Nga Refki Demaj: Roli i shkollës në ruajtjen e identitetit dhe kohezionit shoqëror në Kosovë (1990–1999)

- Advertisement5 -

Shkatërrimi i sistemit institucional të arsimit në gjuhën shqipe në Kosovë gjatë viteve 1990–1999 përbënte një formë të dhunës strukturore dhe përjashtimit institucional.

- paragrafi 1 -

Përjashtimi i nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve nga institucionet publike synonte jo vetëm ndërprerjen e procesit arsimor, por edhe dobësimin e identitetit kolektiv shqiptar dhe çorganizimin e rendit shoqëror. Në këtë kontekst, rrezikohej krijimi i një gjendjeje anomie shoqërore, ku normat dhe lidhjet kolektive do të shpërbëheshin gradualisht.

- Advertisement - M1

Përballë kësaj gjendjeje, arsimi paralel në Kosovë funksionoi si mekanizëm alternativ për ruajtjen e rendit normativ dhe të kohezionit shoqëror. Ai pengoi fragmentimin e komunitetit dhe mbajti gjallë ndjenjën e përkatësisë kolektive. Në këtë mënyrë, arsimi paralel u shndërrua në një formë rezistence paqësore, ku ruajtja e kapitalit kulturor dhe kombëtar përfaqësonte një akt politik, shoqëror dhe moral.

Veprimtaria e mësuesve gjatë kësaj periudhe nuk mund të reduktohet vetëm në racionalitet instrumental. Mësimdhënia ishte kryesisht një veprim i orientuar nga vlerat morale dhe profesionale, i mbështetur në përgjegjësinë ndaj komunitetit dhe përkushtimin ndaj ruajtjes së arsimit shqip. Në kushtet e represionit politik, shkolla u bë hapësirë autonome e veprimit shoqëror dhe simbol i ruajtjes së identitetit kombëtar.

Arsimi paralel në Kosovë përfaqëson një rast të rëndësishëm studimor sociologjik, pasi dëshmon se arsimi, në kushte shtypjeje dhe diskriminimi institucional, shndërrohet nga një institucion social në mjet themelor të rezistencës dhe mbrojtjes së identitetit kolektiv.

- Advertisement - m2

Kjo periudhë shoqërohej edhe me një idealizëm të fortë shoqëror dhe politik. Ekzistonte bindja se do të ndërtohej një shtet demokratik, me institucione funksionale, të ndershme dhe meritokratike, në shërbim të qytetarëve. Konceptet si shteti, republika dhe demokracia përjetoheshin si vlera themelore kombëtare, për të cilat ishte sakrifikuar shumë.

Megjithatë, pas vitit 1999, pritjet për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe meritokratike shpesh u përballën me fenomene negative të tranzicionit, si korrupsioni, nepotizmi, abuzimi institucional dhe rënia e standardeve profesionale. Në shumë raste u krijua një mospërputhje midis idealeve të periudhës së rezistencës dhe realitetit të pasluftës. Kjo gjendje ndikoi në dobësimin e besimit qytetar ndaj institucioneve dhe në relativizimin e vlerave morale e profesionale.

Në përfundim, përvoja e arsimit paralel në Kosovë mbetet dëshmi e rëndësishme historike dhe sociologjike mbi rolin e shkollës në ruajtjen e identitetit kombëtar, kohezionit shoqëror dhe rezistencës qytetare. Ajo tregon se arsimi, përtej funksionit të tij pedagogjik, mund të shndërrohet në institucion kyç të mbijetesës kulturore dhe morale të një shoqërie.

Shqip | English