Nga Refki Demaj: Ndikimi i politikës në shkollat e Kosovës – një Analizë Sociologjike

- Advertisement5 -

Arsimi parauniversitar përbën një nga institucionet themelore të shoqërisë, me rol kyç në formësimin e kapitalit njerëzor, social dhe kulturor.

- paragrafi 1 -

Në shoqëritë në tranzicion, si Kosova, sistemi arsimor është shpesh subjekt i ndikimeve politike, të cilat e cenojnë autonominë institucionale dhe funksionin emancipues të shkollës. Ky punim synon të analizojë, nga perspektiva sociologjike, procesin e politizimit të shkollave të Kosovës dhe pasojat e tij në cilësinë e arsimit, moralin profesional dhe meritokracinë.

- Advertisement -

Që nga vitet ’90 të periudhës së paraluftës, përzgjedhja e personelit në arsimin parauniversitar ka qenë e karakterizuar nga mungesa e standardeve të qarta profesionale. Në kushtet e represionit institucional, arsimi paralel u mbajt gjallë nga mësues me ideale, vetëdije kombëtare dhe përgjegjësi morale të lartë. Megjithatë, paralelisht u përfshinë edhe individë që arsimin e panë si alternativë të fundit profesionale, pa përgatitje adekuate pedagogjike apo motivim profesional.

Pas luftës, në vend se të ndërtohej një sistem i bazuar në meritë dhe profesionalizëm, u krijuan rrethana që favorizuan diplomimin formal pa cilësi reale dhe dobësimin e kritereve të punësimit. Kjo periudhë shënon fillimin e një transformimi negativ të strukturës profesionale në shkolla.

Në këtë drejtim politizimi i shkollës si mekanizëm pushteti

- Advertisement -

U bë faktori kryesor i zhvillimit në shkollat e Kosovës.

Në periudhën pasluftës, shkolla u shndërrua gradualisht në një hapësirë të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë politike. Ndryshimet e pushtetit në nivel komunal u shoqëruan pothuajse rregullisht me ndërrimin e drejtorëve të shkollave, duke i zëvendësuar ata me individë të afërt me strukturat partiake. Ky veprim krijoi një zinxhir varësie politike, ku drejtori, si figurë menaxheriale, shërbente si ndërmjetës mes partisë dhe kolektivit arsimor.

Në këtë kontekst, punësimet dhe avancimet profesionale u orientuan gjithnjë e më shumë nga përkatësia politike dhe lojaliteti partiak, duke e zhvendosur kriterin e meritës. Nga këndvështrimi sociologjik, ky proces mund të interpretohet si instrumentalizim i institucionit arsimor për qëllime të riprodhimit të pushtetit politik.

Kjo gjendje ka edhe pasojat sociale dhe arsimore.

Politizimi i shkollës ka prodhuar pasoja të thella strukturore dhe kulturore. Së pari, është dëmtuar rëndë parimi i meritokracisë, duke krijuar demotivim te mësimdhënësit profesionalë dhe rënie të etikës së punës. Së dyti, shkolla ka humbur funksionin e saj si institucion i dijes dhe është shndërruar në një hapësirë formale, ku procesi mësimor shpesh reduktohet në ritual administrativ.

Në këtë realitet, nxënësit simulojnë të nxënit, mësuesit simulojnë punën, ndërsa prindërit dhe strukturat politike simulojnë besimin. Rezultatet e dobëta në vlerësimet ndërkombëtare përbëjnë indikator empirik të drejtpërdrejtë të kësaj krize sistemike.

Si përfundim mund të themi se:

Nga perspektiva sociologjike, politizimi i arsimit parauniversitar në Kosovë përfaqëson një devijim serioz nga misioni shoqëror i shkollës. Humbja e autonomisë institucionale ka çuar në degradimin e cilësisë së arsimit dhe në dobësimin e besimit shoqëror ndaj sistemit arsimor. Pa depolitizimin e shkollës dhe rivendosjen e parimit të meritokracisë, arsimi nuk mund të përmbushë rolin e tij si faktor zhvillimi shoqëror dhe demokratik. /AlbanianEducation.net/.