Nga Refiqe R. Hamiti: Mësuesi – hero i heshtur i shoqërisë

- Advertisement5 -

MËSUESI – HERO I HESHTUR I SHOQËRISË, I DUARTROKITUR NGA FËMIJËT, POR I NËNVLERËSUAR NGA POLITIKA

- paragrafi 1 -

Në kujtim të mësueses sime Xhemile Aliu – shpirti i saj pastë dritë në botën tjetër.
Sot kujtoj 7 Marsin – Ditën e Mësuesit.

- Advertisement - M1

Mësuese, sa herë përballem me diçka që nuk i shkon shtatit tim, ju më kujtoheni menjëherë. Më kujtohet fytyra juaj engjëllore, përkushtimi dhe dashuria me të cilën u dhatë gjithçka për nxënësit tuaj.

Ju u dogjët dhe u shkrirët për mua dhe për qindra nxënës të tjerë që i edukuat dhe i arsimuat me përkushtim.

Asgjë nga kjo nuk erdhi lehtë. Ishte rezultat i punës, sakrificës dhe dashurisë suaj të madhe për dijen dhe për fëmijën.

- Advertisement - m2

Prandaj, sa herë që mallëngjehem, dal në ballkon dhe shikoj yjet në qiell. Në atë qetësi kërkoj zërin tuaj, këshillën tuaj dhe hijen tuaj mbi kokën time.

Sa shumë mbresa keni mbjellë në këtë botë, mësuesja ime!

Kujtimi për ju është gjithmonë i gjallë dhe gjithmonë më zgjon mirënjohjen për atë që ishit për mua – një zonjë e rëndë dhe një mësuese e rrallë.

Mësuesja Xhemile, i lehtë të qoftë dheu i Kosovës.

Edhe ju keni pasur vuajtje dhe sfida që jeta jua ka vënë përpara. Përballja me botën e ndjeshme të fëmijës për ta realizuar planin edukativ nuk ka qenë kurrë e lehtë. Por ju arritët ta edukoni dhe ta arsimoni gjeneratën tonë.

Por sot është ndryshe, mësuesja ime.
Në këtë Kosovë të pavarur shumë gjëra kanë ndryshuar.

Prej 36 vitesh mësuesi është ndër kategoritë më të përfolura në shoqëri.

Prej 26 vitesh është ndër kategoritë më të nënvlerësuara për punën që bën.

Dhe kur vjen 7 Marsi, vërshojnë urimet.

Por shpesh këto urime janë të thata, pa shpirt dhe pa respekt të vërtetë për sakrificën e mësuesit.

Ky nënvlerësim vjen nga shumë anë.

Nga politika ditore, shpesh jo e arsimuar mjaftueshëm për të kuptuar misionin e mësuesit. Politikanë që e krahasojnë punën e mësuesit me një lëmoshë të vogël, ndërsa një darkë e tyre me “fruta deti” kushton më shumë se paga mujore e një mësuesi.

Nga shoqëria civile, që rrallëherë ngriti zërin kundër eksperimenteve të pafundme në arsim. Metodologji që ndërrojnë emra çdo vit, të importuara nga vende të tjera pa analizë serioze nga ekspertët tanë akademikë.

Nga elita biznesore, që paranë e konsideron zot dhe mendon se di gjithçka vetëm sepse ka pasuri. Shpesh këta “biznesmenë” nuk e njohin librin as nga kopertina, por flasin sikur të ishin shkencëtarë të NASA-s.

Nga analistët televizivë, që më shumë sulmojnë diplomat e profesorëve sesa pyesin për diplomat e politikanëve në Parlamentin e Kosovës.

Sepse shumë rrallë bëhet një debat i drejtë për mësuesin:

Në çfarë kushtesh punon?

Çfarë i mungon?

Dhe si mund të kërkohet mrekulli nga një sistem që shpesh nuk i jep as kushtet bazë?

Prandaj lindin dy pyetje të thjeshta:

A do të ketë ndonjëherë në Kosovë barazpeshë mes mësuesit dhe politikanit për mundësinë e shkollimit të fëmijëve të tyre?

Si është e mundur që një politikan ta dërgojë fëmijën për studime në Evropë, ndërsa mësuesi shpesh nuk e ka këtë mundësi?

Përgjegjësi kanë edhe disa prindër.

Jo të gjithē, por ata që kurrë nuk e shohin fajin te vetja dhe gjithmonë e kërkojnë te mësuesi.

Prindërit që rrallëherë u dalin zot fëmijëve të tyre.

Sepse nëse çdo fëmijë do të kishte mbështetjen dhe drejtimin e duhur familjar, shumë nga ngjarjet e rënda që ndodhin sot pranë shkollave nuk do të ndodhnin.

Mësimdhënësi ka tri dekada që shpesh ndihet i shkelur dhe i fajësuar vetëm pse është mësues.

Por pavarësisht gjithçkaje:

Puna e mësuesit mbetet një nga profesionet më fisnike të shoqërisë.

Ne kemi qenë pranë fëmijëve tanë për më shumë se tri dekada.

Ata që kalojnë nëpër duart tona janë dëshmitarët më të mirë të punës sonë.

Nëse i udhëzon nga klasa në klasë me dije, edukatë dhe dashuri për atdheun – ata do të të kujtojnë si heroinë.

Por nëse i kalon pa meritë, duke ua falur notën dhe jo dijen – atëherë dëmtohet e ardhmja e tyre dhe e shoqërisë.

Sepse kështu u mësojmë fëmijëve se ligji nuk vlen njësoj për të gjithë.

Prandaj, mësues, qëndroni të drejtë përballë dijes dhe ligjit.

Imagjinatën e fëmijëve mund ta fitoni vetëm me respekt.

7 Marsi i vitit 2026

Gëzofshi, mësues të Kosovës, ditë të bardha dhe dinjitet të barabartë me të gjithë njerëzit e dijes.

Sepse shenja më e madhe e suksesit për një mësues është kur ai mund të thotë:
“Nxënësit po punojnë sikur unë të mos ekzistoja.”

PS
Shoqëria që e nënvlerëson mësuesin, në të vërtetë është një shoqëri që po e dobëson të ardhmen e vet.

Sepse një politikan ndërton një mandat.

Një biznesmen ndërton një pasuri.

Por vetëm mësuesi ndërton një komb.