Rasti që ndodhi dje në një shkollë fillore të Prizrenit, ku një 14-vjeçar, tentoi të vetëvritej, është një sinjal i qartë se si shoqëri kemi hyrë në një qorrsokak prej të cilit duhet dalur sa më shpejt.
Unë si një mësimdhënës, si një prind e në radhë të parë si një njeri, jam tepër i shqetësuar dhe i indinjuar.
Ky rast dhe shumë të tjerë që po shtohen dita-ditës janë pasqyrë e një realiteti të hidhur; nuk po merremi sa duhet me nxënësit/fëmijët tanë.
Një vullnetare e Korpusit të Paqes, më pati treguar për historinë e dhimbshme të familjes së saj. Nëna i ishte ndarë nga babai dhe ishte martuar me një burrë i cili vazhdimisht e torturonte. Mirëpo fatmirësisht gjendjen e saj emocionale e kishte kuptuar psikologia e shkollës. “Po të mos ishte psikologia, po të mos ishin takimet e saj të përditshme me mua, unë ose do të isha çmendur ose nuk do të isha fare”. Kështu më kishte thënë ajo me lot në sy.
Nuk dua ta fajësoj askënd por vetvetiu lind pyetja se,
A kanë shkollat tona psikologë/e të aftë/a?
A merren ato/ato seriozisht me problemet e nxënësve?
A bisedojnë me nxënës, a bëjnë projekte, hulumtime?
A takohen me prindër?
Ku e kalojnë kohën më shumë, duke punuar apo duke pirë kafe me drejtorët e tyre?
Po psikologun, psikiatrin privat a e kontrollon dikush?
Sa pacientë në ditë kanë?
A mundet që një psikiatër t’i trajtojë mirë brenda ditës 30 pacientë?
Nëse qëllimi i tyre është vetëm paraja e jo edhe shëndeti i pacientëve, atëherë mjerë për ne e më mjerë për ta.
Një pjesë të madhe të fajit e kemi edhe ne, mësimdhënësit. Duhet të gjejmë kohë, mënyrë për të biseduar me nxënës. Duhet të kemi më shumë durim. Nëse nuk mund të zgjidhim problemin të paktën ta adresojmë atë aty ku duhet.
Prapë po e përmend vullnetaren e Korpusit të Paqes. Sa herë hynim në klasë, së pari i përshëndeste nxënësit e pastaj ua ngulte shikimin secilit veç e veç.
Një ditë e vërejti një nxënëse me fytyrë të mavijosur. Më tha ta pyesja se çfarë i kishte ndodhur. Vajza m’u përgjigj se ishte rrëzuar duke luajtur. ‘Gënjen” – më tha – ndaj saj është ushtruar dhunë. Pas orarit të mësimit jemi takuar me prindërit e saj. Doli ashtu siç ajo tha.
Një shoqëri që godet qeniet më të dobëta, fëmijët dhe kafshët nuk do të përparojë kurrë – gjithmonë ma përsërsite këtë fjali.