Në vitin 2000 për herë të parë Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), organizoi testin për nxënësit e moshës 15 vjeçare! Atë vit Finlanda doli me rezultate shumë të larta duke arritur sukses në matematikë, shkenca dhe lexim, andaj me të drejtë vendi nordik u pa si me sistemin më të mirë arsimor dhe u mor si shembull nga shumë shtete të tjera evropiane dhe botërore, duke përfshirë edhe Kosovën.
Megjithatë rezultatet e PISA ndryshuan, Finlanda tashmë po binte, rënia e sistemit arsimor atje bazuar në rezultatet e PISA-s filloj në mes viteve 2006 dhe 2012 duke vazhduar me rënie drastike në vitin 2015 e tutje!
Sa i përket vitit 2022, Finlanda nuk është në 5-shen e parë biles as në 10-shen e parë të rënditjes së PISA-s: në vendin e parë renditet Singapuri, pasuar nga Kina në vendin e dytë, në vendin e tretë Tajvani, në të katërtin Japonia dhe pesshën e parë e përmbyllë Korea e Jugut, ndërsa Finlanda zë vendin e trembëdhjetë (13)!
Suksesi fillestar i Finlandës bëri që ekspertët të besojnë se reformat që kishte bërë ky shtet në arsim kishin rezultuar të duhura dhe të suksesshme, ku nxënësi kishte autonomi për drejtimin e shkollës dhe arsimit në përgjithësi. Gabriel Heller Shalgren, drejtor kërkimi në Qendrën për Studimin e Edukimit për Reformën e Tregut, vë në dukje faktin që rezltatet fillestare të arsimit finlandez ishin si rezultat i arsimit të centralizuar dhe të dominuar nga mësimdhënësit, sistem i cili kishte arritur deri në vitet ’90. Më tutje Shalgren shprehet: “E kaluara finlandeze sugjeron se metodat e udhëhequra nga nxënësit dhe mjediset më pak të strukturuara shkollore në përgjithësi, janë të dëmshme për arritjet e të nxënit.”
Korrespondentja finlandeze, Hannah Tanninen, ka ndjekur shkollat në Finlandë dhe vendet aziatike, ajo vë në dukje faktin se dallueshmëria në prodhimin e cilësisë është shumë e madhe dhe se Finlanda duhet të mësoj nga këto vende nëse don të mbetet në krye të tabelës! Ajo thekson disa fakte të cilat e dallojnë sistemin arsimor finlandez me atë aziatik:
1. Nxënësit në azi e fillojnë arsimimin më herët dhe punojnë më shumë duke e zhvilluar njohurinë dhe aftësinë e nevojshme;
2. Sistemi arsimor i Finlandës e ulë kriterin në përputhje me rrethanat për tu përshtatur me aftësitë e nxënësve. Sistemi arsimor në vendet e Azisë Lindore kërkon që nxënësit të punojnë fort për të përmbushur një standard universal për arritjen e kritereve të nevojshme;
3. Në Finlandë konkureenca në mes nxënësve nuk është gjithaq e pranueshme, madje as në shoqëri përgjithësisht! Në Sistemin arsimor aziatik promovohet konkurrenca dhe përqendrojnë strategjitë arsimore në shkëlqyeshmëri;
4. Finlanda përpiqet ta bëjë mësimin argëtues dhe krijues; megjithatë, Tanninen argumenton se kjo qasje mund të jetë e pafavorshme. Ajo thotë se kënaqësia e menjëhershme të nxënësit, nuk siguron përfitime afatgjate të dijes, thjeshtë përfitojnë një dije aty për aty.
Ndër të tjera, Tanninen, thotë: “Në Finlandë është mendimi se duhet motivuar nxënësi me fjalët “Mjaft mirë”, ndërsa në Azi nuk mbaj mend që ndonjë nga profesorët e mi të ketë thënë: “Mirë, mjaft mirë”, ata thonin “Mirë, Hannah, puno shumë, ju mund të arrini edhe më lartë.”
Pra, siç edhe u pa, sistemi arsimor finlandez është i pafuqishëm të krahasohet me atë të Azisë Lindore, ngase ngecjet e finlandezëve nuk janë problem i vendeve aziatike. Në Kosovë pa dyshim se është harmonizuar sistemi arsimor finlandez dhe është marrë si shembull për aplikim në sistemin tonë arsimor, mirëpo harmonizimi nuk është i denjë, këtu duhet të hyjnë edhe mentaliteti i popullit dhe mundësitë e ndryshimit të tij!
Nëse mund të them, ndoshta do të duhej të punohej në ndryshimin e këtij sistemi dhe marrjen e sa më shumë mostrave të sistemit të arsimit të vendeve nga Azia Lindore si p.sh. Singapori, Japonia apo edhe Korea e Jugut! Kjo do të mund ta ndihmonte gjithsesi arsimin në Kosovë dhe pa dyshim se do ti përshtatej edhe mentalitetit tonë në përgjithësi.