Një nga parimet më të rëndësishme të Kurrikulës së Kosovës është gjithëpërfshirja, mundësia që çdo nxënës, pa dallim prejardhjeje, gjinie, aftësie apo statusi social, të ndjehet i pranuar, i vlerësuar dhe të ketë mundësi reale për të mësuar e për t’u zhvilluar.
Si njohës i arsimit dhe si trajner i kurrikulës dhe i programeve të ndryshme për mësimdhënës, kam pasur mundësinë të bashkëpunoj me shumë shkolla e mësimdhënës nëpër komuna të ndryshme të vendit. Kjo përvojë më ka ndihmuar të kuptoj më thellë realitetin e zbatimit të këtij parimi në praktik.
Përderisa në shumë shkolla vërehen shembuj të shkëlqyer të përkushtimit dhe inovacionit për të krijuar mjedise gjithëpërfshirëse, në disa raste ende hasen sfida në zbatimin e plotë të këtij parimi. Një nga aspektet kyçe për ta bërë gjithëpërfshirjen reale është njohja e stileve të të nxënit të nxënësve.
Mësimdhënësit duhet të jenë të vetëdijshëm se çdo nxënës mëson në mënyra të ndryshme, disa më mirë përmes dëgjimit, të tjerë përmes shikimit apo përmes veprimit praktik.
Prandaj, është thelbësore që mësimdhënësit të planifikojnë mësimin duke marrë parasysh këto dallime dhe të përfshijnë të gjithë nxënësit në aktivitete të ndryshme mësimore që u përshtaten stileve të tyre të të nxënit.
Vetëm në këtë mënyrë, gjithëpërfshirja mund të kalojë nga koncepti teorik në praktik të përditshme, duke ndihmuar që çdo nxënës të ndjehet pjesë e procesit mësimor dhe të zhvillojë potencialin e tij në maksimum.
Autori është drejtor i shkollës “Bajram Curri”, Krushë e Madhe
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara