Nga Rexhep Veliu: Kur “pesëshet” bëhen problem për nxënësit

- Advertisement5 -

Çfarë po na tregon rënia e suksesit të nxënësve nga klasa V në VI?

- paragrafi 1 -

Çdo vit, në shumë shkolla përsëritet e njëjta skenë: nxënës që deri dje konsideroheshin ndër më të suksesshmit, në klasën VI përballen papritur me rënie të ndjeshme të rezultateve. Prindërit shqetësohen. Nxënësit humbin vetëbesimin. Ndërsa në korridoret e shkollës fillojnë pyetjet:

- Advertisement - M1

“Çfarë ndodhi?”

“Pse ndryshoi fëmija?”

“A janë bërë më të ashpër mësuesit?”

- Advertisement - m2

Por ndoshta pyetja e vërtetë duhet të jetë tjetër:

A ishte real suksesi i mëparshëm?

Nëse e shohim problemin përtej emocioneve të momentit, kuptohet se rënia e suksesit në klasën VI nuk lind papritur. Ajo është rezultat i një kulture të ndërtuar gradualisht për vite me radhë — një kulture ku nota, në shumë raste, pushon së qeni tregues i dijes dhe shndërrohet në instrument kënaqësie, qetësimi apo prestigji profesional.

Kultura e suksesit artificial

Një nga plagët më të heshtura të arsimit është fryrja e suksesit. Në emër të “motivimit”, “ruajtjes së emocioneve të fëmijës” apo edhe të kënaqjes së prindërve, krijohen nota që nuk pasqyrojnë nivelin real të nxënësit.

Fenomeni bëhet edhe më problematik kur vetë sistemi fillon ta shpërblejë këtë qasje. Mësuesi me shumë “pesëshe” perceptohet si më i suksesshëm, ndërsa standardi real i vlerësimit shihet si problematik apo “i ashpër”.

Kështu ndërtohet një realitet artificial ku:

nxënësi beson se zotëron kompetenca që ende nuk i ka zhvilluar;

prindi krijon pritshmëri jo reale;

ndërsa shkolla prodhon statistika të bukura, por jo domosdoshmërisht zhvillim real.

Dhe kur ky iluzion përballet me kërkesa më objektive në klasën VI, kriza bëhet e pashmangshme.

Empatia që dëmton

Një nga aspektet më delikate të këtij fenomeni është përdorimi i gabuar i empatisë.

“Gjynah, po qan.”

“Nuk po fle.”

“Mos ia prishim pesëshet.”

Këto fjali, të thëna shpesh me qëllim të mirë, fshehin një problem të madh pedagogjik: shmangien e së vërtetës për hir të rehatisë emocionale.

Fëmija nuk dëmtohet nga një notë reale. Ai dëmtohet kur ndërton vetëbesim mbi një pasqyrë jo reale të aftësive të veta.

Sepse shkolla nuk duhet ta mbrojë nxënësin nga çdo zhgënjim; ajo duhet ta përgatisë për jetën, ku jo çdo përpjekje shpërblehet automatikisht.

Heshtja institucionale

Po aq shqetësuese mbetet mungesa e reagimit institucional.

Në shumë shkolla mungon:

monitorimi serioz i përputhjes ndërmjet notës dhe kompetencës reale;
analiza profesionale e rezultateve;
bashkëpunimi ndërmjet mësimdhënësve dhe strukturave mbështetëse;
reflektimi kritik mbi kulturën e vlerësimit.
Aktivet profesionale shpesh mbesin formale. Psikologu, pedagogu apo koordinatori i cilësisë reduktohen në role administrative. Ndërkohë, problemi vazhdon të rritet në heshtje.

Në këtë mënyrë, deformimi gradual i vlerësimit fillon të perceptohet si normalitet.

Një tranzicion pa vazhdimësi

Kalimi nga klasa V në VI është një ndër momentet më të rëndësishme të jetës shkollore të fëmijës. Megjithatë, shpesh ai ndodh pa komunikim real profesional ndërmjet mësuesit klasor dhe kujdestarit të ardhshëm.

Nuk barten:

vështirësitë reale të nxënësit;

mënyra e të nxënit;

talentet;

problemet emocionale;

ritmi i zhvillimit;

aspektet sociale.

Në mungesë të kësaj vazhdimësie, nxënësi kalon në një realitet të ri shkollor pa mbështetje të mjaftueshme pedagogjike.

Dhe kur për vite me radhë ai ka funksionuar brenda një zone komoditeti metodologjik dhe emocional, përballja me standarde të reja bëhet shumë më e vështirë.

Kur shkolla fillon të vlerësojë familjen

Një problem tjetër, për të cilin flitet pak, është kultura e detyrave të tepërta dhe jo funksionale.

Në shumë raste, detyrat nuk kryhen nga nxënësi, por nga prindi apo persona të tjerë. Kështu krijohet një tjetër iluzion akademik: shkolla fillon të vlerësojë nivelin e ndihmës familjare dhe jo kompetencën reale të fëmijës.

Pasojat bëhen të dukshme pikërisht atëherë kur nxënësi duhet të përballet i vetëm me sfidat akademike.

Problemi nuk është nota e ulët

Arsimi nuk ka nevojë për sukses artificial. Ka nevojë për ndershmëri pedagogjike.

Një shkollë serioze nuk matet nga numri i “pesësheve”, por nga aftësia për të ndërtuar zhvillim real, të qëndrueshëm dhe autentik.

Sepse ndonjëherë, nota më e rrezikshme nuk është nota e ulët.

Por ajo që nuk e meriton nxënësi — dhe megjithatë e merr.

Shqip | English