Shkruan: Nehat Jahiu
Për mësuesin është shkruar e folur shumë në opinionin publik, pasi ai i ka përfshirë të gjitha hapësirat dhe përmasat e veprimit shoqëror. Puna dhe kontributi i tij ka qenë dhe është një angazhim i rëndësishëm për shoqërinë tonë. Faktor kryesor mbetet personaliteti në profesionin e mësuesisë, qoftë si mësimdhënës dhe edukues fisnik i jetës njerëzore. Ai shquhet si një figurë qendrore e nderuar që i prin zhvillimit qytetar.
Mësuesit i japin shpirtin e tyre arsimimit si misionarë dhe si edukatorë të fëmijëve, rinisë e studentëve duke u kthyer në misionarë të diturisë. Ata kanë në dorë formimin intelektual me vetëdije për të ardhmen dhe brezave. Mësuesi ka punuar me përkushtim e dinjitet për të përgatitur një shoqëri të drejtë.
Mësuesia është njëra ndër profesionet më të dashur, me shumë përgjegjësi dhe më e shenjta për mua. Në duart e mësuesit, edukatorit e pedagogut është fëmija, nxënësi e studenti, të cilët duhet të mësohen dhe edukohen. Është kënaqësi e madhe kur shkon të punosh në mësonjtore me nxënës, dhe të duket sikur shkon në një kopësht të lulëzuar. Me të vërtetë nxënësit janë si një kopësht me lule. Nga puna e kontributi i mësuesit varet arsimimi i brezit të ri, të cilin mësuesi e ka për detyrë ta mësojë dhe ta edukojë në një rrugë të ndershme, për të ardhmen e jetës së tyre.
Nuk ka kënaqësi më të madhe të mësosh dhe edukosh brezat e rinj të popullit tënd, me nder dhe me vullnetin e duhur.
Gjithë këtë kontribut e djersë që do të derdhë mësuesi për të mbjellë farën e diturisë tek nxënësit, vjen një ditë kur fara do të japë frytin e duhur. E këtë fryt të cilin ti e ke mësuar dhe edukuar, jo vetëm që nxënësi do e shijojë në të ardhmen, por do ta shijojnë dhe do të jenë krenarë me atë familja, shoqëria, vendlindja, kombi, atdheu etj.
Mbi të gjitha, mësuesi do të jetë njeriu më i lumtur. Gëzimi më i madh në jetën time sot është kur unë gjendem në shkollën time dhe jam duke punuar me ish-nxënësit e mi në procesin edukativo-arsimor. Nuk ka krenari më të madhe kur sot nxënësit e tu i shikon që kanë kryer fakultete, magjistratura, doktoraturë shkencash të ndryshme etj.
Takon nxënësit e tu gazetarë, shkrimtarë, artistë, drejtorë, deputetë, ministra, kryetarë komunash, biznesmenë, zejtarë etj. Më bëhet zemra mal nga gëzimi, sepse vetëm me arsimimin e brezave të rinj mund të ecim përpara si popull. Ky është profesioni i shenjtë i mësuesisë që më ka mbajtur gjithnjë të lumtur dhe krenar. Mësuesit ishin ata që nuk kursyen asgjë nga vetja për të hapur shkolla dhe për të mbjellë diturinë tek nxënësit e tyre në gjuhën amtare. Ata u shkrinë dhe u tretën si qiriri për nxënësit vetëm për t’i mësuar dhe edukuar.
Mësuesit e devotshëm e të denjë dhanë gjithçka për arsimin shqip. Edhe sot ata luajnë një rol shumë të rëndësishëm për arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj. Mësuesit idealistë të çështjes kombëtare gjithnjë kanë vuajtur e sakrifikuar për gjuhën e historinë e tyre kombëtare duke mbjellë dhe kultivuar diturinë tek shpirtrat e njomë të nxënësve. Personaliteti i mësuesit është tejet i rëndësishëm, pasi ai gjatë gjithë jetës përgatit nxënësit për të ardhmen e tij e të shoqërisë. Ata janë bartës të diturisë ndër breza.
Vizioni i tyre është shumë i fuqishëm me ideal të fortë kombëtar e arsimdashës dhe ruan identitetin e tij të sinqertë e sakrifikues. Mësues të tillë janë gjithnjë të nevojshëm për popullin e tyre varësisht periudhave historike. Mësuesi përdor një mjeshtëri të bekuar për t’i dhënë jetë botës, nëpërmjet formësimit të jetës së njerëzve. Ndikimi i tij mbi individin e tejkalon edhe ndikimin e prindërve apo shoqërisë mbi ta. Në fakt është mësuesi ai që gatuan nënën, babain dhe të gjithë anëtarët e shoqërisë së ardhme.
Në qoftë se ai nuk përfshihet në përgatitjen e ndonjë pjese të brumit të individit, atëherë ky individ mbetet gjithë jetën i paformuar. Nëpërmjet një mësuesi të përgatitur mirë rritet dhe kultivohet një personalitet i madh në botën e njerëzimit.
Mësuesit me punën dhe aktivitetin e tyre, lanë gjurmë në kohë dhe në kujtesën e brezave, të popullit dhe të mbarë shoqërisë, pasi kjo është e lidhur me epokën dhe kohën kur ata lindin, rriten e jetojnë. Në këto kushte, historia e jetës së një mësuesi të shquar, një personaliteti me vlera të larta në fushën e arsimit, edukimit dhe kulturës është i mbushur plot e përplot me përpjekje e sakrifica për ta bërë nxënësin bashkë me popullin e tij të lumtur, të arsimuar, të edukuar, patriot e të dobishëm për atdheun.
Për një njeri që jetën ia kushton atdheut, arsimimit e edukimit të brezave, ai me shumë zell mbjell dashurinë në bankat shkollore tek nxënësit që ta bëjë çdo nxënës, me vlera e të zotin e vetes. Puna e një mësuesi të mirë skalit në veprën e tij, në punën e tij pedagogjike, në veprimtarinë e tij edukuese kontributin për të ardhmen. Vepra e tij do të mbetet përgjithmonë e pavdekshme mes nxënësve, mes popullit në historinë e tij të lavdishme njerëzore. Mësuesia është një mision.
Në arsim kam kaluar gati të gjithë jetën. Puna si mësues, edukator, pedagog në shkollë ka ndikuar shumë edhe në krijimtarinë time letrare sidomos në letërsinë për fëmijë. Aty u njoha drejtpërtdrejt me jetën e fëmijëve (nxënësve) shpirtin e tyre që çdoherë më ka frymëzuar në krijimet e mia letrare. “Arsimi është një bimë tejet kryeneçe e cila nuk gjelbëron as lidh kokrra në qoftë se nuk ujitet me punë dhe gjak” (Arturo Grof)
Çështja e arsimit është e ndjeshme. Kështu që nga ky shkak duhet të jemi të gjithë syhapur duke kontribuar shumë në këtë fushë, sepse një popull i paarsimuar është si njeri pa sy. Jemi dëshmitarë të kohës kur arsimi shqip gjithnjë është ballafaquar me shumë sfida. Nga pushtues të ndryshëm janë përdorur gjithfarë metodash që popullin shqiptar ta lënë të paarsimuar dhe analfabet. Shqiptarëve nuk u është lejuar të mësojnë në gjuhën e tyre amtare, duke mos i lejuar të hapin shkolla në gjuhën shqipe. Edhe atëherë kur janë hapur shkollat, ata kanë përdorur gjithçka për t’i mbyllur sërish shkollat shqipe.
Arsimdashësit shqiptarë historikisht kanë sakrifikuar edhe jetën e tyre vetëm për të hapur shkolla. Ata kurrë nuk kanë lejuar që ato të mbyllen, madje kanë dhënë gjakun për arsimin shqip. Po ashtu në kohët më të vështira kur nuk kanë pasur mundësi për të mësuar në objektet shkollore, nxënësit dhe arsimtarët shqiptarë kanë mësuar në fusha e male gjuhën e tyre të ëmbël e të bukur shqipe.
Sot gjendja e shkollimit në shkollat ku mësohet gjuha shqipe është krejtësisht ndryshe. Të gjithë mësojnë në gjuhën e tyre amtare në trojet e veta e në diasporë. Sot më brengos e më dhemb shumë fakti sepse kohët e fundit, vetë ne si shqiptarë, nuk i kushtojmë rëndësinë e duhur arsimit duke mos e marrë punën me seriozitetin e duhur. Unë mendoj se nëse arsimi shqip sot ka rënie nga niveli i duhur, fajtorë jemi vetë, ne shqiptarët. Për këtë duhet të kemi kujdes të vazhdueshëm dhe të marrim masa të menjëhershme sa më shpejt të jetë e mundur për t’i eliminuar dukuritë negative që kanë hyrë në institucionet arsimore nga individë që i keqpërdorin shkollat e nxënësit për interesa personale, gjë e cila shkon në dëm të arsimit.
