Nga nxënësja Melisa Rushiti: Figura e Mësuesit – nga sakrifica në sfidë

- Advertisement5 -

Ka lajme që nuk lexohen thjesht me sy, por me zemër. Ngjarja e fundit, ku një profesor u përball me provokime, ofendime dhe më pas me ekspozim publik në rrjete sociale, është një prej atyre momenteve që na detyron të ndalemi dhe të reflektojmë thellë. Nuk është thjesht një konflikt mes një mësuesi dhe disa nxënësve.

- paragrafi 1 -

Është një pasqyrë e dhimbshme e gjendjes ku ka arritur respekti për figurën e mësuesit në shoqërinë tonë.

- Advertisement - M1

Mësuesi nuk është vetëm një profesion. Ai është mision. Ai është drita që ndez mendjet, dora që udhëheq drejt dijes, zëri që na mëson të lexojmë, të shkruajmë dhe të mendojmë.

Në kohët më të vështira të historisë sonë, kur gjuha shqipe ndalohej dhe shkollat mbylleshin, mësuesit nuk u dorëzuan. Ata punuan në shtëpi private, në kushte të rrezikshme, pa pagesë, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të familjeve, vetëm që ne sot të kemi mundësinë të flasim dhe të shkruajmë shqip lirshëm. Ata mbajtën gjallë identitetin tonë kombëtar.

Sot, kur po afrohet Festa e Mësuesit, në vend që të përgatitemi me fjalë mirënjohjeje dhe respekti, lexojmë lajme që na lëndojnë. Shohim se si figura e mësuesit shpesh bëhet objekt sulmesh, ofendimesh dhe gjykimesh të njëanshme në rrjete sociale. Një moment i gabuar, një reagim emocional në një situatë të tensionuar, mund të shpërndahet brenda sekondash dhe të kthehet në gjyq publik. Por a ndalemi ndonjëherë të mendojmë për presionin, sfidat dhe barrën që mban një mësues çdo ditë?

- Advertisement - m2

Mësuesi duhet të jetë figura e dytë më e rëndësishme pas prindit. Ai formon karaktere, ndërton qytetarë, edukon breza të tërë. Pa të, nuk do të kishte mjekë, inxhinierë, juristë, as vetë prindër të arsimuar. Respekti për mësuesin nuk është vetëm çështje individi është tregues i nivelit kulturor dhe moral të një shoqërie.

Kjo nuk do të thotë se mësuesit janë të pagabueshëm. Ata janë njerëz. Por mënyra se si trajtojmë gabimet, si reagojmë ndaj konflikteve dhe si mbrojmë dinjitetin e profesionit, tregon pjekurinë tonë si shoqëri. Nxënësit duhet të mësojnë jo vetëm matematikë dhe gjuhë, por edhe respekt, dialog dhe përgjegjësi.

Në prag të Festës së Mësuesit, le të mos harrojmë sakrificat e tyre. Le të shkruajmë fjalë falënderimi. Le të kërkojmë më shumë dinjitet për ta. Le të rikthejmë respektin aty ku i takon. Sepse një komb që nderon mësuesin, nderon të ardhmen e vet.

*Melisa është nxënëse e klasës Vlll/1 në shkollë “Daut Bogujevci”, në Fushë Kosovë