Nga prof. Bardhyl Musai: E kultivon të menduarit shkolla shqiptare?

- Advertisement5 -

Kjo pyetje mund të duket e thjeshtë, por në të vërtetë është një nga pyetjet më të ndërlikuara që mund t’i bëjmë sistemit tonë arsimor. Nuk ka të bëjë vetëm me kurrikulat, tekstet a rezultatet në provime. Ka të bëjë me diçka më të thellë: me kulturën e të menduarit që shkolla ndërton te fëmijët.

- paragrafi 1 -

Flasim shpesh për arsimin. E quajmë prioritet kombëtar, e përmendim në programe dhe strategji, e diskutojmë sa herë dalin rezultate testimesh. Megjithatë, ndjesia që mbetet është se, pavarësisht ndryshimeve të njëpasnjëshme, shkolla nuk po ndryshon në thelb.
Pyetja që duhet bërë nuk është sa dokumente e strategji kemi miratuar, por kjo: a po i ndihmon shkolla shqiptare nxënësit të mendojnë, apo vetëm të riprodhojnë informacion?

- Advertisement - M1

Në praktikën e përditshme shkollore, informacioni vazhdon të trajtohet si qëllim. Nxënësi vlerësohet për atë që mban mend dhe jo për mënyrën si arsyeton. Pyetjet kërkojnë përgjigje të sakta, jo shpjegim. Gabimi shihet si dështim, jo si pjesë e të nxënit.

Mësimi shpesh ndjek afërsisht të njëjtin model: shpjegim, ushtrime, test. Rrallë nis me problem. Rrallë nxit diskutim. Rrallë i jep nxënësit kohë të mendojë me zë të lartë. Kjo nuk lidhet me mungesë përkushtimi të mësuesve, por me një model të trashëguar mësimdhënieje, ku të nxënit kuptohet si proces mekanik.

Ndërkohë, në dokumentet zyrtare flitet për kompetenca, mendim kritik, krijues, të nxënët gjatë gjithë jetës etj.. Këto koncepte tingëllojnë bashkëkohore, por shpesh mbeten abstrakte në klasë. Kurrikula është e ngarkuar dhe e vështirë për t’u transferuar në praktikë, pasi është e paqartë, e importuar dhe e keq-përkthyer konceptualisht.

- Advertisement - m2

Tekstet mësimore vazhdojnë të jenë burime informacioni, jo mjete pune që nxisin pyetje dhe probleme nga jeta reale. Këtu shfaqet kontradikta: kurrikula flet për kompetenca, teksti punon për memorie.

Edhe zhvillimi profesional i mësuesve, ndonëse i shpeshtë, mbetet formal me leksione universitare, jo me përfshirje në veprimtari praktike ‘me duart në magje’, i shkëputur nga realiteti i klasës. Mësuesi nuk trajnohet për të menduar ndryshe, por për të plotësuar formularë. Kështu krijohet një hendek i rrezikshëm: flasim terminologji moderne, veprojmë me mjete tradicionale.

Rezultatet e Shqipërisë në testime ndërkombëtare si PISA, PIRLS etj. nuk duhen parë si dështim a dënim. Ato janë pasqyrë. Këto vlerësime nuk matin sa fakte di nxënësi, por sa mirë ai kupton, analizon, krijon dhe zgjidh probleme të reja. Vështirësitë e nxënësve tanë tregojnë se problemi nuk është mungesa e informacionit, por mungesa e kulturës së të menduarit.

Nëse duhet të përmblidhen ndryshimet e shpeshta, që emërtohen reforma arsimore, mund të jetë kjo fjali: informacioni nuk është më qëllimi i arsimit, por mjeti i tij.

Shkolla nuk mund të konkurrojë me Internetin për sasi informacioni. Roli i saj është tjetër: të ndihmojë nxënësin të kuptojë, të integrojë dijet, të arsyetojë dhe t’i përdorë ato në situata të reja. Kjo është ajo që quajmë kulturë e të menduarit.

Një shkollë që kultivon të menduarit është shkollë ku pyetja ka po aq vlerë sa përgjigjja, ku procesi vlerësohet po aq sa rezultati dhe ku gabimi shihet si pjesë e të nxënit. Ajo flet më pak dhe pyet më shumë. Ajo nxit dialog, reflektim dhe bashkëpunim.

Do të ishte e padrejtë të thuhej se në shkollën shqiptare nuk ka fare mendim kritik. Ka mësues të përkushtuar që përpiqen të krijojnë hapësira dialogu, të nxisin pyetje dhe të inkurajojnë nxënësit të argumentojnë. Por këto përpjekje shpesh mbeten individuale dhe jo pjesë e një kulture të qëndrueshme institucionale.

Sistemi, në tërësinë e tij, vazhdon të favorizojë rezultatet e matshme dhe testimin standard, në dëm të procesit të të menduarit.

Në thelb, kjo është çështje kulturore. Shkolla nuk funksionon e shkëputur nga shoqëria. Nëse ne, si shoqëri e shohim të menduarit kritik si problem e jo si vlerë, është e vështirë të presim që shkolla të prodhojë të kundërtën. Prandaj, reflektimi të jetë i përbashkët: i mësuesve, prindërve, institucioneve dhe vetë shoqërisë.

Çdo reformë që e sheh mësuesin si problem dhe jo si partner është e destinuar të dështojë. Ndryshimi i kulturës së të menduarit fillon nga klasa, por nuk mund t’i kërkohet vetëm mësuesit.

Ky shkrim nuk synon të japë përgjigje përfundimtare, por të nxisë debat. Ndoshta debati më i vështirë nuk është për kurrikulat, tekstet a provimet, por për çështjen themelore, nëse duam nxënës që dinë të përgjigjen, apo qytetarë që guxojnë të pyesin?

Arsimi është çështje publike dhe përgjegjësi e përbashkët. Nëse duam nxënës që mendojnë më shumë, duhet së pari të mendojmë ndryshe për shkollën.

© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara