RESPEKTI PER MESIMDHENESIN
Unë jam arsimtare e matematikës në shkollën “Mustafa Bakiu” ne Prizren dhe sot ndjej obligim moral e profesional të flas për një realitet shqetësues që po na godet të gjithëve: humbjen e respektit ndaj mësimdhënësit.
Rasti i fundit, ku një nxënës ushtron dhunë ndaj mësuesit, nuk është thjesht një incident i izoluar. Është pasojë e një problemi më të thellë që po e kaplon krejt shoqërinë tonë. Sot, për fat të keq, mësimdhënësi gjithnjë e më shpesh po shihet si tabelë qitjeje, ku nguliten shigjetat e mllefit, frustrimit dhe mungesës së edukatës.
Pa dashur t’i etiketojmë të gjithë nxënësit – sepse ka shumë nxënës të mrekullueshëm, të edukuar, të kulturuar dhe për çdo lëvdatë – nuk mund ta mohojmë faktin se një pjesë e sjelljeve problematike reflektojnë, para së gjithash, edukatën që bartet nga familja në shkollë.
Një tjetër plagë e madhe janë kritikat e ashpra dhe të vazhdueshme nga prindërit, ku mësimdhënësit portretizohen si “të paguar e që s’punojnë”. Ky diskurs, që fatkeqësisht zhvillohet shpesh në prani të fëmijëve, shoqërohet me sharje, mllef dhe fajësime për mungesë rezultatesh apo mosangazhim – pa u bërë asnjëherë pyetja: ku është roli i prindit? ku është përgjegjësia familjare?
Kur fëmija rritet duke dëgjuar se mësuesi nuk vlen, nuk respektohet dhe fajësohet për çdo dështim, atëherë nuk duhet të çuditemi kur ai fëmijë e sheh dhunën verbale apo fizike si diçka “normale”.
Respekti për mësimdhënësin nuk është luks – është themel i edukimit. Pa të, nuk ka dije, nuk ka rritje, nuk ka shoqëri të shëndoshë.
Ky nuk është apel kundër nxënësve, as kundër prindërve. Ky është apel për reflektim. Sepse shkolla nuk mund ta bartë e vetme barrën e edukimit. Edukata fillon në shtëpi dhe forcohet në shkollë – ose dështon në të dyja.