Duhet të mobilizohemi të gjithë që këto dukuri t’i eliminojmë në kohën e duhur dhe arsimi shqip, qysh nga shkolla fillore e deri në universitet të vihet në binarët e duhur. Nëse dështojmë, atëherë fajin duhet ta kërkojmë tek vetja e jo tek të tjerët, të cilët deri dje ishin armiqtë tanë në arsimin shqip. Ai që nuk është i lidhur shpirtërisht dhe nuk e konsideron arsimin si çështje të shenjtë, nuk e ka vendin në institucionet arsimore. Opinioni kërkon përgjigje të saktë dhe unë jam i tillë, që gjithnjë, i pëlqejnë apo nuk i pëlqejnë përgjigjet e mia të tjerëve, flas ashtu siç mendoj, pa kurrfarë hamendjeje.
Mësuesit kanë qenë, janë dhe do të jenë ata të cilët i kanë sjellë, i sjellin dhe do t’i sjellin të mira kombit të tyre, ndaj mund të quhen edhe heronj. Unë do të kisha shtuar se kjo nuk ka vlerë për të gjithë mësuesit, profesorët në përgjithësi. Kjo ka vlerë vetëm për ata që janë të lidhur ngushtë shpirtërisht dhe fizikisht me tërë qenien e tyre.
Ndaj profesionin e mësimdhënësit që kanë zgjedhur, nga fillimi i karrierës e deri në përfundim të saj, ta kryejnë këtë mision të shenjtë me nder dhe respekt. Pa sakrifikuar në këtë profesion nuk mund të jesh hero. Për fat të keq me keqardhje në kohë të ndryshme, por edhe sot ka mësues, që janë futur rastësisht në këtë profesion, e rastësisht e bartin emrin mësues, profesor, magjistër, doktor shkence. Këta individë nuk janë të pakët, ndaj duhet sa më shpejt të largohen, pasi nuk e kanë vendin aty. Këtë e them me vetëdije dhe përgjegjësi.
Autoriteti i mësimdhënësit nga rrethi apo shoqëria në përgjithësi sot është në mjerim. Për mësuesin, me përjashtime, nuk ka respekt në rrethin ku ai jeton e ushtron detyrën e tij.
Më tepër respektohet një rrugaç, një hajdut, sesa një arsimtar i mirëfilltë, i cili ia ka kushtuar tërësisht jetën e tij arsimimit dhe edukimit të brezave, pra ardhmërisë së popullit të tij. Po ashtu edhe nga shoqëria, autoriteti i mësidhënësit këto vitet e fundit është nënçmuar, pra, nuk i është dhënë vendi të cilin ata meritojnë. Nga institucionet e shtetit puna e mësimdhënësit, gjithnjë flas për mësimdhënësin e mirëfilltë është përbuzëse në çdo aspekt.
Ndiej keqardhje për mësimdhënësit, se në çfarë niveli jetese kanë mbetur. Është absurde!… Është turp!… Atëherë çfarë respekti kërkojmë të ketë mësimëdhënësi? Unë besoj se këtu nuk ka nevojë për koment…
Mësuesi duhet të jetë qytetari më i madh dhe më i respektuar i shoqërisë njerëzore. Ata kanë në dorë fatin e atdheut dhe mbarë botës.Në vazhdimësi të nderuara lexuese dhe lexuesë do të keni rastin të lexoni në këtë libër disa gjëra që nuk do të i pëlqejnë disa mësuesve, profesorëve dhe…, por e vërteta edhe pse në shumë raste dhemb, por nuk guxojmë të mos e themi, sepse nuk është një dhembje individuale.Dukuritë negative duhen të thuhen dhe shkruhen hapur nëse duam popullin , kombin, atdheun.
Nuk guxojmë që para syve tona të ndodhin shumë gjëra që sjellin pasaja tek gjeneratat e reja dhe ne të heshtim dhe mos t’i themi hapur dhe të insistojmë që sa më shpejtë të merre të indervenohet që këto gjëra të eliminohen nga disa mësuesë, profesora të shkollave të mesme dhe në ato univerzitare.
Arsimin nuk goxojmë të e lëmë në duartë e çdokujt dhe gjithëkujt, sepse do të vijë një ditë do të na mallkojnë gjeneratat e reja, por do të na dënojë historia, gjaku etj. Të tillëve që nuk nuk e duan profesionin e tyre. Atyre që nuk duan të punojnë dhe nuk punojnë me nxënësit në shkollat fillore, të mesmet dhe në fakultete duhet të ju themë troç e shqip që të largohen vullnetarisht nga ky profesion ose institucione duhet të i largojnë nga? , sepse nuk e kanë vendin aty ku për fat të keq janë rastsisht në këtë profesion, ndërsa mësuesit, profesorë e shkollave të mesme, fakulteteve që kontribojnë dhe do të kontribojnë çdoherë që të japin maksimumin për arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të reja të i mbështesim, të i respektojmë, të motivohen nga institucioni, sepse një gjë të këtillë e meritojnë.