë përbërjen, specifikat e klasës, grupit të nxënësve dhe përvojën e tij.

Ç. Vlerësimi duhet të thjeshtohet, ndërsa përqendrimi duhet të bëhet në arritjet thelbësore

Transformimi i vlerësimit nga një proces i ngarkuar me letra dhe evidenca në një proces treguesish mbi të cilët ndërtohen, përmirësohen dhe zhvillohen vazhdimisht strategjitë e vlerësimit për të ardhmen.
Propozohet:

  1. Përqendrim në sinjalizuesit pozitivë të arritjeve (kuptim, arsyetim, aplikim),
  2. Harmonizim i vlerësimit me përmbajtjen praktike të të nxënit dhe jo me kërkesat formale administrative,
  3. Reduktim i evidencave në formë të shkruar,
  4. Shtim i vlerësimit formativ për të mbështetur progresin e vazhdueshëm të nxënësve,
  5. Integrim i vetëvlerësimit dhe vlerësimit ndërmjet bashkëmoshatarëve për të shtuar reflektimin dhe përgjegjësinë në të nxënit,
  6. Në vend të llogaridhënies së bazuar në teste, sistemi arsimor duhet të bazohet në ekspertizën profesionale të mësimdhënësve që kanë njohuri dhe janë të përkushtuar.

Ky transformim kontribuon në zvogëlimin e ngarkesës së mësimdhënësit, ndërkohë që e lehtëson dhe e përmirëson procesin e vlerësimit, duke e shndërruar atë në një proces më praktik dhe më të përqendruar në mbështetjen e të nxënit.

  1. Bashkimi i lëndëve, veçanërisht brenda fushave, duke hequr përsëritjen e panevojshme

Në disa fusha ka ngarkesë të tepërt tematike dhe përsëritje konceptuale ndër vite dhe lëndë. Propozohet:

  1. Kontrollim shkencor i programit mësimor,
  2. Shkrirje e temave të njëjta ose të ngjashme,
  3. Ndarje dhe shpërndarje e arsyeshme e lëndëve dhe njohurive në bazë të arritjes së të nxënit të nxënësve.

Kjo do të rezultojë me koherencë dhe përshtatje të programit mësimor, duke zvogëluar ngarkesën e tepërt mësimore.

  1. Lirimi i mësimdhënësit nga dokumentimi i panevojshëm

Reforma shkencore e kurrikulës / planit dhe programit mësimor nuk mund të bëhet funksionale nëse nuk bëjmë:

  1. Zvogëlim të konsiderueshëm të planifikimeve ditore dhe javore,
  2. Kurrikula e strukturuar mirë zvogëlon mbingarkesën e mësimdhënësit,
  3. Koherencë të dokumenteve themelore,
  4. Digjitalizimin e arsyeshëm dhe të nevojshëm (jo formal) të dëshmive në dosje të panevojshme, pa pasur nevojë për kopje fizike – letra që pas dy muajsh do të hidheshin në shportë mbeturinash.

Vlerësimi i mësimdhënësit nuk duhet të bazohet në formë dhe evidencë, por në cilësinë e punës së tij.

  1. Sistem arsimor dhe program mësimor i ndërtuar në besim profesional

Ndërtimi i besimit shoqëror dhe institucional për mësimdhënësit është një strategji e fuqishme dhe e argumentuar nga gjetjet empirike; ajo është lidhja më e fortë në të gjithë sistemin arsimor. Hulumtimet tregojnë se shkollat me nivel të lartë besimi kanë predispozita dukshëm më të larta për të bërë përmirësime të ndjeshme në rezultatet e nxënësve, krahasuar me ato me nivel më të ulët besimi ndërmjet të gjitha palëve të interesuara për sistemin arsimor.
Propozohet:

  1. Motivim profesional i mësimdhënësit.
  2. Të dëgjohet mendimi profesional i mësimdhënësve, atyre që janë në procesin mësimor çdo ditë, do të na hapë rrugën drejt suksesit.
  3. Ngritje e një morali të lartë të mësimdhënësit për misionin e tij.
  4. Funksionim i tërë sistemit arsimor mbi baza besimi dhe motivimi.
  5. Ngritje e rezultateve në mësimdhënie dhe nxënie.

Niveli i zhvillimit të një sistemi arsimor dhe cilësia e procesit mësimor çdoherë do të jenë në të njëjtin nivel me zhvillimin profesional të mësimdhënësve të tij; atëherë duhet të orientohemi në formimin, ndërtimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të një mësimdhënësi me cilësi, vlera të larta dhe profesionist.

Në fund konkludoj se i tërë sistemi arsimor dhe programi mësimor duhet të ndërtohen dhe të funksionojnë mbi besimin institucional dhe të të gjitha palëve të interesuara ndaj mësimdhënësit si profesionist, jo mbi inspektimin e vazhdueshëm institucional.