Nga Pranvera Musta: Mësuesi përballë sfidës emocionale të orës së hapur apo prezantimit të projektit kurrikular

- Advertisement -

Në rrugëtimin e një mësuesi, ora e hapur apo ora e prezantimit të projektit kurrikular janë ndër momentet më të rëndësishme, por edhe më sfiduese emocionalisht.

- paragrafi 1 -

Këto orë janë “porta” drejt rritjes në shkallë kualifikimi, një mundësi për të treguar profesionalizmin, përkushtimin dhe filozofinë personale të mësimdhënies. Por, përtej planeve didaktike dhe objektivave të matshme, qëndron një realitet që nuk flitet shpesh – ngarkesa emocionale që përjeton mësuesi në këtë proces.

- Advertisement -

Ora e hapur, një pasqyrë e brendshme 

Të jesh mësues do të thotë të japësh çdo ditë pjesë nga vetja. Por kur ke përpara një komision vlerësues, kolegë që të vëzhgojnë, dhe ndoshta një klasë që për herë të parë do të angazhohet në një orë të hapur apo prezantimin e projektit kurrikular, presioni rritet. Mësuesi jo vetëm duhet të jetë i saktë nga ana shkencore, kreativ, inovativ, por edhe emocionalisht i qëndrueshëm.

Kjo nuk është e lehtë!

- Advertisement -

Ndjenja e ankthit, pasiguria, frika nga krahasimi apo nga “gabimi” janë ndjesi të zakonshme, dhe është krejt njerëzore t’i ndjesh, sepse nuk është thjesht një orë mësimore, është një moment ku ti ndihesh i ekspozuar dhe vlerësohesh si profesionist.

Këshilla për mësuesit se si ta përballojnë këtë proces me më shumë qetësi dhe vetëbesim

1. Filloni përgatitjen herët

Mos e lini gjithçka për ditët e fundit. Një përgatitje graduale ju lejon të mendoni në mënyrë kreative, të provoni metoda dhe të angazhoni nxënësit me kohë.

2. Zgjidhni një temë që ju pasionon

Ora e hapur nuk është momenti për të eksperimentuar me gjëra që nuk i ndjeni afër vetes. Kur jeni të apasionuar pas temës, entuziazmi juaj reflektohet në klasë.

3. Përfshini nxënësit që nga planifikimi dhe gjatë gjithë procesit.

Nxënësit janë aleatët tuaj më të mirë. Diskutoni me ta, përgatituni së bashku dhe bëjini pjesë të orës në mënyrë natyrale. Ata ndihen të vlerësuar dhe japin më shumë nga vetja.

4. Simuloni orën paraprakisht

Praktikoni me një koleg të besuar apo regjistrojeni veten dhe analizoni ritmin, komunikimin, qartësinë. Kjo ndihmon për të ndërtuar vetëbesimin.

5. Bëni kujdes me detajet, por mos kërkoni perfeksionin

Ora mund të mos shkojë siç e kishit menduar, por ajo që ka rëndësi është qasja juaj, lidhja me nxënësin dhe mënyra si menaxhoni situatat reale.

6. Kujdesuni për veten tuaj

Para ditës së orës hapur, flini mirë, ushqehuni lehtë dhe praktikoni teknika të thjeshta për uljen e stresit (frymëmarrje e thellë, një ecje e shkurtër, një bisedë pozitive me një koleg).

7. Ndani përvojën tuaj me të tjerët

Mësuesit nuk duhet të jenë të vetëm në këtë proces. Bashkëbisedimi me kolegët sjell lehtësim emocional dhe rritje profesionale.

Një thirrje për mirëkuptim dhe mbështetje

Ngarkesa emocionale që mbart një orë e hapur nuk duhet nënvlerësuar. Shkollat dhe institucionet arsimore duhet të kultivojnë një atmosferë mirëkuptimi, ku vlerësimi nuk bëhet për të gjykuar, por për të ndihmuar dhe normalisht për të dhënë vlerësimin në mënyrë konstruktive. Në vend të presionit për “të bërë përshtypje”, duhet të promovojmë një kulturë të reflektimit dhe rritjes profesionale.

Në fund të ditës, më e rëndësishme se çdo dokument vlerësimi është ajo që ndjen vetë mësuesi – kam dhënë më të mirën time, me dashuri për profesionin dhe për nxënësit.

Kjo është më e rëndësishmja.

©AlbanianEducation.net –