Rënia e suksesit të nxënësve nga klasa V në klasën VI vazhdon të mbetet një nga temat më të diskutuara në shkollë. Zakonisht, debati përfundon në të njëjtën pikë: kërkimin e fajtorit.
Cikli klasor ankohet për presionin dhe ashpërsinë e mësimdhënësve lëndorë. Cikli lëndor kritikon mbivlerësimin e nxënësve dhe mungesën e kompetencave reale.
Prindërit fajësojnë shkollën, shkolla familjen.
Ndërkohë, nxënësi mbetet në mes të këtij tranzicioni.
Gjatë studimeve master në programin “Mësimdhënie dhe Kurrikulë”, në një debat në lëndën e vlerësimit, profesori shtroi pyetjen:
“Pse shumë nxënës në klasën VI ndihen në presion dhe bien në sukses?”
Diskutimi nxori pikërisht këtë ndarje.
Mësimdhënësit e ciklit të ulët argumentonin se afërsia emocionale me fëmijët, koha e gjatë e kaluar me ta dhe njohja më e mirë e nevojave të tyre krijonin një mjedis më të përshtatshëm për zhvillimin e nxënësit.
Ndërsa mësimdhënësit e ciklit lëndor ngritën shqetësime për:
mbivlerësimin e nxënësve;
mungesën e kompetencave bazë;
hendekun ndërmjet notës dhe performancës reale.
Disa kolegë nga arsimi i mesëm i lartë thanë se problematika vazhdon edhe më tej, ku shpesh hasen nxënës me mangësi serioze në lexim, shkrim dhe llogaritje bazike.
Debati vazhdoi gjatë, derisa profesori pyeti:
“Kush është fajtori?”
Përgjigjja ime ishte:
“Fajtori jam unë, je ti profesor, dhe pastaj të gjithë të tjerët.”
Natyrisht, kjo përgjigje shkaktoi habi. Por ideja nuk ishte të shpërndahej faji. Përkundrazi.
Në arsimin e mirëfilltë, faji ndahet; përgjegjësia ndërtohet.
Problemet në shkollë rrallë janë produkt i një individi apo i një cikli të vetëm. Ato ndërtohen gradualisht nga kultura profesionale që krijojmë së bashku, nga mungesa e bashkëpunimit dhe nga heshtjet që normalizojmë për vite me radhë.
Një mësuese e mirë e klasës së pestë nuk përgatit vetëm nxënës për notë; ajo përgatit fëmijë për sfidat që i presin. Ajo i njeh nxënësit e saj, dokumenton zhvillimin e tyre dhe bashkëpunon me kujdestarin e ardhshëm për ta bërë kalimin nga klasa V në VI sa më të natyrshëm.
Po aq i rëndësishëm është edhe roli i mësimdhënësit të klasës VI. Ai nuk duhet të presë vetëm rezultate, por të ndërtojë ura komunikimi me nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit paraprakë. Të njihet më herët me ta.
Tranzicioni nga klasa V në VI, madje as ai në shkollë të mesme të lartë nuk është vetëm akademik. Ai është edhe emocional, social dhe psikologjik.
Problemi fillon atëherë kur secili nivel i arsimit e sheh veten të ndarë nga tjetri.
Siç argumenton Michael Fullan, shkollat efektive ndërtohen mbi bashkëpunim profesional dhe përgjegjësi kolektive, jo mbi izolim dhe kulturë faji.
Për këtë arsye, pyetja më e rëndësishme nuk duhet të jetë:
“Kush e ka fajin?”
Por:
“Çfarë duhet të ndryshojmë së bashku?”
Për sa kohë arsimi do të vazhdojë të kërkojë fajtorë më shumë sesa zgjidhje, problemet do të vazhdojnë të riciklohen nga një nivel në tjetrin.
Sepse në arsim të mirëfilltë, faji ndahet; përgjegjësia ndërtohet.