Nga Pranvera Musta: Si të planifikojmë dhe zhvillojmë një orë të hapur mësimore?

- Advertisement -

Shkruan nga Pranvera Musta për Albanian Education

Si të planifikojmë dhe zhvillojmë një orë të hapur mësimore për shkallën e kualifikimit “Mësues i Kualifikuar” dhe “Mësues Specialist” ?

- Advertisement -

Një orë e hapur mësimore është një mundësi për mësuesin, që të demonstrojë aftësitë e tij pedagogjike, të ndajë praktikat më të mira dhe të marrë vlerësime konstruktive nga kolegët dhe drejtuesit. Për organizimin e një ore të tillë, nevojitet një përgatitje e kujdesshme dhe një strukturë e qartë.

Ky shkrim ofron orientime praktike për mësuesit që përgatiten për një orë të hapur.

1. Zgjedhja e temës dhe përcaktimi i rezultateve të të nxënit.

- Advertisement -

Para së gjithash, zgjidhet tema mësimore. Rezultatet e të nxënit të temës që do të trajtohet në këtë orë të hapur merren në planin mësimor, rrjedhimisht në programin mësimor, dhe duhet të mbahen parasysh gjatë gjithë orës së mësimit, me qëllim realizimin e tyre.

Rezultatet e të nxënit mund të jenë:

Njohja dhe kuptimi i një koncepti të ri;
Zhvillimi i aftësive analitike dhe kritike;
Zbatimi i njohurive në situata praktike;
Nxitja e bashkëpunimit dhe pjesëmarrjes aktive të nxënësve, etj.

2. Planifikimi

Pasi të jetë përcaktuar tema e përshtatshme që të reflektojë qartë metodat efektive të mësimdhënies mësuesi duhet të hartojë një planifikim të detajuar duke përfshirë:
Materialet dhe burimet që do të përdoren;
Strukturën e orës (parashikimi, ndërtimi i njohurive dhe përforcimi);
Metodat dhe teknikat e mësimdhënies;
Pyetjet stimuluese për të nxitur diskutimin;
Aktivitetet praktike dhe format e vlerësimit.

3. Zhvillimi i orës së hapur

Ora e hapur duhet të jetë dinamike dhe e strukturuar mirë. Një model efektiv mund të përfshijë:
Parashikimi ( 10 minuta): Aktivizimi i njohurive paraprake përmes një pyetjeje, një videoje apo një problemi praktik.
Ndërtimi i njohurive ( 25 minuta): Paraqitja e konceptit të ri përmes metodave interaktive si diskutimi, puna në grupe, eksperimentet, etj.
Përforcimi ( 10 minuta): Reflektimi mbi temën, përmbledhja e ideve kryesore dhe një ushtrim për përforcimin e mësimit.

4. Përdorimi i teknologjisë dhe metodave inovative

Teknologjia mund të ndihmojë në përmirësimin e angazhimit të nxënësve. Mësuesit mund të përdorin platforma interaktive, aplikacione të ndryshme p.sh platforma online PHET stimulation apo tabela digjitale për vizualizimin e koncepteve. Gjithashtu, përdorimi i metodave si qasja e kërkimit të një çështjeje, të mësuarit përmes problemit, kërkimi shkencor, studimi i rastit, të mësuarit në bashkëpunim, simulimet, mund të ndihmojnë në rritjen e përfshirjes së nxënësve.

5. Vlerësimi dhe reflektimi

Një hap shumë i rëndësishëm është vlerësimi i nxënësve në fund të orës së mësimit, duke kaluar nëpër tre hapa, vetëvlerësimi që i bën nxënësi vetes, vlerësimi nga shokët dhe shoqet e klasës dhe në fund vlerësimi përfundimtar bëhet nga mësuesi.

Pas përfundimit të orës, është e rëndësishme të analizohen reagimet e vëzhguesve dhe nxënësve. Mësuesi mund të organizojë një reflektim të shkurtër duke pyetur:
Çfarë funksionoi mirë?
Çfarë mund të përmirësohet?
Si ndikuan metodat e zgjedhura në të nxënit e nxënësve?
Kolegët dhe drejtuesit zakonisht vlerësojnë qartësinë e rezultateve të të nxënit, menaxhimin e klasës dhe përdorimin e strategjive efektive të mësimdhënies, prandaj është e rëndësishme që mësuesi të jetë i hapur ndaj komenteve dhe të përdorë vlerësimet për të përmirësuar praktikën e tij pedagogjike.

