Nga Rrezarta Ibrahimaga Dushi: Mësimdhënia më shumë se një punë – është dhuratë dhe përgjegjësi

- Advertisement -

“Zemra që mëson dhe mëson çdo ditë”

- paragrafi 1 -

Ka profesione që i zgjedh, por ka edhe profesione që të zgjedhin. Unë besoj se mësuesia më zgjodhi mua.

- Advertisement -

Që fëmijë ndjeja se doja të isha pranë botës së vogël e të pastër të fëmijëve. Dashuria për dijen dhe dëshira për të ndihmuar të tjerët të rriten, më shtyu drejt këtij rrugëtimi që sot është bërë pjesë e shpirtit tim.

Të jesh mësuese në klasat 1–5 nuk është vetëm të mësosh fëmijët të lexojnë e të shkruajnë. Është të jesh pjesë e çdo hapi të tyre të parë drejt jetës. Është të jesh krahu i tyre i dytë, zëri i butë që i udhëzon, por edhe strehë ku ata ndihen të sigurt. Çdo ditë me ta është ndryshe plot zëra, pyetje, përqafime, dhe ndonjëherë edhe lot gëzimi.
Por rruga e mësuesit nuk është gjithmonë e lehtë. Ka ditë kur lodhja të rëndon, kur ndonjë padrejtësi të prek, ose kur njerëzit që i ke besuar të zhgënjejnë. Kam përjetuar momente kur përkushtimi im nuk është vlerësuar, kur sinqeriteti është keqkuptuar, dhe kur besimi është thyer.Në ato çaste ndihesh bosh, pyet veten pse, dhe mendon nëse ia vlen.

Por pastaj kujtoj arsyen pse fillova: nxënësit e mi.
Ata janë përgjigjja ime për çdo zhgënjim.

- Advertisement -

Kur një fëmijë më përqafon, kur më thotë “të dua mësuese”, apo kur i ndriçojnë sytë sepse kanë mësuar diçka të re atëherë çdo plagë shërohet. Dashuria e tyre është ilaçi më i fortë që njeh zemra ime.

Kam mësuar se mësimdhënia është më shumë se një punë: është dhuratë dhe përgjegjësi.
Kam mësuar të mos lejoj që zhgënjimi të më ndryshojë, por ta përdor si mësim për të qenë më e fortë, më e butë, më e vërtetë. Sepse fëmijët e mi meritojnë mësuese që ndriçon, edhe kur brenda ka pak mjegull.

Sot, pas gjithë këtyre përvojave, ndjej vetëm mirënjohje.

Mirënjohje për çdo fëmijë që më ka dhënë një arsye për të buzëqeshur.

Mirënjohje për çdo sfidë që më ka bërë më të qëndrueshme.

Mirënjohje për vetveten, që nuk u dorëzova, edhe kur u ndjeva e lënduar.

“Zemra e një mësueseje plagoset, por nuk dorëzohet kurrë.

Sepse dashuria për fëmijët është më e fortë se çdo zhgënjim.”

© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara