Një plan mësimor mund të shkruhet me kujdes, të jetë i rregullt dhe i strukturuar mire në aspektin metodik dhe atë pedagogjik, e megjithatë, në fund të orës, nxënësit të mos kenë arritur rezultatet e synuara. Kjo është një e vërtetë e pakëndshme që shpesh anashkalohet dhe fshihet në praktikën shkollore.
Në shumë raste, është krijuar një kulturë ku dokumentacioni merr më shumë vëmendje sesa vetë mësimdhënia dhe të nxënit. Mësimdhënësi në planin mësimor me shkrim harton objektivat, përshkruan aktivitetet, përzgjedh metodat, liston burimet, plotëson rubrikën e vlerësimit dhe gjithçka, në letër, duket në rregull. Pastaj zhvillohet ora mësimore.
Por pyetja thelbësore mbetet:
A e kuptuan nxënësit mësimin?
A u angazhuan në mënyrë aktive? A patën kohë të mjaftueshme për të ushtruar? A arriti mësimdhënësi të dallojë kush e kishte kuptuar, kush kishte nevojë për mbështetje dhe kush vazhdonte të ishte i pasigurt? A i sfidoi nxënësit të mendonin, të argumentonin, të bashkëpunonin, të ngrinin pyetje dhe të reflektonin, apo vetëm të jepnin përgjigje? A e zbuloi vlerësimi të nxënit apo vetëm prodhoi nota?
Pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet përputhshmërisë së dokumentacionit dhe efektivitetit të vërtetë të mësimdhënies.
Dokumentacioni pyet:
“A është plani i plotësuar sipas kërkesave?”
Mësimdhënia efektive pyet:
“Çfarë ndryshoi te nxënësi pas kësaj ore?”
A kupton më mirë? A mendon më thellë? A di të zbatojë njohuritë në situata të reja? A argumenton me më shumë siguri? A bashkëpunon më mirë me të tjerët? A është bërë më i pavarur në të nxënë?
Një plan mësimor është një instrument profesional i planifikimit. Ai ofron drejtim, strukturë dhe qartësi. Është skeleti mbi të cilin ndërtohet ora mësimore. Por, ashtu si skeleti nuk përbën vetë jetën, as plani nuk përbën vetë mësimdhënien.
Mësimdhënia është një proces dinamik që zhvillohet bashkë me mësimdhënësin dhe nxënësit e caktuar që posedojnë; dije, interesa, nevoja, dhunti dhe përvoja të ndryshme mbrenda një klase. Gjatë orës, mësimdhënësi sqaron, vëzhgon, dëgjon, analizon dhe merr vendime të vazhdueshme. Kur evidencat tregojnë se nxënësit nuk po arrijnë rezultatet e synuara, mësuesi profesionist nuk mbetet rob i planit. Ai e përshtat atë. Ndryshon ritmin, shton aktivitete, krijon situata të reja të të nxënit, lidh përmbajtjen me përvojat jetësore të nxënësve, përdor strategji të ndryshme dhe nxit zhvillimin e metakognicionit. Pikërisht këtu shfaqen kompetenca, kreativiteti dhe autonomia profesionale e mësuesit.
Prandaj, ndryshimi i planit gjatë orës nuk është shenjë e mungesës së përgatitjes. Përkundrazi, është dëshmi e profesionalizmit pedagogjik.
Në fund të orës, pyetjet më të rëndësishme nuk janë: “A u realizua çdo aktivitet sipas planit?” apo “A u trajtua e gjithë përmbajtja?” Pyetjet që duhet t’i bëjë vetes çdo mësues janë: Çfarë funksionoi? Kush pati vështirësi? Çfarë duhet të rimësohet? Çfarë duhet të ndryshoj herën tjetër?
Kjo është arsyeja pse udhëheqësit e shkollave dhe vlerësuesit nuk duhet ta konsiderojnë planin mësimor si provën kryesore të efektivitetit të një mësimdhënësi. Plani është dëshmi se mësimdhënësi është përgatitur. Vetëm evidencat e të nxënit janë ato që dëshmojnë se mësimdhënia ka qenë efektive.
Shkollat më të mira nuk janë ato që kanë dosjet më të plota apo planet më të bukura. Janë ato ku planifikimi përkthehet në të nxënë, ku autonomia profesionale përdoret me përgjegjësi, ku reflektimi është pjesë e kulturës së punës dhe ku çdo vendim pedagogjik merret në funksion të zhvillimit të nxënësit.
Sepse, në fund të fundit, arsimi nuk matet me cilësinë e dokumenteve që prodhon, por me ndryshimin që arrin të krijojë te njeriu.