Në një nga ditët e punës kur qetësia kishte pllakosur shkollën dhe në të mund të dëgjoje vetëm kërcitjen e lapsave e shkumësit, gjatë pushimit të shkurtër, mësimdhënësja e njërës nga lëndët e shkencave të natyrës vije në zyre tërë emocion dhe më thotë: “Drejtor, a ka mundësi që një nxënëseje t’i ndihmoj unë financiarisht sepse jam prekur thellë kur dje e kam parë me këpucë të dëmtuara dhe të ngushta, saqë edhe këmbët i kishte të gjakosura”.
Po patjetër- i thashë, pasi e njihnim gjendjen e rëndë ekonomike të nxënëses në fjalë dhe vërtet ishte nga ato rastet që mishëronte thellë poezinë migjeniane. Mësimdhënësja, me modesti të madhe më kërkoi që shumën financiare qe e kishte futur në një zarf të ja dorëzoja unë nxënëses.
U mendova një hov dhe e kisha paksa të vështirë fillimisht sepse përballë do të kisha botën fëmijërore të një nxënëseje së cilës mund t’i shkonte në mendje çdo lloj gjykimi a përceptimi.
Pas një copë here e ftova në zyre nxënësen dhe ja dhashë tërë delikatesë zarfin, teksa po e informoja që një mësimdhënëse këto mjete i kishte dedikuar për të dhe familjen e saj (sepse nuk ishte shumë e vogël) dhe që nuk kishte nevojë të e njoftonte askënd nga shokët dhe shoqet e klasës por të ja dorëzonte familjes së saj.
Mund t’ia lexoje mirënjohjen që në vezullimin e syve teksa e merrte zarfin në dorë. U falenderua përzemërisht dhe ngadalë mbylli derën. Por mua atë ditë ajo zhurmë e qetë e derës që po mbyllej m’u duk si një rrapëllimë e madhe e cila më zgjoi nga njëmijë e një të vërteta njerëzore, e para nga të cilat ishte: sa të ketë njerëz që kanë të strehuar copëza mirësie brenda shpirtrave të tyre, bota nuk do të marrë fund, mirësia do ta mund ligësinë dhe lumturia do të trumfoj mbi sfidat e sfilitjet e njerëzve.
(Bazuar në ngjarje të vërtetë )
Rr. Bektashi
E. Limani