Nga Selim Tahiri: Ministre në detyrë Nagavci fol – provimi pranues në Fakultetin e Mjekësisë me shumë parregullësi

- Advertisement -

E nderuar Ministre (ose Ministre në detyrë),

- paragrafi 1 -

Po përpiqem ta shkruaj këtë letër sa më shkurt, sepse e kuptoj që koha dhe ndoshta edhe durimi mund të jenë të kufizuara.

- Advertisement -

Unë jam një prind, një profesor me përvojë 18-vjeçare, një ish-gazetar dhe poet. Por kjo nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi dhe që kërkon vëmendjen tuaj të menjëhershme është një çështje shumë e rëndë: mënyra si po trajtohet Testi i Maturës dhe provimi pranues në Fakultetin e Mjekësisë.

Siç dihet tashmë, Testi i Maturës shoqërohet çdo vit me parregullsi teknike dhe përmbajtësore dhe nuk përfaqëson një vlerësim të drejtë e objektiv të dijes së maturantëve. Ky test shpesh i dëmton më shumë ata që kanë punuar fort dhe me ndershmëri ndër vite, ndërsa u krijon hapësirë atyre që mbështeten në kopjim apo në mjete të tjera të padrejta.

Këtë vit, situata ka qenë më e rëndë se kurrë më parë. Kam bërë vetë ankesë për vajzën time dhe e kam analizuar me kujdes testin. Me përgjegjësi të plotë them se asaj i janë hequr të paktën 10 pikë në mënyrë të padrejtë. Dhe ajo nuk është e vetmja, qindra nxënës të tjerë janë ndjerë të nëpërkëmbur dhe kanë protestuar para Ministrisë suaj, por kot. Kot, sepse vetë çelësi zyrtar i testit ka pasur gabime. A është bërë kjo me qëllim? Këtë duhet ta thoni ju. Por shumë prindër e mësues, përfshirë edhe mua, besojnë se po, është bërë me qëllim. Qëllimi? Të ulen pikët në Testin e Maturës, që më pas pranimi në Fakultetin e Mjekësisë të bëhet më selektiv në mënyra që nuk lidhen me meritën.

- Advertisement -

Kam qenë vetë dëshmitar ditën kur u mbajt provimi pranues në Mjekësi. Kam parë nxënës të përlotur, të dëshpëruar, të stresuar. Ankesa më e zakonshme? Testi i Kimisë ishte jashtëzakonisht i vështirë, me gabime teknike dhe me formulime të pasakta. Edhe kjo, mendojnë shumë, nuk është rastësi. Kur e bën provimin të pakalueshëm, ke hapur rrugë për të pranuar ata që kanë përkrahje nga prapaskena, qoftë nga prindër mjekë, politikanë apo biznese të fuqishme. Dhe siç thotë populli me ironi të hidhur: “Paraja e çon ujin përpjetë.”

Ky sistem pranimi në këtë formë është i padrejtë. Dhe duhet të anulohet. As Testi i Maturës, as provimi pranues nuk përmbushin standardet e barazisë dhe meritës.
Ministre, fol! Jo për të dhënë deklarata boshe, por për të dhënë mbështetje morale dhe institucionale për nxënësit që meritojnë të dëgjohen. Jepni mbështetje për nxënësin H.K., i cili ju ka bërë krenar duke zënë vendin e dytë në gara evropiane e botërore. Ai pa ndjekur asnjë kurs, me sakrifica të shumta mori rreth 79 pikë, por u la në hije nga ata që kishin para, prona apo ndikim.
Mos e lini drejtësinë në heshtje.

Shkrim për @AlbanianEducation.net

*Autori është prind dhe mësimdhënës