Përfundimi

Një orë e hapur mësimore është një mundësi e shkëlqyer për të ndarë përvoja dhe për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies. Përgatitja e kujdesshme, përdorimi i metodave efektive dhe reflektimi mbi procesin, ndihmojnë mësuesit të shfaqin profesionalizëm dhe kreativitet në punën e tyre. Kjo qasje jo vetëm që ndihmon në kualifikimin e mësuesve, por gjithashtu kontribuon në përmirësimin e cilësisë së arsimit në tërësi

SHEMBULL I PLANIFIKIMIT TË NJË ORE MËSIMI

PLANI DITOR
FUSHA: SHKENCAT E NATYRËS
SHKALLA IV KLASA IX
LËNDA: KIMI
MËSUESE: PRANVERA MUSTA
[ Këtu mund të shkruani nivelin e klasës. Është mirë që vëzhguesit e orës së mësimit të njihen me nivelin e klasës]
TEMA MËSIMORE:
Ndryshimi i energjisë në reaksionet kimike.
[Për të ngjallur kuriozitetin e nxënësve për orën e mësimit, temën e mësimit mund ta paraqitni në formën e pyetjes: Si ndryshon energjia në reaksionet kimike?]
SITUATA E TË NXËNIT
Mira gatuan me vajguri, Arbeni gatuan me sobë duke djegur dru, ndërsa Grejsi përdor gazin. Vajguri, drutë dhe gazi natyror janë lëndë djegëse. Lëndët djegëse, kur digjen, çlirojnë nxehtësi të dobishme.
Djegia e lëndëve djegëse si qymyri, nafta, gazi natyror janë reaksione kimike.
REZULTATET E TË NXËNIT SIPAS KOMPETENCAVE TË FUSHËS SË ORËS MËSIMORE
Nxënësi/ja:
Përshkruan reaksionet ekzotermike dhe endotermike.
Shpjegon proçeset endotermike dhe proçeset ekzotermike
Interpreton nxehtësinë që thithet ose çlirohet në një reaksion, si ndryshim të rezervës së energjisë të produkteve me reaktantët.
Tregon interes të mbledhë të dhëna mbi reaksionet ekzotermike dhe endotermike. FJALËT KYÇE:
Energji,
Reaksion ekzotermik,
Reaksion endotermik.
Burimet:Teksti mësimor Kimi 9.
Mjetet dhe substanca: llambë me alkool, gota kimike, termometër, provëza, kuba akulli, shkrepëse, hidrogjenkarbonat natriumi, acid citrik (limon), acid klorhidrik, hidroksid kaliumi, klorur amoni, nitrat kaliumi, sulfat bakri (II), stenda të ndryshme, tabelë, shkumësa, video projektor, laptop, micro:bit.
Kërkime në internet në linkun: http://www.youtube.com/virtualschooluk
www.britishcouncil.org LIDHJA ME FUSHAT E TJERA OSE ME TEMAT NDËRKURRIKULARE:
Gjuha dhe komunikimi;
Fizikë;
TIK-u

METODOLOGJIA DHE VEPRIMTARITË E NXËNËSVE

PARASHIKIMI: INSERT -SISTEMI NDËRVEPRUES I SHENJIMIT PËR TË MENDUARIN
DHE LEXIMIN EFEKTIV
Udhëzoj nxënësit që të lexojnë me vëmendje tekstin fq 92 -93. Gjatë leximit duhet të vendosin në anë të materialit shenja të cilat kanë domethënie të caktuar.
Shenjat duhet të kenë këtë kuptim:
,, √ “ (kontrollo) vendoset në atë rast kur nxënësi ndesh një informacion që e di ose mendon se e di.
,, – “ (minus) vendoset në fund të informacionit i cili është ndryshe me atë që nxënësi di.
,, + “ (plus) vendoset në atë pjesë të materialit që përcjell informacion të ri.
,, ? “ (pikëpyetje) vendoset kur ndeshet informacion i paqartë dhe për të nevojiten të dhëna të tjera,
ose kur gjatë të lexuarit lind një pyetje.

NDËRTIMI I NJOHURIVE TË REJA: KUBIMI ( PËRSHKRUAJ, SHOQËRO, ZBATO)
Nxënësit ndahen në pesë grupe.
Grupi i parë do të zhvillojë eksperimentin shkrirja dhe avullimi.
Grupi i dytë do të zhvillojë eksperimentin e bashkëveprimit të KOH me HCl
Grupi i tretë do të zhvillojë eksperimentin e djegies së zinkut dhe djegies së magnezit.
Grupi i katërt do të zhvillojë eksperimentin e tretjes së sulfatit të bakrit në ujë dhe nitratit të kaliumit në ujë.
Grupi i pestë do të zhvillojë eksperimentin midis hidrogjenkarbonatin e natriumit me acidin citrik (lëng limoni)

PËRSHKRUAJ:
Nxënësit përshkruajnë në fletore eksperimentin që zhvilluan në grup.
SHOQËRO:
Çdo grup kryen eksperimentin duke e shoqëruar me përshkrimin e ndryshimeve përkatëse.
ZBATO:
Shkruhen në fletore ndryshimet e vërejtura.

