Analiza sociologjike e arsimit paralel në Kosovë gjatë viteve 1990–1999 tregon se ky sistem funksionoi si mekanizëm kyç për ruajtjen e identitetit dhe solidaritetit shoqëror në kushte represive. Arsimtarët u shndërruan në bartës të kapitalit kulturor dhe simbolik (Bourdieu, 1986) dhe u bëjnë figura me autoritet moral dhe karizmatik (Weber, 1978), duke transformuar hapësirat private në institucione arsimore të funksionalizuara dhe të besueshme.
Nga perspektiva funksionaliste, arsimi paralel realizoi funksionin integrues të shkollës, duke forcuar solidaritetin moral dhe kohezionin shoqëror, sipas Durkheim (1912) dhe Parsons (1959). Mbështetja komunitare dhe rrjetet e bashkëpunimit që shoqëruan këtë sistem ilustrojnë rëndësinë e kapitalit social (Putnam, 2000) për ruajtjen e stabilitetit shoqëror.
Pedagogjia kritike e Freire-s (1970) e evidenton arsimin paralel si një proces emancipues, ku nxënësit fituan vetëdije kritike dhe aftësi për të sfiduar padrejtësinë, ndërsa teoria e strukturimit e Giddens-it (1984) tregon ndërveprimin ndërmjet agjencisë së mësuesve dhe strukturave shoqërore, duke krijuar praktikë dhe rend alternativ.
Sipas Habermas-it (1989), arsimi paralel krijoi një sferë publike autonome, ku komuniteti riprodhoi identitetin dhe komunikimin racional, duke kundërshtuar kolonizimin politik. Ky proces tregon se arsimi nuk ishte vetëm mjet mësimor, por instrument i riprodhimit të identitetit dhe i rezistencës shoqërore.
Në përfundim, arsimi paralel dhe roli i arsimtarëve të viteve ’90 përfaqësojnë një model paradigmatik të arsimit si instrument rezistence, emancipimi dhe riprodhimi identitar, duke ilustruar në praktikë parimet e teorive sociologjike klasike dhe bashkëkohore.
Autori është sociolog
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara