Nga Refki Demaj: Rishikimi i kurrikulës: reformë substanciale apo ndërhyrje kozmetike?

- Advertisement5 -

Rishikimi i kurrikulës arsimore përbën një nga proceset më të rëndësishme të politikëbërjes arsimore, pasi ai përcakton drejtimin afatgjatë të zhvillimit të sistemit arsimor dhe ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e mësimdhënies dhe nxënies.

- paragrafi 1 -

Në kontekstin e Kosovës, ky proces merr rëndësi të veçantë për shkak të sfidave strukturore dhe funksionale me të cilat vazhdon të përballet arsimi parauniversitar.

- Advertisement - M1

Në këtë kuadër, shtrohet pyetja themelore nëse rishikimi aktual i kurrikulës po bazohet në analiza empirike të realitetit shkollor apo po reduktohet në një proces formal të rishkrimit të dokumenteve strategjike.

Zbatimi i kurrikulës në Kosovë gjatë viteve të fundit ka evidentuar një sërë vështirësish sistemike.

Mungesa e trajnimeve të vazhdueshme dhe të qëndrueshme profesionale për mësimdhënësit, tekstet shkollore të papërshtatshme ose të paunifikuara me kornizën kurrikulare, ngarkesa administrative e tepruar, numri i madh i nxënësve për klasë si dhe mungesa e mjeteve didaktike kanë krijuar një mospërputhje të theksuar ndërmjet objektivave të shpallura të kurrikulës dhe praktikës reale në shkolla.

- Advertisement - m2

Në këto rrethana, pretendimi për një kurrikulë moderne dhe të bazuar në kompetenca mbetet kryesisht deklarativ.

Një rishikim kurrikular që nuk mbështetet në analiza të mirëfillta të këtyre problematikave rrezikon të mbetet një ndërhyrje sipërfaqësore, pa ndikim real në përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Ndryshimet terminologjike ose strukturore në dokumente nuk mund të zëvendësojnë nevojën për përmirësimin e kushteve konkrete të mësimdhënies dhe nxënies. Për rrjedhojë, çdo reformë kurrikulare duhet të shoqërohet me masa mbështetëse institucionale dhe burimore, në mënyrë që të jetë e zbatueshme dhe e qëndrueshme.

Në këtë proces, roli i mësimdhënësve dhe nxënësve është thelbësor. Si aktorë kryesorë të zbatimit të kurrikulës, ata posedojnë njohuri të drejtpërdrejta mbi efektet reale të saj në praktikë.

Mospërfshirja e tyre sistematike në procesin e rishikimit dhe vendimmarrjes jo vetëm që cenon parimin e gjithëpërfshirjes, por rrit edhe rrezikun që vendimet e marra të jenë të shkëputura nga realiteti shkollor dhe, rrjedhimisht, të pazbatueshme.

Një reformë kurrikulare me ndikim afatgjatë kërkon kohë, planifikim strategjik dhe faza të qarta zbatimi.

Rishikimi i përmbajtjes kurrikulare, pilotimi në institucione arsimore të përzgjedhura, zhvillimi profesional i mësimdhënësve dhe hartimi i teksteve të reja shkollore janë procese që kërkojnë një afat minimal prej tre deri në katër vitesh. Përshpejtimi artificial i këtij cikli reformues zakonisht rezulton në pasiguri institucionale, mbingarkesë profesionale dhe ulje të cilësisë së zbatimit.

Në diskursin publik shpesh hasen krahasime me modelet kurrikulare të vendeve të zhvilluara, si Holanda, Finlanda, Suedia.

Megjithatë, këto krahasime duhet të trajtohen me kujdes analitik. Sisteme të tilla arsimore mbështeten jo vetëm në kurrikula të avancuara, por edhe në infrastrukturë funksionale, autonomi profesionale, kultura të konsoliduara vlerësimi dhe stabilitet institucional.

Pa këto parakushte, transferimi i modeleve të huaja rrezikon të mbetet një adoptim formal, pa ndikim të qëndrueshëm në zhvillimin e sistemit arsimor vendor.

Në përfundim, rishikimi i kurrikulës në Kosovë duhet të konceptohet si një proces gjithëpërfshirës, i bazuar në dëshmi empirike nga terreni dhe i ndërtuar mbi kapacitetet reale të sistemit arsimor.

Vetëm një qasje e tillë mund të sigurojë reformë substanciale dhe të qëndrueshme, duke shmangur ndryshimet kozmetike që dështojnë në fazën e zbatimit. Reformimi i arsimit kërkon përgjegjësi institucionale, vizion afatgjatë dhe angazhim të mirëfilltë profesional.