Kriza e Cilësisë në Sistemin Arsimor të Kosovës: Një Analizë Sociologjike e Përgjegjësisë Institucionale dhe Formimit të Kapitalit Njerëzor
Arsimi nuk është vetëm një proces i transmetimit të njohurive, por një mekanizëm themelor i socializimit, formimit të kapitalit njerëzor dhe riprodhimit të vlerave mbi të cilat ndërtohet një shoqëri. Cilësia e sistemit arsimor përcakton jo vetëm nivelin e kompetencave profesionale të individit, por edhe kapacitetin zhvillimor, ekonomik dhe demokratik të një shteti.
Në këtë kontekst, lind një pyetje thelbësore: A ndodhet sistemi arsimor në Kosovë në një gjendje alarmi?
Kur një i ri, pas nëntë vitesh arsim fillor dhe tri vitesh arsim të mesëm, nuk zotëron tabelën e shumëzimit ose nuk është në gjendje të llogarisë një llogaritje të thjeshtë , problemi nuk mund të reduktohet në përgjegjësinë individuale të nxënësit. Nga një këndvështrim sociologjik, ky është një indikator i dobësimit të funksioneve themelore të institucioneve të socializimit, veçanërisht të shkollës si institucion që prodhon kompetenca, norma dhe përgjegjësi qytetare.
Sociologjia e arsimit argumenton se dështimi i sistemit nuk manifestohet vetëm në rezultatet e testimeve, por edhe në pamundësinë për të zhvilluar aftësi bazë funksionale, të cilat janë të domosdoshme për pjesëmarrje aktive në jetën ekonomike dhe shoqërore. Një sistem që certifikon dijen pa e garantuar atë, krijon një hendek midis diplomës dhe kompetencës, duke prodhuar pasoja afatgjata për tregun e punës, administratën publike dhe zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë.
Në çdo profesion mungesa e kompetencës ka pasoja. Një mjek i papërgatitur mund të rrezikojë jetën e pacientit. Një menaxher i papërgatitur mund të dëmtojë një organizatë ose të falimentojë një biznes. Megjithatë, ndikimi i një mësuesi, arsimtari ose profesori të papërgjegjshëm është edhe më i gjerë, sepse ai ndikon në formimin e dhjetëra apo qindra individëve gjatë karrierës së tij. Në aspektin sociologjik, kjo nënkupton se dobësia e një aktori institucional mund të prodhojë pasoja shumëbrezore.
Për këtë arsye, përgjegjësia profesionale në arsim nuk duhet të kufizohet vetëm në përmbushjen e procedurave administrative apo në shpërndarjen e notave. Ajo duhet të matet me cilësinë reale të kompetencave që nxënësit dhe studentët fitojnë. Diplomimi pa dije nuk është sukses institucional, por tregues i dobësimit të mekanizmave të sigurimit të cilësisë dhe i uljes së standardeve akademike.
Në fund, përgjegjësia e pedagogut, mësimdhënësit, profesorit nuk është të prodhojë statistika të kalueshmërisë , por të formojë individë të aftë, kritikë dhe profesionalisht të përgatitur. Një shoqëri që toleron uljen e standardeve arsimore rrezikon të prodhojë një deficit të kapitalit njerëzor, i cili më vonë reflektohet në institucionet publike, ekonomi dhe në cilësinë e jetës demokratike. Prandaj, debati për arsimin nuk është vetëm debat pedagogjik; ai është debat sociologjik për të ardhmen e shoqërisë. /AlbanianEducation.net