Ndryshimi i politikave të pensionimit për mësimdhënësit nuk është më vetëm një ide reformuese, por një domosdoshmëri për të ardhmen e arsimit.
Profesioni i mësuesit kërkon energji të vazhdueshme mendore e fizike, përkushtim emocional dhe aftësi për t’u përshtatur me metodat bashkëkohore të mësimdhënies. Prandaj, rishikimi i moshës së pensionimit duhet parë si investim i drejtpërdrejtë në cilësinë e shkollës.
Propozoj, që mosha e pensionimit të jetë 60 vjeç për mësimdhënësit dhe 58 vjeç për mësueset. Po them këtë ide, duke marrë parasysh ngarkesën e madhe profesionale dhe sfidat e përditshme që sjell puna në klasë.
Paralelisht, duhet të mundësohet edhe pensionimi i parakohshëm për ata që, pas shumë vitesh shërbimi, nuk e kanë më të lehtë të përballojnë ritmin e punës.
Një model i drejtë dhe i zbatueshëm do të ishte që mësimdhënësit që zgjedhin pensionimin e parakohshëm të mbështeten financiarisht në mënyrë graduale, por për këtë vendosin kompetentët, të cilët duhet të gjejnë formën më të mirë dhe më të zbatueshme.
Unë mendoj, që gjatë vitit të parë, ose edhe në dy vitet e para, të përfitojnë 75% të pensionit, ndërsa më pas pensioni të paguhet i plotë. Në këtë mënyrë edhe mësimdhënësit e rinjë të paguhen me 75%.
Kjo do të krijonte siguri ekonomike për mësimdhënësit dhe do ta bënte tranzicionin më dinjitoz.
Një reformë e tillë do të sillte përfitime të shumta:
Rritje të cilësisë në arsim, duke hapur vende pune për mësimdhënës të rinj me energji, ide moderne dhe vizion pedagogjik.
Qarkullim natyral të kuadrove, që shmang stagnimin dhe rrit motivimin brenda sistemit.
Zbutje të emigrimit, pasi të rinjtë e kualifikuar do të kenë më shumë mundësi punësimi në vend.
Dinjitet për mësimdhënësit veteranë, të cilët meritojnë të tërhiqen me respekt pas një jete në shërbim të arsimit.
Rekomandim për Ministrin e Arsimit:
Është koha për një reformë të guximshme dhe të menduar mirë që e vendos mësimdhënësin në qendër të politikave arsimore. Krijimi i një grupi pune me ekspertë të arsimit, përfaqësues të sindikatave dhe hartues të politikave arsimore, do të ishte një hap i rëndësishëm drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Një sistem arsimor i fortë ndërtohet mbi mësimdhënës të motivuar, të respektuar dhe të mbështetur nga shteti.
Pensionimi më i hershëm dhe mundësia e pensionimit të parakohshëm nuk janë thjesht kërkesa sociale, ato janë strategji për një arsim më cilësor dhe për një shoqëri me të ardhme më të sigurt.