PËRFORCIMI I NJOHURIVE: KUBIMI (KRAHASO, ANALIZO, ARGUMENTO)

KRAHASO:
Krahasohen vetitë e substancave fillestare me substancat përfundimtare, duke rikujtuar ndërtimin grimcor të lëndës.
ANALIZO:
Analizohet nëse ka ndodhur reaksion ekzotermik apo endotermik?
A është formuar një përbërje e re?
Cilat janë përbërjet e formuara në secilin eksperiment?
Cilat janë ndryshimet midis reaksioneve ekzotermike dhe reaksioneve endotermike?
ARGUMENTO:
Me sa gradë ka ndryshuar temperarura fillestare nga ajo përfundimtare?
Ky është reaksion që u shoqërua më thithje apo çlirim nxehtësie?
Si mund të përdoren reaksionet ekzotermike në jetën e përditshme?
Si mund të mbrojmë veten nga reaksionet ekzotermike të ndodhura rreth nesh?
Cilat janë pasojat e një reaksioni ekzotermik të padëshiruar dhe si mund ta parandalojmë?
Si mund të përdoren reaksionet endotermike në jetën e përditshme?
Si mund të mbrojmë veten nga reaksionet endotermike të ndodhura rreth nesh?
Cilat janë pasojat e një reaksioni endotermik të padëshiruar dhe si mund ta parandalojmë?
Në këtë moment nxënësit e nivelit bazë + nivelit mesatar punojnë ushtrimet 1,2 fq 93.

MIKROBIT DHE ZGJIDHJA E PROBLEMEVE:
Nxënësit e nivelit të lartë me anë të pajisjes mikrobit kodojnë temperaturat në 0C që matën para se të ndodh
reaksioni dhe pasi ndodh.

VLERËSIMI I NXËNËSVE:
Për të realizuar vlerësimin e nxënësve gjatë kësaj ore mësimore do të përdoret vlerësimi nga nxënësit e tjerë, vetëvlerësimi dhe në fund vlerësimi nga unë.

Për vlerësimin nga shokët dhe shoqet e grupit do të përdoret metoda e “karameleve” të falenderimit.
Për këtë janë përgatitur çertifikata falenderimi.
Çdo grup ka tre çertifikata.
Çertifikatën e parë shokët dhe shoqet e grupit do t’ia japin nxënësit,
që ato mendojnë se tregoi vëmendje të veçantë gjatë orës së
mësimit.
Çertifikata e dytë do t’i jepet nxënësit që përdori me
lehtësi dhe saktësi mjetet e laboratorit dhe kontribuoi në zhvillimin
saktë të eksperimentit.
Çertifikata e tretë do t’i jepet nxënësit për bashkëpunimin më
të mirë në grup.
Në këtë mënyrë nxënësit realizojnë proçesin e empatisë,
vetëvlerësimin, bashkëpunimin dhe falenderimin.

Vetëvlerësimi do të bëhet nga vetë nxënësit.
Çfarë mund të përmirësoj në këtë mësim?
Cilat janë pikat e mia më të forta dhe më të dobëta gjatë kësaj ore mësimi?

Bëj vlerësimin e nxënësve referuar niveleve të arritjes:
N2: Përshkruan reaksionet ekzotermike dhe endotermike.
N3: Shpjegon proçeset endotermike dhe proçeset ekzotermike
N4: Interpreton nxehtësinë që thithet ose çlirohet në një reaksion, si ndryshim të rezervës së energjisë të produkteve me reaktantët.
N4:Tregon interes të mbledhë të dhëna mbi reaksionet ekzotermike dhe endotermike.

DETYRË SHTËPIE:
NIVELI BAZË – NIVELI MESATAR – NIVELI PËRPARUAR
Nxënësit nga tre ushtrimet e mëposhtme mund të zhvillojnë detyrë shtëpie, njërin nga ushtrimet, dy ushtrime ose të tre ushtrimet e mëposhtme (zgjedhja është sipas dëshirës)
Grumbulloni informacion mbi proçesin e djegies së lëndëve ushqimore në organizmin e njeriut. Shkruani reaksionin kimik që ndodh gjatë frymëmarrjes në organizmin e njeriut .

Hartoni Diagramin e Venit për reaksionet ekzotermike dhe endotermike

Gjeni dhe emërtoni dy lloje reaksionesh ekzotermike dhe dy lloje reaksionesh endotermike.

REFLEKSIONE:
Refleksionet në fund të orës së mësimit janë shumë të rëndësishme për të theksuar se si u ndjenë nxënësit gjatë orës së mësimit, a pati gjithëpërfshirje, a pati bashkëpunim, çfarë mësuan apo çfarë mbeti për t’u sqaruar orën e ardhshme.

©Albanian Education – Të gjitha të drejtat e rezervuara