Nga Refki Demaj: A është arsimi në Kosovë në krizë?

- Advertisement5 -

Rastet e fundit të dhunës në shkollat e Kosovës, përfshirë arrestimin e mësimdhënësve pas incidenteve me nxënës, kanë rikthyer në vëmendje një problem më të thellë strukturor në sistemin arsimor. Ndërsa zbatimi i ligjit është i domosdoshëm dhe dhuna nuk mund të justifikohet, mënyra selektive e trajtimit të këtyre rasteve sugjeron një krizë të balancës institucionale dhe të autoritetit pedagogjik.

- paragrafi 1 -

Nga këndvështrimi sociologjik, dhuna dhe sjelljet devijante të nxënësve ndaj mësimdhënësve nuk janë fenomene të izoluara, por tregues të dobësimit të normave sociale brenda institucionit shkollor. Relativizimi i disiplinës dhe zhvendosja e fokusit ekskluzivisht te të drejtat e fëmijës, pa theksimin e përgjegjësisë, kanë kontribuar në erozionin e autoritetit të mësimdhënësit.

- Advertisement - M1

Në këtë kontekst, dështimi është i trefishtë. Familja shpesh nuk funksionon si aleate e shkollës në edukim, por si mbrojtëse e pakushtëzuar e fëmijës, edhe në raste të sjelljeve agresive. Institucionet arsimore reagojnë kryesisht përmes masave ndëshkuese ndaj mësimdhënësve, duke reflektuar presion publik më shumë sesa vlerësim profesional.

Media, ndërkohë, kontribuon në krijimin e një gjyqi publik të shpejtë dhe sensacionalist, duke ushtruar dhunë simbolike ndaj profesionit të mësimdhënësit.

Pasojat e kësaj qasjeje janë të dukshme: humbja e autoritetit dhe dinjitetit profesional, rritja e pasigurisë në vendin e punës dhe largimi gradual i mësimdhënësve nga profesioni. Ky proces përfaqëson humbje të kapitalit profesional dhe dobësim të funksionit socializues të shkollës.

- Advertisement - m2

Nëse nuk ndërmerren masa të balancuara për të garantuar mbrojtjen institucionale të mësimdhënësve, për të rivendosur autoritetin pedagogjik dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet familjes dhe shkollës, kriza aktuale rrezikon të thellohet.

Një shoqëri që dështon të mbrojë mësimdhënësin rrezikon, në afatgjatë, të dëmtojë vetë themelet e rendit dhe kohezionit shoqëror.