Në diskutimet për arsimin, përgjegjësia shpesh i atribuohet mësuesit. Kur nxënësit nuk arrijnë rezultatet e pritura, kur mungon disiplina apo kur zbehen vlerat, vëmendja drejtohet menjëherë te ai. Megjithatë, një pyetje thelbësore mbetet në hije:
a po i krijojmë mësuesit kushtet për të përmbushur detyrat që i kërkojmë?
Realiteti i përditshëm në klasë është më kompleks sesa perceptohet. Në të njëjtën hapësirë bashkëveprojnë nxënës me nevoja, ritme dhe sfida të ndryshme: ai që nuk ka mbështetje në shtëpi, ajo që kërkon më shumë sfidë, ai që heziton të shprehet nga frika e gabimit, ajo që nuk ka fjetur gjithë natën nga grindjet e prindërve, ai që mezi pret ti kontrollohen detyrat, ajo që pret mësusin te dera për shkak të bullizimit nga shokët, apo ai futet në klase me vonesë e nuk ka as libra as fletore. Mësuesi pritet t’u përgjigjet të gjithëve, njëkohësisht.
Përtej shpjegimit të përmbajtjes, ai menaxhon dinamikën e klasës, motivon, dëgjon dhe ndërton marrëdhënie. Në të njëjtën kohë, përballet me kërkesa të pa arsyeshme të prindërve, kërkesa të pa nevojshme administrative, presion për përfundimin e planit dhe shpesh me mungesë të kushteve bazë për punë efektive.
Megjithatë, pritjet ndaj tij mbeten të larta: të jetë i drejtë, i përkushtuar dhe gjithmonë i qëndrueshëm.
Në këtë kontekst, bëhet e domosdoshme të shtrohet një pyetje më konkrete:
cilat janë kushtet minimale që një mësues duhet të ketë për të ushtruar profesionin e tij me cilësi?
Një mjedis i sigurt dhe i shëndetshëm, një administratë të shkathtë dhe mbështetëse, mjete të mjaftueshme pune dhe qasje në burime bashkëkohore janë parakushte bazë. Po aq e rëndësishme është autonomia profesionale—mundësia për të vepruar me arsyeshmëri dhe duke përshtatur mësimdhënien sipas nevojave dhe mundësive reale të nxënësve.
Vlerësimi i punës së mësuesit duhet të jetë i drejtë dhe gjithëpërfshirës në bazë të meritave, jo i kufizuar vetëm nga një monitorim. Ndërkohë, paga duhet jetë e dinjitetëshme,të mbulojë kostot e jetës dhe të reflektojë jo vetëm orët e dukshme të punës, por edhe angazhimin e padukshëm që përfshin përgatitjen, vlerësimin, bisedat me prindër kohë e pa kohë, si dhe zhvillimin profesional.
Një tjetër element thelbësor është numri i nxënësve në klasë, i cili duhet të lejojë angazhim të vërtetë pedagogjik. Po ashtu, mësuesi ka nevojë për kohë dhe mbështetje për zhvillim të vazhdueshëm profesional.
Dhe në fund, ai ka nevojë për kohë—kohë për të menduar, për të reflektuar dhe për të planifikuar. Madje edhe për një hapësirë të tijën—një vend të qetë qoftë kabinet, kend apo dhomë ku idetë pedagogjike mund të zhvillohen dhe të marrin formë.
Në këtë pikë, lind natyrshëm pyetja:
sa nga këto kushte i gëzon realisht mësuesi në sistemin tonë arsimor?
Nëse përgjigjja është e pjesshme, atëherë kritika ndaj mësuesit mbetet e mangët. Sepse kërkesat e larta nuk mund të qëndrojnë pa mbështetje të mjaftueshme.
Në fund, çështja nuk është vetëm çfarë nuk po bëjnë mësuesit, por edhe çfarë nuk po bëjmë ne si shoqëri për ta mbështetur këtë profesion.
Sepse pa kohë dhe pa hapësirë për të menduar, mësuesi nuk zhvillohet—vetëm mbijeton profesionalisht.