Nga Shemsi Osmani: Ideologjia në sistemin edukativ-arsimor

- Advertisement5 -

Ideologjia e ka përcjellë vazhdimisht sistemin edukativ-arsimor që nga fillimi i organizimit të tij. Edhe vetë renditja në emërtimin e institucioneve shkollore – institucion edukativ-arsimor, pra edukativ para arsimor, duke synuar edukimin para arsimimit – tregon rëndësinë e tij.

- paragrafi 1 -

Gjatë gjithë historisë së edukimit, varësisht se kush e organizonte shkollën dhe e ideologjizonte atë, shkollat si institucione edukative-arsimore kanë rolin qendror në zhvillimin moral, intelektual dhe shoqëror të fëmijëve. Përveç mësimdhënies shkencore, shkollat në mënyrë të pashmangshme transmetojnë ideologji, vlera dhe supozime që formësojnë mënyrën se si nxënësit interpretojnë shoqërinë, identitetin dhe përgjegjësitë e tyre si qytetarë të rritur të së nesërmes së afërt.

- Advertisement - M1

Ndërsa ky ndikim është i pashmangshëm, pyetja se kush duhet të përcaktojë se cilat ideologji dhe forma interpretimi të mësohen në shkolla mbetet vazhdimisht e diskutueshme. Roli i arsimit në formësimin e qytetarëve të ardhshëm tashmë është i pranuar. Shkollat jo vetëm që transmetojnë njohuri dhe aftësi, por gjithashtu përcjellin vlera, norma dhe ideologji që ndikojnë në botëkuptimet e nxënësve. Ideologjia në arsim nuk ka të bëjë vetëm me politikën, por përcakton tërë atë që shkruhet në planin dhe programin mësimor, përshtatet me metodat e mësimdhënies dhe praktikat e institucioneve shkollore në të mësuarit e nxënësve.

Aty formohen pikëpamje dhe interpretime mbi: fenë apo sekularizmin, moralin dhe etikën, identitetin personal e kombëtar, sistemet politike dhe ekonomike, drejtësinë dhe barazinë shoqërore, kulturën dhe normat shoqërore. Përmbajtja programore në arsim shpesh paraqitet si neutrale në aspektin ideologjik, por nuk është asnjëherë e tillë; ajo çdo herë ofron vlera pozitive apo të kundërtën.

Narrativat e përzgjedhura historike, veprat letrare, interpretimet shkencore (“të pranuara” / imponuara) dhe idealet qytetare reflektojnë bindje të caktuara ideologjike. Ndikimi ideologjik ka një fuqi të madhe në formësimin e identiteteve të nxënësve dhe botëkuptimit të tyre, e me këtë edhe të ardhmës së tërë shoqërisë.

- Advertisement - m2

E drejta e prindërve në vendimmarrje për përmbajtjen e kurrikulës

E drejta prindërore e vendimmarrjes për përzgjedhjen e përmbajtjes programore për fëmijët e tyre është e drejtë e shenjtë, e patjetërsueshme, e natyrshme dhe e pakontestueshme. Pala më e interesuar për edukimin moral të fëmijëve është familja, por përsëri në disa sisteme arsimore kërkesat e prindërve – familjes nuk merren në konsideratë për përmbajtjen ideologjike në shkolla.

Prindërit duhet të përfshihen plotësisht në miratimin e përmbajtjes së programit ideologjik në shkolla. Kështu do të ruajmë mirëqenien e fëmijëve dhe të drejtën e familjeve të vendosin për fëmijët e tyre. Konventat ndërkombëtare në mbrojtje të së drejtës dhe etikës së përfshirjes së prindërve në vendimmarrje për përmbajtjen e kurrikulës.

Konventat ndërkombëtare i njohin prindërit si palët kryesore dhe më të interesuara për çështjen e edukimit dhe arsimimit të fëmijëve. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (Neni 26) konfirmon se “prindërit kanë të drejtë paraprake për të zgjedhur llojin e edukimit dhe arsimit që do t’u jepet fëmijëve të tyre”.

Po ashtu, Konventa për të Drejtat e Fëmijëve thekson përgjegjësinë prindërore në drejtimin e zhvillimit të fëmijëve. Mospërfshirja e prindërve në përcaktimin e përmbajtjes ideologjike shkelë të drejtën themelore të prindërve dhe dobëson bazën etike të vetë sistemit arsimor.

Shkolla si institucion gjithëpërfshirës dhe përgjegjësia shoqërore për formimin moral të fëmijëve

Sistemi edukativ-arsimor shtrihet dhe rrjetëzohet brenda shoqërive me bindje të ndryshme ideologjike, besimi dhe kulture; prandaj ai duhet të pasqyrojë diversitetin e shoqërisë, të marrë në konsideratë perspektiva më të gjera dhe të parandalojë imponimin ideologjik nga një grup i vetëm etnik, kulturor ose entitet shtetëror.

Përgjegjësia për formimin moral të fëmijëve – nxënësve është e madhe. Nëse shkollat ofrojnë përmbajtje ideologjike që nuk janë të përshtatshme për besimin, identitetin dhe traditat e familjes, dhe janë bërë pa miratim paraprak nga prindërit, kjo sjellë paqartësi, shqetësim dhe po ashtu ndryshim të identitetit të fëmijës. Parimi i përfshirjes së të gjitha grupeve shoqërore pjesëmarrëse forcon kulturën e gjithëpërfshirjes, promovon dialogun, mirëkuptimin dhe respektin e ndërsjellë.

Përparësitë pedagogjike

Nxënësi ndihet më mirë kur ka lidhshmëri midis vlerave të mësuara në familje dhe atyre që mëson në shkollë. Kështu krijohet një bazë solide mbi të cilën nxënësi integrohet dhe ambientohet më lehtë dhe më sigurt në procesin e mësimdhënies dhe nxënies. Shkolla duhet të respektojë bindjet, besimin dhe trashëgiminë kulturore të grupeve të caktuara shoqërore kur zgjedhë përmbajtjen e programit shkollor.

Sistemi i edukimit i organizuar nga shteti

Sistemi i edukimit shtetëror si një formë e kontrollit ideologjik është qartësisht i dukshëm në përmbajtjen e programit shkollor. Përzgjedhja dhe strukturimi i njohurive në sistemin arsimor çdo herë është në përputhje me parimet e sistemit shtetëror. Sistemi i kontrollit shtetëror promovon dhe mbron atë që i konsideron vlera dhe moral shoqëror, duke i sanksionuar me masa legjislative dhe vendime administrative. Vlerat e moralit shoqëror i interpreton me anë të narrativës (i përzgjedh, strukturon dhe interpreton me anë të narrativës së caktuar, duke i paraqitur njohuritë që ofron si të vetmet të vërteta) së besimit, historisë kombëtare, letërsisë, trashëgimisë kulturore etj., të cilat i zyrtarizon dhe i vendos në kurrikulë, të cilën e harton shumë herë pa marrë në konsideratë mendimin dhe kërkesat e shumicës së grupeve fetare, nacionale, kulturore etj.

Kurrikula – përmbajtja e programit shkollor – shkruhet nga “profesionistë të ditur”, burokratë dhe grupe metodiste/teknokrate, të përqendruara më shumë në metodat dhe teknikat e zbatimit të mësimdhënies sesa në përmbajtjen – thelbin e programit shkollor, që duhet të jetë synimi kryesor, ndërsa të drejtën e vendosjes për përmbajtjen e programit shkollor udhëheqja politike ia rezervon vetes, duke i dhënë orientime të caktuara nga “lart”.

U tha se ideologjia si pjesë e sistemit edukativ-arsimor është e vjetër sa vetë sistemi i organizuar arsimor. Një shembull ilustrues i përzgjedhjes ideologjike nga sistemi arsimor është filozofia antike greke. Ndër kryesorët na ofrohet Platoni – “Akademia Platonike”, shembulli më i hershëm ideor filozofik dhe i organizuar edukativ-arsimor. Pse kjo shkollë quhej “Akademi”? Sepse organizohej në vendin e heroit legjendar grek Akademit në mitologjinë greke dhe afër tempullit të Athinës. Shiko pra: aty kishte interpretim filozofik të proceseve natyrore dhe shoqërore, por edhe besim për një njeri legjendar dhe një vend “të shenjtë”, tempullin e Athinës.

Pse na vjen ndërmend i pari Platoni dhe Akademia e tij? Kjo si pasojë e përzgjedhjes së qëllimshme të programit shkollor nga sistemi edukativ-arsimor kur ne ishim nxënës e studentë. Kush u kujdes dhe kush është pyetur që të na ofrohej filozofia greke, por edhe sistemi i besimit politeist greko-romak me aq shumë përmbajtje në programet shkollore? Ndërsa na u tregua shumë pak nga shembujt personalë të këtyre filozofëve e pedagogëve (pedagogos, greq. përcjellës-shoqërues), nga të cilët ne duhej të mësonim dhe tani nxënësit tanë ende mësojnë se si ata interpretojnë individin, familjen, shoqërinë, natyrën, vlerat e moralit shoqëror dhe organizimin shtetëror.

Këtë përzgjedhje e imponoi dhe ende e imponon sistemi demokratik i të gjitha llojeve të demokracive, si: demokracia kapitaliste, demokracia e ashtuquajtur socialiste (komuniste) dhe ajo bashkëkohore. Të gjitha e kishin dhe ende e kanë si referencë demokracinë skllavopronare greke dhe secila përgatiste dhe përgatit opinionin dhe kuadrot nga gjeneratat e reja me anë të programit shkollor për sistemet e tyre.

Pra, shkolla është vetë shteti, i cili formon konceptet mbi sistemin qeverisës duke e paraqitur sistemin e tij si më të mirin e mundshëm në organizimin shoqëror e politik te nxënësit, studentët dhe te e gjithë shoqëria. A nuk kishte ideologji edukative më të hershme, më të mira dhe nga njerëz me moralet më të larta, që ishin profetët – krijesat më të mira dhe më të ndershme që kanë shkelur në sipërfaqen e Tokës – të cilët i sillnin njerëzimit të vërtetën absolute nga Krijuesi i gjithësisë, të mësoheshin në programin shkollor?

Po ashtu, duhet të merret në konsideratë fakti se shumica e njerëzve pretendojnë të jenë pasues të këtyre profetëve. Prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur propozojmë dhe hartojmë përmbajtjet e programeve në të gjitha nivelet e sistemit edukativ-arsimor. Nxënësit ndikohen nga një sistem i organizuar dijesh dhe njohjesh, i cili me anë të ideologjisë dhe interpretimit të proceseve shoqërore dhe atyre natyrore formëson bindjet, të cilat bëhen norma shoqërore në vetëdijen kolektive deri në shenjtërimin e tyre.

Kështu, më pas këtyre normave u bindemi pa kundërshtim, duke kaluar në veprime të caktuara që mund të jenë të dëmshme dhe vështirë të riparueshme, sepse ato bëhen me bindje të formësuara dhe të normuara shoqërisht. A nuk mësonim dikur vetëm teorinë e evolucionit, e cila tani nuk besohet më as nga neodarvinistët? Apo tani jogat budiste në shkollat tona?

Prandaj nuk duhet të habitemi që nesër në kurrikulën shkollore mund të gjejmë edhe “njohuri” për alienët që fluturojnë me UFO (unidentified flying objects) si “të parët tanë që na paskan krijuar dikur moti” dhe tani u paska rënë ndër mend të na vizitojnë!