Nga Sadiona Abazaj: Mos e kontrolloni mësuesin në klasë – po shkatërroni themelet e arsimit

- Advertisement5 -

Ka një keqkuptim të madh që po gërryen arsimin shqiptar prej vitesh: bindja se cilësia rritet përmes kontrollit. Nën petkun e kësaj ideje, klasa është shndërruar nga një hapësirë mësimi në një hapësirë dyshimi, ndërsa mësuesi nga profesionist në subjekt verifikimi.

- paragrafi 1 -

Por arsimi nuk përmirësohet duke hyrë në klasë për të kontrolluar; përmirësohet duke ndërtuar besim.

- Advertisement -

Momenti kur gjithçka e ndërtuar në klasë shkatërrohet

Ka një moment vendimtar në jetën e një klase. Nuk është mungesa e librave, as programet e ngarkuara, as teknologjia. Është momenti kur dera e klasës hapet dhe brenda hyn “kontrolli”.

Në atë çast ndodh diçka që nuk matet me raporte apo formularë: mësuesit i ulet autoriteti përpara nxënësve. Dhe ky është dëmi më i madh që mund t’i bësh një klase.

- Advertisement -

Pse ndodh kjo? Sepse nxënësit nuk e shohin kontrollin si proces profesional. Ata e përkthejnë thjesht:

“Mësuesi ynë po kontrollohet sepse nuk i besohet.”

Nga ajo sekondë e tutje, fjala e mësuesit nuk peshon më njësoj. Respekti fillon të zbehet, disiplina dobësohet dhe klima emocionale e klasës ndryshon. Dhe pastaj, me habi të madhe, pyesim pse shkolla “nuk po funksionon”.

Mësuesi nuk është problem për t’u zgjidhur

Mësuesi nuk është pengesë për reformën.

Mësuesi është themel i saj.

Futja në klasë për të kërkuar ditarë, për të vëzhguar orën mësimore apo për të gjykuar punën e mësuesit nga persona që shpesh nuk janë më kompetentë se ai në lëndën përkatëse, nuk është mbështetje pedagogjike, por është demonstrim pushteti.

Ky lloj kontrolli nuk ndërton cilësi, por ndërton frikë, konformizëm dhe formalizëm. Mësuesi fillon të japë mësim jo për nxënësin, por për syrin që e vëzhgon. Dhe pikërisht në këtë moment arsimi kthehet në shfaqje.

Fëmijët nuk mësojnë në ambiente frike

Fëmijët kanë nevojë për siguri emocionale që të mësojnë.

Një klasë e qetë, e relaksuar dhe produktive krijohet kur mësuesi ndihet i sigurt në rolin e tij dhe i respektuar nga institucioni.

Çdo ndërhyrje e panevojshme në klasë rrit tensionin, ul spontanitetin dhe shkatërron ritmin e mësimit.

Nxënësi nuk përfiton asgjë nga kjo. Përkundrazi, ai mëson se autoriteti i mësuesit është i përkohshëm dhe i kontrollueshëm, prandaj edhe i negociueshëm.

“Ne i kontrollojmë sepse niveli i studentëve të mësuesisë është i ulët”

Ky është një argument që dëgjohet shpesh. Po, shumë drejtues dhe institucione justifikojnë kontrollin e vazhdueshëm me faktin se studentët që hyjnë në programet e mësuesisë nuk janë më të mirët.

Nëse ky është problemi, atëherë zgjidhja nuk është kontrolli i mësuesit në klasë. Zgjidhja është ndryshimi i sistemit.

Nëse doni studentë të mirë në mësuesi atëhere rrisni rrogat e mësuesve në ndër më të lartat në shtet, garantoni status profesional dhe dinjitet, dhe krijoni perspektivë reale karriere.

Do të shihni shumë shpejt se studentët më të mirë do të zgjedhin programet e mësuesisë.

Por deri atëherë, nuk keni asnjë të drejtë morale apo profesionale të gjykoni dhe të nënvlerësoni mësuesit që keni aktualisht.

Ata kanë derdhur mund për t’u bërë mësues, kanë kaluar vite studimi dhe çdo ditë përpiqen të japin më të mirën në kushte që shpesh janë larg ideales.

Vlerësojeni mësuesin për sa kohë ai ka marrë atë titull. Deri në momentin që sistemi të prodhojë diçka më të mirë, ky është kapitali juaj njerëzor.

Ndikimi i uljes së figurës së mësuesit në sjelljen e fëmijëve

Ka një pasojë që shpesh anashkalohet kur flasim për kontrollin në klasë: ndikimi i drejtpërdrejtë në sjelljen e fëmijëve ndaj figurës së mësuesit.

