Nga Rexhep Veliu: Arsimi ndërmjet ndryshimit, përgjegjësisë dhe humanizmit

- Advertisement5 -

Gjatë viteve në arsim kam kuptuar se ndryshimi më i madh në shkollë nuk ndodh vetëm në kurrikula, metoda apo teknologji. Ndryshimi më i vështirë dhe më i rëndësishëm ndodh te njeriu.

- paragrafi 1 -

Kam parë nxënës që dinin shumë, por nuk dinin të bashkëpunonin. Kam parë të tjerë që nuk shkëlqenin në nota, por kishin ndjeshmëri, karakter dhe forcë për ta mbajtur një shok pranë vetes. Kam parë mësimdhënës që zotëronin dije të mëdha, por edhe të tillë që arrinin të ndryshonin jetën e një fëmije vetëm përmes mënyrës si e dëgjonin dhe e trajtonin atë.

- Advertisement - M1

Pikërisht për këtë arsye, me kalimin e kohës kam filluar ta shoh arsimin jo vetëm si proces të transmetimit të dijes, por si përpjekje për të kuptuar njeriun dhe jetën.

Në këtë kontekst, qasja e UNESCO mbi Katër shtyllat e arsimit -Të mësosh për të ditur, Të mësosh për të bërë, Të mësosh të egzistosh dhe Të mësosh për të jetuar së bashku – më erdhi si një nga mënyrat më njerëzore për ta kuptuar misionin real të shkollës moderne.

Puna në arsim, deri vonë, konsiderohej ndër profesionet më të respektuara dhe më të qëndrueshme në shoqëri. Sot, megjithatë, ajo po bëhet gjithnjë e më shumë një nga profesionet më sfiduese. Jo sepse ka humbur rëndësinë e saj, por sepse bota, nxënësi, familja dhe vetë shoqëria po ndryshojnë me një ritëm shumë më të shpejtë sesa aftësia jonë për t’u përshtatur me to.

- Advertisement - m2

Në emër të ecjes me kohën, shpesh krijojmë mbingarkesë, paqartësi dhe zbrazëti të reja. Dëshira për të arritur gjithçka prodhon vështirësi në ruajtjen e ekuilibrit ndërmjet asaj që kërkohet dhe asaj që realisht mund të përballohet. Prandaj, herë pas here, duket sikur arsimi gjendet përballë një dileme të heshtur: ose duhet të zvogëlojmë kërkesat, ose të rrisim mundësitë.

Në çdo reflektim, shqetësim apo qëndrim publik timin për arsimin, asgjë nuk kam vendosur mbi interesin e fëmijëve dhe nxënësve. Këtë nuk e them vetëm si bindje profesionale, por si diçka që ma thotë mendja, ma ndien shpirti dhe ma kërkon zemra.

Gjithmonë jam ndier keq kur kam parë se dikush, përpara besnikërisë ndaj nxënësit, zgjedh rehati personale, heshtje apo shmangie të përgjegjësisë. Për mua, arsimi nuk ka qenë kurrë vend rehatie apo formaliteti, por obligim moral dhe njerëzor.

Kam pasur fatin të rritem, të jetoj dhe të punoj pranë njerëzve të jashtëzakonshëm -shkrimtarësh, mësimdhënësish, intelektualësh dhe miqsh – nga të cilët kam mësuar jo vetëm dije, por edhe dinjitet, guxim, frymëzim dhe respekt për njeriun.

Një nga thëniet që më ka shoqëruar vazhdimisht është ajo e Albert Einstein:

“Vlera e njeriut duhet të shihet në atë që jep dhe jo në atë që merr.”

Ndoshta pikërisht për këtë arsye jam përpjekur gjithmonë të jap më shumë sesa të marr dhe ta mbroj realitetin ashtu siç e kam parë dhe përjetuar, edhe kur kjo nuk ka qenë rruga më e lehtë.

Kam lexuar diku se:

“Mirësia është gjuha që i shurdhëri e dëgjon dhe i verbëri e sheh.”

Jam përpjekur ta flas këtë gjuhë dhe, aq sa kam mundur, ta përcjell edhe te nxënësit dhe njerëzit me të cilët kam punuar. Ndoshta jo gjithmonë me sukses, por gjithmonë me bindje të sinqertë.

Me kalimin e viteve kam kuptuar se nuk ekziston mësimdhënës i përkryer, kurrikulë e përkryer apo orë mësimi e përkryer. Të gjithë jemi në proces të vazhdueshëm zhvillimi, reflektimi dhe përmirësimi. Për këtë arsye, asnjëherë nuk kam synuar përsosmërinë dhe as garën me të tjerët. Garën më të vështirë dhe më të ndershme e kam pasur gjithmonë me vetveten.

Sot, më shumë se kurrë, besoj se arsimi nuk duhet të kufizohet vetëm në transmetimin e njohurive, por në formimin e njerëzve që dinë:

të mendojnë;
të ndiejnë;
të bashkëpunojnë;
dhe të mbrojnë atë që është e drejtë.

Sepse, në fund të fundit:

“Nëse arsimi nuk të mëson t’i rezistosh padrejtësisë dhe të përballesh me ndryshimet e kohës, atëherë ka dështuar.”

Shqip | English