Fëmijët ndërtojnë marrëdhënien e tyre me autoritetin përmes shembullit. Kur shohin që mësuesi i tyre vëzhgohet, kontrollohet apo korrigjohet publikisht, ata kuptojnë diçka shumë të qartë: autoriteti i mësuesit nuk është i plotë dhe nuk është i qëndrueshëm.

Nga ky moment, sjellja ndryshon gradualisht.

Disa nxënës bëhen më sfidues. Fillojnë të testojnë kufijtë, të mos zbatojnë rregullat me të njëjtin seriozitet dhe të vënë në dyshim udhëzimet e mësuesit. Jo sepse janë “problematikë”, por sepse kanë kuptuar se figura përballë tyre mund të vihet në dyshim.

Nxënës të tjerë reagojnë duke u tërhequr. Bëhen më pasivë, flasin më pak, marrin më pak iniciativa. Kur figura udhëheqëse humbet forcën, fëmija humbet orientimin. Dhe pa orientim, motivimi bie.

Ka edhe fëmijë që zhvillojnë pasiguri dhe ankth. Kur autoritetet ndryshojnë papritur dhe mësuesi nuk shihet më si pikë e qëndrueshme reference, klasa pushon së qeni një ambient i sigurt emocionalisht. Dhe pa siguri emocionale, mësimi nuk ndodh.

Më e rënda është se fëmija mëson një model të gabuar shoqëror: se respekti nuk buron nga profesionalizmi dhe përkushtimi, por nga pozicioni dhe mbikëqyrja. Ky është një mësim që nuk mbetet brenda klasës por ai e shoqëron fëmijën më vonë në marrëdhënien e tij me ligjin, institucionet dhe autoritetin në përgjithësi.

A duam vërtet fëmijë që mësojnë?

Nëse duam fëmijë të qetë, klasa funksionale, mësim kuptimplotë dhe mësues të motivuar

atëherë duhet të bëjmë një hap pas dhe të pyesim veten:

A po i ndihmojmë mësuesit apo po i minojmë?

Sepse çdo herë që futemi në klasë për të kontrolluar, ia kemi ulur vlerën mësuesit përpara fëmijëve. Dhe ky është një dëm që nuk riparohet me trajnime.

Çfarë bën ndryshe Finlanda?

Si drejtoreshë e një shkolle në Helsinki, unë nuk mundem dhe nuk guxoj të futem në klasë për të kontrolluar mësuesin tim.

Jo sepse nuk kam autoritet, por sepse është ofendim profesional.

Dhe fundja, kush jam unë?

A më bën pozicioni im më të ditur, më të mençur apo më kompetente se mësuesi që qëndron çdo ditë përballë nxënësve?

Jo. Absolutisht jo.

Në Finlandë, shoqëria dhe institucionet i besojnë ndërgjegjes profesionale të mësuesit. Drejtori nuk hyn në klasë për kontroll. Inspektimi nuk përdoret si presion.

Vlerësimi bëhet ndryshe: përmes dialogut profesional, reflektimit dhe zhvillimit të vazhdueshëm.

Kjo nuk është dobësi e sistemit. Është forca e tij.

Pse kontrolli nuk funksionon

Kontrolli i vazhdueshëm ul kreativitetin e mësuesit, rrit stresin profesional, prodhon bindje formale dhe largon mësuesit e mirë nga sistemi.

Një mësues i mirë nuk përmirësohet sepse dikush i kërkon ditarin apo i hyn ne klasë. Ai përmirësohet sepse ndihet i vlerësuar, i mbështetur dhe i respektuar si profesionist.

Pa këtë ndjenjë, arsimi mbetet vetëm në letër.

Kriza e vërtetë e arsimit është mungesa e besimit

Problemi më i madh i arsimit nuk është mungesa e reformave, por mungesa e besimit. Një sistem që nuk u beson mësuesve të vet është i destinuar të dështojë, sado ligje apo udhëzime të nxjerrë.

Shkolla nuk është kazermë.

Mësuesi nuk është i dyshuar.

Nxënësi nuk përfiton nga frika.

Mos hyni në klasë për të kontrolluar mësuesin.

Hyni për ta mbështetur, ose mos hyni fare.

Sepse në momentin që ia ulni prestigjin mësuesit përpara fëmijëve, ia keni ulur nivelin gjithë shkollës.

Arsimi nuk ndërtohet me frikë. Ndërtohet me besim, respekt dhe dinjitet profesional.

©Portali Shkollor